web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çfarë bën (dhe çfarë nuk bën) projektligji për barazinë gjinore

6 Nëntor 2025, 13:24, Opinione Toni Gogu

Çfarë bën (dhe çfarë nuk bën) projektligji

Sot vij me dy burime që më udhëheqin: Kushtetutën që më detyron si shërbëtor i shtetit dhe Shkrimin që më formon si njeri i besimit. Asnjërin s’e përdor dot si çekan; të dy kërkojnë të mbroj dinjitetin e çdo qytetari.

Çfarë bën (dhe çfarë nuk bën) projektligji? Është thënë se ky projektligj paska “deriçka të fshehta”, që të çojnë në rrugë pa kthim. Jo. Teksti merret me barazinë burrë-grua në jetën publike—paga të barabarta për punë të barabartë, shanse të barabarta, respekt të barabartë—dhe qartëson zbatimin në sektorin publik e privat sipas standardeve të BE-së. Nuk prek Kodin e Familjes, gjendjen civile apo martesën; nuk “shpik gjini të reja”; nuk imponon bindje mbi ndërgjegjen. Konceptet si “orientim seksual” apo “identitet gjinor” janë të njohura në korpusin tonë ligjor që prej 2010-s (ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi”); ky projektligj vetëm përforcon mekanizmat e zbatimit në arsim, punësim dhe shërbime. Ai është hartuar nga institucionet shqiptare në dialog me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit, degën e OKB-së për gratë dhe partnerë të tjerë, dhe përafron 10 direktiva të BE-së.

Pse ky është ligj i drejtësisë, jo i ideologjisë.

Në një Kuvend, jo në një tribunal ndërgjegjesh, shteti mban paqen shoqërore dhe përmbush ligjin me dashuri. E them troç: ligji nuk u jep epërsi bindjeve të mia fetare mbi të tuat; garanton që askush të mos shkelë mbi dinjitetin e tjetrit. Këtë e thotë bukur edhe urtësia biblike e Shën Palit: “nuk ka më mashkull as femër; të gjithë jeni një” (Galatianëve 3:28); prandaj “nënshtrojuni njëri-tjetrit” (Efesianëve 5:21), sepse “as burri e as gruaja nuk kanë pushtet të vetëm mbi tjetrin” (1 Korintasve 7:4). Arkitektura biblike është plotësim pa nënshtrim: dallim që nderon, jo hierarki që poshtëron. Kjo është e ndershme nga pikëpamja kushtetuese dhe e përgjegjshme nga pikëpamja europiane.

Rezultatet që kemi arritur si shoqëri (jo si retorikë, por si të dhëna zyrtare):

– Qeveria qendrore: 8 nga 18 ministra janë gra (44%); zëvendësministre 53.3% gra.
– Parlamenti: 51 gra nga 140 (36.4%), një nga kuotat më të larta në Europë, mbi mesataren e BE-së.
– Këshillat Bashkiakë: 42% gra; kryetare bashkish 13.1% (pas 2023).
– Administrata publike: gratë 61% e të punësuarve dhe 53% e pozicioneve drejtuese.
– Arsimi & Shëndetësia: 71% e mësuesve në arsimin bazë e të mesëm janë gra; në universitete 53.8% e stafit akademik; mjekët në sistemin publik 60.27% gra.
– Drejtësia: 58% e gjyqtarëve janë gra; prokurore 48% (totali), ndërsa në SPAK 30%.
– Tregu i punës: pjesëmarrja e grave 15–64 vjeç është rritur nga 48.8% (2013) në 69.3% (2024); Shqipëria është ngjitur në vendin e 23-të në botë për Hendekun Global të Barazisë Gjinore (WEF, 2024). Këto nuk janë kërcënime për familjen shqiptare; janë fitore të saj.
“Po familja tradicionale?”

Si bir i kësaj shoqërie, e çmoj familjen burrë-grua. Ky projektligj e ndihmon atë—me pagesë të barabartë, kundër diskriminimit dhe me rregulla të qarta zbatimi. Kundërshtarët realë të familjes nuk janë barazia dhe dinjiteti, por dhuna, varfëria, varësitë, mungesa e shërbimeve dhe emigracioni i detyruar. Në Maknor, kur sheh një gardh, nuk e shkul pa ditur pse është; por as s’e bën mur të pakalueshëm. Ne nuk po prishim gardhin e dallimeve, po heqim barrikadat e paragjykimeve që ua sekuestrojnë të drejtat më të dobëtëve.

Një fjalë për vëllezërit e mi ungjillorë.

Respektoj shqetësimet tuaja. Por Ungjilli nuk është kod ndalimesh për të tjerët; është thirrje për shërbesë tek të tjerët. Atë që Bibla na e kërkon si bindje personale, ligji civil s’e bën detyruese për ndërgjegjen e tjetrit. Prandaj mbështes që në sferën publike të mos ketë diskriminim, ndërsa në sferën e besimit të ruhet liria e ndërgjegjes.

Ky ligj nuk ka asnjë ndikim mbi “koncepte ideologjike në sistemin arsimor” përveç atyre që kemi prej dekadash; nuk prek kuptimin tradicional të familjes, si bashkim midis burrit dhe gruas; dhe, nuk prek lirinë e besimit, si një nga të drejtat themelore të njeriut në një shoqëri demokratike.
Ndërkohë, bashkohem me thirrjen e Vëllazërisë Ungjillore për kishat që “të luten për vendin, për drejtuesit e tij dhe për ruajtjen e vlerave themelore të familjes, jetës dhe besimit.”

Në pluralizëm muk mund ta reduktojmë besimin në identitet politik, apo ta shfaqim besimin si projekt dominimi. Besimi duhet të jetë fuqi reale, por e ushtruar butë, me respekt për lirinë dhe larminë; përmes bindjes dhe shembullit, jo me imponim. Vetëm atëherë besimi mund të rigjallërojë jetën shpirtërore pa e kthyer shtetin në instrument feje. Kjo qasje pranon kufijtë e pluralizmit dhe zgjedh bindjen, jo zbatimin përmes forcës.

Përputhja me BE-në dhe me ligjin tonë ekzistues.

Ky projektligj nuk shpik realitete të reja ligjore: ai shton matshmërinë dhe përcakton rolet — ministri, njësi vendore, media, sektor privat — për të zbatuar parimin e barazisë gjinore. Nuk preken përkufizimet e martesës në Kodin e Familjes e as regjistrimet në gjendjen civile. Dimensioni europian është thelbësor: dokumenti përafron 10 direktiva dhe zbaton rekomandimet shumëvjeçare të CEDAW/GREVIO/KE.

Disa kanë hedhur akuza se paskam “manifestin e partisë për Bibël”. Ja ku është Bibla. Manifesti dhe programi politik e mësojnë partinë time si të qeverisë; Bibla më mëson mua si të dua njeriun. Dhe Bibla thotë: “Kush e do të afërmin, nuk i bën keq. Prandaj dashuria është përmbushja e ligjit.”

Besimi im biblik më mëson se “kush e do të afërmin, nuk i bën keq—dashuria është përmbushja e ligjit.” Ligji që kemi para nesh nuk i bën keq askujt; përkundrazi, mbron. Ai forcon familjen duke rritur drejtësinë në paga, shanse e respekt, dhe i jep Shqipërisë fizionominë europiane që kemi zgjedhur. Për vajzat e Shqipërisë që të paguhen njësoj për të njëjtën punë; për gratë që të jenë zë vendimmarrës, jo dekor protokollesh; për fëmijët që të rriten në shkolla ku askush s’poshtërohet dhe askush s’detyrohet të mendojë si tjetri—po, unë votoj për barazinë gjinore.

E dua Shqipërinë time të besëlidhjes familjare, ku burri s’ka frikë nga madhështia e gruas, e ku gruaja s’ka nevojë të ulet që burri të duket i madh. Dua një Shqipëri që mikpret pa u trembur, sepse dinjiteti nuk është byrek: kur e ndan, nuk pakësohet – shtohet pa mbarim.
Le të jetë vota jonë sot një po e kthjelltë për dinjitetin njerëzor.

(Fjala e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, në Kuvendin e Shqipërisë, 6 nëntor 2025)

 





21:37 Opinione Lutfi Dervishi

Hipokrizia...

E vlerësojnë për "kontributin në PS", ndërkohë që PS-ja e so...

17:12 Opinione Osman Stafa

Dy botë në një shtet

Në foton e parë janë deputetët e Republikës së Shqipërisë....

Lajmet e fundit nga