LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse kemi vetulla dhe lloje të tjera qimesh në fytyrë?

3 Mars 2023, 08:38, Kuriozitete CNA

Pse kemi vetulla dhe lloje të tjera qimesh në fytyrë?

Ne njerëzit duket se kemi një marrëdhënie dashuri-urrejtje me qimet e fytyrës. Vizatimet parahistorike të shpellave zbulojnë mjetet e panumërta që paraardhësit tanë të lashtë përdornin për t’u rruar: dhëmbë peshkaqeni, gurrë stralli të mprehur dhe madje edhe guacka molusqesh.

Sot mjekra është kthyer në një modë, dhe në vend të heqjes së saj burrat po latojnë vetullat. Por a ka ndonjë arsye pse kemi evoluar për të pasur këto tufa me qime në fytyrë? Dhe nëse po, çfarë avantazhi evolucionar mund të hedhim poshtë për hir të të qenit në modë? Studiuesit kanë shumë për të thënë për këtë çështje. Ja cilat janë përgjigjet e tyre se pse kemi vetulla, për çfarë shërbejnë qerpikët, dhe pse e rrisim mjekrën.

Pse kemi vetulla?

Le të fillojmë me trajtat e paqarta të qimeve në krye të fytyrës. Vetullat bëjnë një punë të shkëlqyer për të parandaluar që lagështia si shiu dhe djersa të rrjedhin mbi sytë tanë. Gjithçka, nga këndi në të cilin rriten këto qime deri te forma e harkut të vetullave, janë krijuar për të larguar lagështinë, në anën e fytyrës. Natyrisht, ndërsa mbrojtja e syve tanë mund të ketë qenë qëllimi i tyre fillestar, ato luajtën më pas edhe një rol dytësor: përcjelljen e emocioneve.

Për çfarë shërbejnë vetullat?

Një studim i vitit 2018 i botuar në “Nature Ecology & Evolution”, analizoi arsyet pse kreshtat e vetullave të homininëve të hershëm ishin shumë më të mëdha dhe më të ngurta sesa ato të njerëzve modernë. Ata zbuluan se në kundërshtim me disa teori mbizotëruese, sipas të cilave kreshtat e përforconin strukturalisht kafkën ose ndihmonin në mekanikën e kafshimit, të pasurit e vetullave më të lëvizshme, ka të ngjarë t’i ketë ndihmuar paraardhësit tanë të krijonin marrëdhënie dhe të siguronin mbijetesën në grupe.

Qimet e vetullave, thonë studiuesit, e rritën dukshmërinë e kësaj forme komunikimi.

Edhe pse mund të duket për të qeshur, psikologët evolucionarë thonë se vetullat e qenve iu nënshtruan një rrugëtimi të ngjashëm. Zbutja e tyre përgjatë shekujve e “transformoi anatominë e muskujve të fytyrës së qenve, në mënyrë specifike për komunikimin përmes fytyrës me njerëzit” shkruajnë autorët e një studimi të vitit 2019 të botuar në PNAS.

Për çfarë shërbejnë qerpikët?

E njëjta gjë vlen edhe për qerpikët, të cilët kanë detyrën e shtuar për të bllokuar grimcat e ngurta si pluhuri që të depërtojnë brenda syve tanë. Dhe sipas një studimi të vitit 2019 që i analizoi qerpikët nga këndvështrim i inxhinierisë kimike, ato madje mund të ndihmojnë në parandalimin e tharjes së syve duke kufizuar avullimin e padëshiruar. Për ata që janë kuriozë, ekipi i studiuesve përcaktoi “gjatësinë optimale të qerpikëve”, që duhet të jenë rreth 15 deri në 30 për qind e gjerësisë së syrit, duke sjellë një reduktim prej deri në 30 për qind të avullimit.

Pse rrisim mjekrën?

Në librin e tij “Prejardhja e njeriut”, Çarls Darvini, sugjeroi një arsye pse rrisim mjekrën. Ai tha se mjekra ishin një shembull i përzgjedhjes seksuale, dhe mund të kenë evoluar “për të eksituar apo emocionuar seksin e kundërt”, dhe duke frikësuar gjithashtu konkurrentët. Studiuesit priren të mendojnë të njëjtën gjë, për shembull, për krifën e luanit, e cila mund t'u sinjalizojnë luanëve të tjerë se ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe një kundërshtar i frikshëm. Por a qëndron kjo teori në epokën moderne? Një studim i vitit 2019, i botuar në “Psychological Science” sugjeron se është e mundur.

Studiuesit zbuluan se “prania e mjekrës te një burrë, e rriti shpejtësinë dhe saktësinë me të cilën pjesëmarrësit dalluan shfaqjet e zemërimit”. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shfaqjet e lumturisë apo trishtimit, emocione që dihet se nuk shërbejnë për të frikësuar të tjerët.

A na mbron mjekra?

Por mos supozoni se kjo do të thotë se mjekrat janë që të gjitha të bezdisshme. Hulumtimet e publikuara së fundmi në “Integrative Organismal Biology”, sugjerojnë se një fytyrë me mjekër mbron rajonet e cenueshme të nofullës nga goditjet e dëmshme gjatë përleshjeve.

Duke krijuar një përbërje epoksi me fibra për të shërbyer si një kockë artificiale, dhe duke e mbuluar atë me lëkurë të trashë dhe leshi të marrë nga delet, studiuesit zbuluan se ky model amortizonte 37 për qind më shumë energji nga një goditje e fortë sesa mostrat e tjetra krejtësisht pa qime.

Për më tepër, modelet me gëzof “dështuan” - pra thyen një kockë - në vetëm rreth gjysmën e kohës, krahasuar me gati 100 për qind të mostrave pa flokë. (Ata thonë se rezultatet mund të ndryshojnë, në varësi të trashësisë që mund të arrijë mjekra). Tani që e dini pse kemi vetulla, se për çfarë shërbejnë qerpikët dhe pse e rrisim mjekrën, mund të pyesni veten:Pse na bien qimet në kokë?

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga