LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse kanë sukses psikopatët?

6 Tetor 2023, 20:33, Kuriozitete CNA

Pse kanë sukses psikopatët?

Në gjuhën e zakonshme ekziston një tendencë shumë e përhapur për të etiketuar si “psikopatë” si njerëz që shfaqin një sërë tiparesh të veçanta, por që përgjithësisht perceptohen si problematikë, agresivë ose të rrezikshëm, në varësi të rastit. Dhe zakonisht përdorimi i këtij termi nuk lejon shumë nuanca: dikush është ose nuk është psikopat.

Por në fushën shkencore, psikopatia është një kategori shumë më e përgjithshme dhe nuk konsiderohet si një sëmundje mendore në vetvete, pavarësisht se është një tregues i mundshëm i çrregullimeve, të cilat mund të ndikojnë tek sjellja e individit në shoqëri dhe mbi gjendjen e tij psikologjike.

Për rreth 15 vjet, disa studime me një qasje dimensionale janë përpjekur të vënë në dyshim idenë se psikopatia është një atribut që është ose mungon. Sipas disa studiuesve në fushën e psikologjisë dhe psikiatrisë, vëmendja e madhe ndaj sjelljes psikopatike të dhunshme dhe kriminale në shekullin XX, ka lënë në hije studimin e një kategorie tjetër mjaft të madhe të njerëzve psikopatë.

Fjala është për ata “të suksesshmit”, njerëz psikopatë, personaliteti i të cilëve në shumicën e rasteve nuk shkakton vuajtje, dhe që në disa raste arrin të përfitojë nga ato tipare. Në vitin 2011 gazetari dhe shkrimtari uellsian Xhon Ronson shkroi librin “Psikopatët në pushtet”.

Libri, fryt i bisedave me psikologë, ekspertë dhe menaxherë kompanish, ngriti një sërë dyshimesh mbi mundësinë e përcaktimit të kufijve të qartë në përcaktimin e atij që është ose jo një psikopat. Më tej, ai përshkroi fuqinë manipuluese dhe joshëse që përdorin njerëzit psikopatë për të kontrolluar njerëzit e tjerë dhe për të kënaqur egon e tyre.

Dhe ai tregon në këtë libër se si disa nga ato tipare, i japin atyre mundësi të ndihen komodë në pozitat e pushtetit politik ose ekonomik. Në klasifikimet aktuale ndërkombëtare, psikopatia nuk ekziston në një kuptim të ngushtë, përveçse si tregues i çrregullimeve të tjera mendore.

Në botimin e tij të pestë Manuali Diagnostik dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore (DSM-V) lidhet me çrregullimin e personalitetit antisocial (APD), i përcaktuar si “një model i karakterizuar nga mospërfillja dhe dhunimi i të drejtave të të tjerëve”.

Ashtu si çrregullimet e tjera të personalitetit, çrregullimi antisocial i personalitetit “fillon në adoleshencë ose në moshë madhore të hershme, është i qëndrueshëm me kalimin e kohës dhe shkakton shqetësime apo dëme” si dhe sjellje që devijojnë dukshëm nga pritshmëritë e kulturës së individit.

Studimet më të fundit mbi psikopatët e suksesshëm, na kujtojnë pjesërisht disa teza të përfshira në një nga librat më të rëndësishëm dhe më të cituar në historinë e kërkimit psikiatrik mbi psikopatinë, i shkruar në vitin 1941 nga psikiatri i njohu amerikan Hervej Kleklej “Maska e shëndetit”.

Sipas Kleklej, një njeri psikopat është në gjendje të tregojë një “funksionim social” normal, të paktën kur vlerësohet duke përdorur kritere standarde psikiatrike. Por ai është në të njëjtën kohë imponues, egocentrik, i paskrupullt dhe impulsiv. Pra zotëron tipare të ndryshme të një personaliteti antisocial.

Në dallim nga psikiatrit e tjerë që pas tij e studiuan psikopatinë kryesisht në burgje, duke kontribuar në lidhjen e saj me sjelljen kriminale dhe të dhunshme si në opinionin publik po ashtu edhe në qasjen akademike, Kleklej nxori shumicën e të dhënave nga vëzhgimi i pacientëve të shtruar në spitalet psikiatrike.

Atje ai takoi njerëz që ishin të aftë të fshihnin dhe kontrollonin aspektet më të këqija të personalitetit dhe sjelljes së tyre. Ai shtroi hipotezën se kjo aftësi ishte gjithashtu e përhapur në shoqëri dhe në kontekste të ndryshme prestigjioze profesionale.

Për shembull përshkroi profilin e një biznesmeni psikopat që punonte shumë, dhe jeta e të cilit dukej krejtësisht normale, me përjashtim të tradhtive të vazhdueshme martesore, pandjeshmërisë ndaj njerëzve të tjerë, të qënit i paskrupull dhe varësisë nga alkooli.

Punës së Kleklej i bëri jehonë në vitet 1970 psikologu kanadez Robert Heir, krijuesi i PCL-R, Lista e Kontrollit të Psikopatisë, një test për të diagnostikuar psikopatinë përmes rezultatit të marrë nga vlerësimi i 20 elementeve të karakterit të një personi. Ai e lidhi individin psikopat me sjellje antisociale dhe tipare specifike të personalitetit si përbuzja për të drejtat dhe ndjenjat e njerëzve të tjerë dhe paaftësia për të ndjerë dhembshuri dhe pendesë.

Sipas qasjes më të zakonshme, psikopatia është një grup tiparesh të ndryshme të personalitetit që ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Në modelin tradicional, 2 tiparet themelore janë mungesa e kontrollit të impulseve dhe poshtërsia, pra kërkimi agresiv i burimeve pa asnjë respekt për njerëzit e tjerë.

Ndërkohë sot studiuesit i shtojnë një faktor të tretë: guximin. Një person i guximshëm nuk është domosdoshmërisht psikopat. Por një person me nivele të larta guximi, poshtërsie dhe mos-frenimi të impulseve mund të jetë në gjendje të përdorë sigurinë e tij sociale për të fshehur tiparet e tjera më ekstreme të personalitetit dhe të shkëlqejë në pozicione drejtuese./ Përkthyer dhe përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga