web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Halloween-i në dritën e besimit

31 Tetor 2025, 10:06, Opinione Atë Grigor Pelushi

Halloween-i në dritën e besimit

Në shoqërinë moderne, Halloween-i është bërë një nga festat më të përhapura në botë, veçanërisht mes fëmijëve. Kostumet, zbukurimet me drita e ngjyra, skeletet njerëzore, maskat e frikshme, kosat dhe thikat krijojnë një atmosferë argëtuese sipas disave. Por në dritën e besimit të krishterë ortodoks, kjo festë ngre pyetje të rëndësishme për kuptimin e saj shpirtëror dhe ndikimin që mund të ketë, veçanërisht te fëmijët.

Historikisht, Halloween-i ka rrënjë në rituale pagane të lashta, të lidhura me kultin e vdekjes dhe me besime në fryma e shpirtra që endeshin nëpër botë në natën e fundit të tetorit. Me kalimin e kohës, në traditën perëndimore kjo datë u lidh me “vigjiljen e kremtimit të gjithë shenjtorëve” – All Hallows’ Eve – si një përgatitje për festën e Gjithë Shenjtorëve siç edhe ne ortodoksët e festojmë festën e Gjithë Shenjtorëve të Dielën mbas Pendikostisë. Megjithatë, në zhvillimin kulturor modern, aspekti shpirtëror është zbehur pothuajse plotësisht, duke u zëvendësuar nga imazhe të frikshme, figura demonike dhe elementë që shpesh bien ndesh me frymën e krishtërimit.

Nga këndvështrimi ortodoks, Halloween-i nuk përbën një festë të krishterë, por më tepër një manifestim kulturor me ndikime pagane dhe komerciale. Kisha na mëson se njeriu është krijesë e Zotit, i thirrur për dritë, dashuri dhe gëzim të pastër — jo për të glorifikuar errësirën, frikën apo vdekjen. Simbolet që lidhen me Halloween— skelete, fantazma, magjistare, përbindësha — nuk janë pjesë e traditës sonë shpirtërore. Përkundrazi, ato shpesh përfaqësojnë një relativizim të së keqes, një lojë me forca që në besimin ortodoks nuk merren lehtë, sepse “i Ligu” nuk është një figurë për t’u zbavitur, por një realitet shpirtëror që kërkon largësi dhe kujdes.

Për fëmijët, Halloween-i mund të duket një lojë e padëmshme — një ditë për t’u veshur ndryshe dhe për tu argëtuar siç po ndodh në këto momente në një shkollë poshtë dritares ku punoj. Por ndikimi i saj mund të jetë më i thellë se sa duket. Në një moshë ku fëmijët formojnë imagjinatën dhe ndjeshmërinë shpirtërore, përballja me imazhe të errëta, figura demonike apo elementë që normalizojnë frikën dhe vdekjen, mund të krijojë një konfuzion të brendshëm. Në vend që të mësojnë për dritën, dashurinë dhe shpresën që rrjedhin nga Zoti Jisu Krisht, ata mund të mësohen ta shohin errësirën si lojë, dhe të keqen si diçka tërheqëse. Kjo bie ndesh me edukimin shpirtëror që Kisha dëshiron t’u japë fëmijëve, atë të gëzimit të pastër, të mirësisë dhe të shenjtërisë.

Në shumë komunitete ortodokse si në Rumani, Greqi, Amerikë etj prindërit dhe mësuesit e shkollave të krishtera kanë zgjedhur që në vend të Halloween-it të organizojnë mbrëmje me temë shenjtorësh, ku fëmijët vishen si shenjtorët e dashur të Kishës, mësojnë për jetën e tyre dhe festojnë dritën që ata sollën në botë. Kështu, fëmijët mësojnë se e vërteta dhe bukuria nuk qëndrojnë në frikën dhe errësirën, por në dritën e dashurisë së Zotit. Madje këtë e sugjeroj që të zhvillohet edhe në kishat dhe komunitetet tona këtu në vendin tonë ku në këtë ditë të ftojmë fëmijët të marrin pjesë në festime që grupet e katekizmit mund të zhvillojnë duke përgatitur drama me jetë shenjtorësh, konkurse apo të tjera aktivitete që kanë lidhje me shenjtorët e Kishës sonë.

Halloween-i nuk është vetëm një çështje kostumesh, maskash, skeletesh apo zakonesh, por një pyetje shpirtërore: çfarë po u mësojmë fëmijëve tanë, të duan dritën apo errësirën? Kisha gjithmonë na fton të jemi të kujdesshëm, të dallojmë të mirën nga e dëmshmja, dhe të ushqejmë te fëmijët tanë gëzimin, dashurinë për jetën dhe besimin në Krishtin Zotin tonë që mund errësirën me anë të dritës së Tij hyjnore. /CNA





17:12 Opinione Osman Stafa

Dy botë në një shtet

Në foton e parë janë deputetët e Republikës së Shqipërisë....

22:55 Opinione Lutfi Dervishi

Ditar i Diellës

Kina kërcënon Shqipërinë! Sot në mëngjes, ndërsa po bëja ...

Lajmet e fundit nga