web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

FUSTANI

8 Qershor 2025, 09:17, Kulturë Agim Xhafka

FUSTANI

Kur i thashë Cales se ditën e dasmës sime dhe unë vesha fustan, më vuri dorën në ballë. Sipas tij po flisja përçart. Nuk ia zgjata se hiç nuk do të besonte. Por ja që e vërteta ashtu qe. Unë dhëndëri vesha fustan atë ditë. Dhe jo një, por disa. E dukesha...hahaha, yll thoshte mamaja ime e ndjerë. Ja si ndodhi.

Me gruan time te vetme jam njohur në fakultet. Qysh në vit të parë u lidhëm, u dashuruam, u fejuam. Pastaj kaluam katër vjet not në mjaltë. Sa mbaruam studimet menduam të bëjmë dasmën. Po s’qe e thënë. Kur erdhën emërimet mua më caktuan mësues në zonën e Korçës, gruan time të ardhshme në qytetin e Lezhës. Nga që atje ia kishin transferuar të atin.

Kështu na u rrënuan ëndërrat. Por duhej të martoheshim që ministria të na bashkonte të dy në të njëjtën zonë. Ramë dakort, nusja andej e ne këndej ia nisëm përgatitjeve. Me miq dhe shokë ia dolëm të prenotonim lokalin “Dinamo”, një pijetore që mbasdite mbushej me shoferët e parkut kur ktheheshin nga puna.

Më pas, nga që babai kishte punuar te “Birra Korça”, ia gjeti që nga katër arka me birra që ishte norma për çdo dasmë të hiqte mënjanë gjashtë. Quhej fitore e madhe, garanci që martesa do ishte flakë, gaz e hare. Vëllai nga Pogradeci premtoi për ca shishe raki “Moskat” apo “Perla”, sot nuk e mbaj mend.

Mishin e gjetëm me autorizimin që na dha këshilli i lagjes pasi çuam vërtetimin se më 15 korrik do martohej Agimi, i biri i Alajdinit, me Natashën të bijën e Kristos. Qemë si triumfatorë nga që punët po na ecnin mbroth.

Në qiellin e shtatë fluturoja, thuhet. Ia tregoja te posta dhe gruas sime të ardhshme kur shkoja t’i telefonoja. Për përgatitjet e saj nuk e pyesja nga që i ati i punonte në komitet dhe i kopsiste gjërat shpejt e shpejt. Ditët iknin, dasma po vinte dhe na ra bomba tre ditë para:

-E keni marrë fustanin ore? I bukur është? -  më pyeti Tasha në telefon.

Ngela ca çaste. Nuk po kuptoja cilin fustan.

-Se fustanin e nuses e sjell dhëndëri, kështu është tradita, -më qartësoi ajo.

Vrap në shtëpi. Ia plasa mamasë.

-Qyqja, harruam kryesoren, -tha ajo e mbathi shapkat, fluturoi.

Nuk di se ku, por pas një ore erdhi me tezen dhe me disa fustanë nusesh. Ajo i mbante, motra e saj kishte hedhur mbi llërë bishtat e gjatë. Nisi muhabeti, ky yll, ky më i bukur, ky është pe Amerike, ky tjetri nga Italia, ai tej nga Greqia.

Në fakt qenë të bukur. Më krijuan emocion se fustani i nuses është vetë nusja bije fjala, vetë dasma, simboli i një dite kaq të veçantë sa shumica e njerëzve e përjetojnë veç një herë. Ramë dakort për atë italianin. Qe i bardhë, por brenda mbante pak ngjyrë të kaltër, sikur qe qepur për të fluturuar mes reve.

-Hiqeni mënjanë dhe paloseni mirë që nesër kur Gimi të ikë në Lezhë të mos e zhubrosë në taksi, - tha babai.

Pas këtyre fjalëve erdha në vete. Ua, erdhi dita, nesër do ikja me xhaxhain ta merrja zemrën e shpirtin tim e ta sillja drejt e te lokali “Dinamo”. Më nisi kraharori tik-tak të shpejtë. Nga që më kishte marrë dhe malli se u bënë dy muaj pa u takuar. Pa u parë ndër sy e pa u...Mëandërpreu ëndërrën tezja:

-Moj gra, po a i bën Tashës ky fustan? Mos e ka të ngushtë, apo të gjerë?

Mamaja kapi faqet dhe gati i dolën sytë vendit. Heshtja na mbërtheu. Por si gjithnjë unë si unë. Rrëmbeva fustanin, hyra vrik të dhoma e prindërve. U xhvesha në brekë pa kanatjere dhe fap u kredha brenda fustanit.

Më mirë rrëshqita brenda bardhësisë. E u pashë te pasqyra e garderobës. Një çun elegant që po të kisha vënë të kuq në buzë e diçka në gjoks do më suleshin djelmuria e lagjes. Ashtu gjithë pordhë dola dhe...

-Ua, ua, ua! Sa fustan i bukur, -thanë të gjithë.

-Ti je budalla, -qeshi mamaja.

Motra serioze e vulosi:

-I bën nuses fustani. Gimi dhe Tasha një trup kanë.

Të nesërmen mëngjesi më gjeti matanë Pogradecit. E nga mbasditja arritëm në Lezhë. Sa u afruam te pallati ia krisi orkestra. Lashë xhaxhain para e pas tij ecja me fustanin ndër duar. Sa hymë ia lashë Tashës dhe bisedë me vjehrrin se vjehrra qe te dhoma ku provohej fustani. Pas ca minutash doli nusja e vërtetë.

E gjatë, e bukur, elegante, mbështjellë nga një bardhësi ndriçuese dhe mes një lumturie që i rridhte nga sytë, nga buzët, nga fjalët. Deri në agim orkestra nuk pushoi. Unë shihja nusen dhe ndjeja se po më binte të fikët nga padurimi.

Pritja deri nesër qenka torturë. Po rrugë të mesme nuk kisha. Hyra në rrjedhën e zakoneve, të traditës.

Pas ca ditësh shkuam në Pogradec për muaj mjalti. Aty i thashë:

-Fustanin e nusërisë e provova unë i pari, se një trup kemi, shpirt.

Ajo qeshi:

-E di. Dhe një zemër kemi, -më tha.

Dhe më puthi. Se ato mote me puç puç na shkonte dita. Edhe nata./ CNA





15:50 Kulturë

150 vjet Thomas Mann

Bota e letërsisë është e një mendimi: Jeta dhe të shkruari...

Lajmet e fundit nga