web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

75 vite teatër në Korçë/ Një skenë që rrezaton histori dhe krijimtari

23 Qershor 2025, 14:21, Kulturë CNA

75 vite teatër në Korçë/ Një skenë që

Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë feston 75 vite nga themelimi, një përvjetor që përmbledh historinë, krijimtarinë dhe pasionin e disa brezave artistësh që i dhanë jetë këtij institucioni, ndër më të dashurit në jetën kulturore shqiptare.

Ky teatër është kthyer në një simbol të qytetit dhe më gjerë, duke sjellë vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj, që kanë formuar dhe kultivuar një publik të palodhur ndaj artit skenik.

Zamira Kita, aktore dhe drejtoreshë e teatrit të Korçës, tregon se ky institucion ka kaluar një rrugë të bukur, por sfiduese ndër vite. Ajo thekson kontributin e jashtëzakonshëm të themeluesve dhe artistëve që i dhanë formë teatrit në dekadat e para.

75 vite teatër në Korçë/ Një skenë që

Përmend emra të mëdhenj të skenës si Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Thimi Filipi, Dhimitër Orgocka, figura që e kanë ngritur këtë teatër në nivel kombëtar. Kita nënvizon se edhe sot, me një trupë të re e të talentuar, teatri vijon të krijojë vepra me vlerë, duke ruajtur balancën mes dramës shqiptare dhe asaj botërore.

 

"Teatri i Korçës ka ecur në një rrugë shumë të gjatë, shumë të bukur, por edhe të vështirë. Këtë rrugë sigurisht nuk e kemi krijuar ne, por të parët e teatrit, që e krijuan, që i dhanë formën e vërtetë e që kontribuan në teatër. Nëse do të ndalemi tek emrat janë shumë, një listë e gjatë, një pjesë e tyre na mungojnë sepse nuk i kemi më, një pjesë janë ende aktivë, në moshë me përvojë dhe nëse do t'i kujtoja, do filloja me të madhin Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Thimi Filipi, Vangjel Grabocka, Dhimitër Orgocka. Edhe në brezin më të ri kemi humbur shumë artistë, na kanë krijuar dhimbje, si Llazi Sërbo, Marko Bitraku, së fundmi humbëm Dhimitër Orgockën. Në këtë 75-vjetor mund të them që ne e kemi mbajtur lart emrin e teatrit të Korçës. Jemi përpjekur të krijojmë vepra të mira, të autorëve të huaj, por edhe shqiptarë, sepse pa dramën shqipe nuk ka teatër. Teatri i Korçës sot ka një trupë të mirë, me shumë aktorë të rinj që kontribuojnë me të njëjtin pasion e talent. Rroftë teatri", tha aktorja Kita.

 

Në thelb të punës së përditshme qëndron përkushtimi për t’i dhënë publikut një art të gjallë, ku dashuria për skenën trashëgohet brez pas brezi. Ndriçim Xhepa, një prej aktorëve më të njohur shqiptarë, thotë se Korça si qytet me identitet të thellë kulturor, nuk mund të mos kishte një teatër të një niveli të tillë.

75 vite teatër në Korçë/ Një skenë që

Ai vlerëson faktin që ky institucion ka prodhuar brez pas brezi aktorë me individualitete të forta dhe ka qenë gjithmonë një vatër e gjallë artistike, falë edhe punës së regjisorëve të njohur që kanë kontribuar ndër vite si Sokrat Mio dhe Piro Mani.

 

"Një qytet si Korça, qytet i kulturës s'ka se si të mos përcillte nëpërmjet gjithë kësaj periudhe të pafundme kohore një teatër cilësor. Teatri është esenca, lëngu e vlera e qytetit prandaj edhe sot festojmë një 75-vjetor i këtij teatri që realisht ka prodhuar gjeneratë të tërë aktorësh. Mbi të gjitha, më e rëndësishmja e më e bukura është që ka një brez aktorësh me individualitete shumë të veçanta nga njëri-tjetri. Këtu kanë punuar regjisorë me emër, Sokrat Mio, Piro Mani, prandaj dhe vazhdon vlera e këtij teatri. Edhe sot e kësaj dite që flasim, është një nga trupat që ka prodhimtari të vazhdueshme si pasojë e ndjekjes së kësaj përvoje", u shpreh Ndriçim Xhepa.

 

Në këtë përvjetor, teatri i Korçës jo vetëm kujton me nderim të kaluarën, por edhe dëshmon për vazhdimësinë e vlerave të tij. Trupa aktuale, përbërë nga aktorë të rinj, dëshmon se fryma krijuese është ende e gjallë dhe e gatshme për të sjellë emocione të reja në skenë. 75 vite histori, 75 vite pasion për artin skenik.

Teatri i Korçës vijon të jetojë me publikun e tij dhe për publikun, si një ndër institucionet më të qëndrueshme të kulturës shqiptare./ CNA





09:17 Kulturë Agim Xhafka

FUSTANI

Kur i thashë Cales se ditën e dasmës sime dhe unë vesha fu...

15:50 Kulturë

150 vjet Thomas Mann

Bota e letërsisë është e një mendimi: Jeta dhe të shkruari...

Lajmet e fundit nga