LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tuneli i errët i modelit ekonomik

11 Shkurt 2024, 14:20, Ekonomi CNA

Tuneli i errët i modelit ekonomik

Gjatë tri dekadave të tranzicionit, Shqipëria nuk i ka shfrytëzuar me maturi potencialet njerëzore dhe natyrore, për të rritur mirëqenien dhe tani i ka këmbët e lidhura, për ta drejtuar vendin drejt një modeli ekonomik të qëndrueshëm.

Së pari, tkurrja e shpejtë e popullsisë, sidomos grupeve të reja me aftësi, kufizon deri në pamundësi zhvillimin e degëve inovative që mund të sjellin më shumë të ardhura.

Nga viti 2011 deri në vitin 2022, sipas të dhënave të INSTAT, janë larguar nga vendi 250 mijë persona, ku mbi 80% përfaqësojnë grupet e reja në moshë, deri në 29 vjeç. Paralelisht me tkurrjen e popullsisë, ka një rënie të fortë të aftësive dhe cilësisë arsimore.

Testi ndërkombëtar i njohurive PISA tregoi se Shqipëria ka bërë dy dekada pas në sektorin e arsimit, sipas testimit të kryer në vitin 2022 me nxënësit 15-vjeçarë. Në matematikë, ata morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012, rënia ishte e ngjashme edhe në literaturë. Këto rezultate tregojnë se të rinjve shqiptarë u mungojnë njohuritë elementare.

Së dyti, përqendrimi i lartë i rritjes ekonomike drejt sektorëve pa produktivitet të tillë si ndërtimi dhe aktivitetet që lidhen me të rrisin pesimizmin për perspektivën, në një kohë që vendi ynë ka plot burime natyrore (minerale dhe energji) të pashfrytëzuara dhe ka klimë konkurruese për turizmin dhe bujqësinë.

Pasojat po shihen tani, kur pas tri dekadash tranzicion, ekonomia po rrit varësinë nga sektori i ndërtimit, i cili nga mënyra se si po zhvillohet, po rrit pabarazinë dhe po demotivon krijimin e familjeve të reja në qendrat kryesore urbane.

Në vitin 2022, sektori i ndërtimit dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme zunë 17.5% të vlerës së shtuar, me një rritje sistematike nga viti 2019. Rritja e ekonomike në 2023 pritet të arrijë 3.5 %, me kontributin kryesor te ndërtimi 0.7 pikë % dhe shërbimet, me 2.6 pikë %, teksa kontributi i bujqësisë dhe Industrisë do të jetë negativ.

Përqendrimi i burimeve të rritjes në disa sektorë, kryesisht te ndërtimi, e ka bërë joelastike shpërndarjen e mirëqenies te shtresat në nevojë. Midis vitit 2002 dhe 2008, në vendin tonë, rritja ekonomike prej 1% të PBB-së u shoqërua me ulje të varfërisë me 1.2%, sipas kalkulimeve të Bankës Botërore.

Pas vitit 2014, elasticiteti i rritjes u përkeqësua. Një rritje prej 1% e PBB-së rezultoi vetëm në një ulje të varfërisë prej 0.8%, përllogaritën ekonomistët e BB-së.

Ngurtësia e shpërndarjes së rritjes ekonomike u vu re qartë gjatë vitit pandemik, ku Shqipëria kishte rënien më të ulët të ekonomisë me -3.4%, pas Serbisë, por, nga ana tjetër, numri i personave të varfër u rrit më shumë se në çdo vend tjetër. Aktualisht, Shqipëria ka një të katërtën e popullsisë në varfëri relative (6.7 USD në ditë).

Një grup ekspertësh nga institucione financiare ndërkombëtare dhe nga vendi vunë në dukje sfidat e modelit ekonomik të Shqipërisë dhe dhanë sugjerime për “Monitor” se si ekonomia të zhvillojë një model të shëndetshëm rritje, i cili duhet të bazohet në investime të kapitali njerëzor dhe në arsim.

Emanuel Salinas, Menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, mendon se kapitali njerëzor është zemra e trajektores së zhvillimit të vendit dhe aftësisë së tij për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe përafrimit të standardeve të të ardhurave dhe jetesës me mesataren e Bashkimit Europian.

Për ta thënë thjesht, Shqipëria nuk mund të bëhet një vend i fortë, i avancuar dhe me të ardhura më të larta, pa angazhuar një kapital njerëzor po aq të fortë dhe produktiv. Sipas tij, popullsia shqiptare mund të rrisë me 40% produktivitetin e vet gjatë gjithë jetës, nëpërmjet përmirësimeve në shëndetësi dhe arsim.

Të njëjtin vizion ka edhe Anke Weber, shefe e misionit në Shqipëri e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila e vlerësoi kapitalin human si themelin e zhvillimit të qëndrueshëm. “Përshpejtimi i emigrimit të fuqisë punëtore shqiptare do të përkeqësonte sfidën e tregut të shtrënguar të punës, duke penguar rritjen e produktivitetit.

Është i nevojshëm zbatimi vendimtar i politikave për zhvillimin dhe ruajtjen e kapitalit njerëzor, çka do të nxiste rritjen e mundshme dhe do të përmirësonte standardet e jetesës”, – tha Weber. Plakja e popullsisë dhe emigrimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore përfaqësojnë dy nga burimet kryesore të shqetësimit në perspektivën afatmesme.

Znj. Ekaterina Solovova, kreu për Shqipërinë i BERZH, vë në dukje se rritja e niveleve të migracionit të të rinjve, e kombinuar me plakjen e popullsisë, pritet të thellojë krizën demografike. Ajo shton se frenimi i emigracionit duhet të jetë një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale, nëpërmjet tërheqjes së më shumë Investimeve të Huaja Direkte në sektorë prodhues dhe shërbimesh me punë më produktive dhe me pagë më të mirë.

Ndërsa ekspertët vendas, përveç burimeve njerëzore, e konsiderojnë të rrezikshme zhvendosjen e ekonomisë nga prodhimi te shërbimet. Gjatë vitit 2023 u vu re një prirje e fortë e tkurrjes së sektorit të industrisë dhe prodhimit për shkak të forcimit të monedhës vendase dhe rritjes së kostove të brendshme.

Në anën tjetër, turizmi nxiti më tej industrinë e shërbimeve. Por për ekonomistin Panajot Soko, ekonomia shqiptare duhet të bazohet te prodhimi shqiptar.

Tregu i prodhimeve është i qëndrueshëm, me normë shumë të lartë vlerësimi, ndërsa tregu i shërbimeve, edhe për shkak të avancimit teknologjik e shoqëror është i paqëndrueshëm, me norma shumë të larta zhvlerësimi.

Për shembull, rasti i shërbimeve postare, apo i shërbimit telefonik. Sot, për shkak të internetit, të dyja këto industri janë reduktuar në maksimum dhe telefonia shumë shpejt do të vdesë si shërbim. Miliardat e investuara në interkonjeksion valor në të gjithë botën do të vijë një moment që do të shuhen.

Sepse shërbimet me natyrë konsumi janë të tilla. Kufizimet gjatë pandemisë në vitin 2020 treguan se vendet e varura nga turizmi pësuan rënie të fortë ekonomike në krahasim me vendet që kishin prodhimin degë kryesore.

Pasojat e rikthimit te ndërtimi

Ndërtimi është kthyer në motorin e rritjes ekonomike vitet e fundit. Në vitin 2022, sektori kontribuoi me 11.1 pikë % të vlerës së shtuar nga 9.4 pikë % që kontribuoi në vitin 2019. Ky kontribut u rrit më tej në vitin 2023, referojnë të dhënat jopërfundimtare.

Në vitin 2021, gati një e katërta e sipërmarrjeve në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, ishin nga ndërtimi ose të lidhura me të, më shumë se çdo sektor tjetër. Por e gjithë kjo rritje nuk është përkthyer në punësim dhe të ardhura më të larta.

Të dhënat e INSTAT referojnë se sektori i ndërtimit u rrit me 20.6% gjatë vitit 2022, por kontributi në punësimin total u ul në 7.6%, nga 8.1% që ishte në vitin 2021.

Pjesa e madhe e proceseve të punës në sektor bazohen në krahun e punës, por zgjerimi i sektorit nuk ka ndikuar as në punësimin dhe as në të ardhurat buxhetore.

Sektori i ndërtimit vuan nga informaliteti i lartë, i cili duket se është rritur më tej vitin e kaluar. Studimet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) vlerësojnë se ndërtimi është sektori me informalitetin më të lartë nga sektorët jobujqësorë, me rreth 60%.

Aktualisht, Shqipëria është vendi më i varfër i Europës dhe ka ekspozimin më të lartë të sektorit të ndërtimit në kontinent. Sipas Eurostat, në vitin 2022, ndërtimi kontribuoi me 11.2% të vlerës së shtuar bruto, ndërsa në BE, ky sektor kontribuoi me 5.5%.

Pas Shqipërisë, ndërtimi ka peshë të lartë në ekonominë e Kosovës, me rreth 10% të vlerës së shtuar, kjo për shkak se shumë kompani ndërtimi nga Shqipëria po ndërtojnë në Kosovë.

Përqendrimi i ndërtimit në banesa, sidomos në Tiranë dhe bregdet, që shpesh nuk justifikohet nga burimet e ligjshme, ka përkeqësuar treguesit demografikë të kryeqytetit. Një anketë e madhe për emigracionin, që u zhvillua në vitin 2019 zbuloi se, gjatë 2011-2019, mbi 10% e familjeve në kryeqytet ishin larguar në emigracion, niveli më i lartë i të gjitha qarqeve.

Kryeqyteti, që më parë ishte qendër graviteti për të rinjtë me aftësi të qarqeve të tjera, e ka humbur këtë rol. Çmimet e larta të apartamenteve edhe në zonat periferike dekurajojnë të rinjtë të krijojnë familje në Tiranë dhe në vend të kësaj, përgatiten të emigrojnë.

Popullsia e kryeqytetit u shtua me vetëm 5757 persona më 2022, stoku më i ulët që nga fillimi i tranzicionit. Që nga viti 2011 deri në 2016, popullsia e Tiranës u shtua me 16-17 mijë banorë të rinj në vit, por ky fluks nisi rënien pas vitit 2015, prej rikthimit në nivele të larta të emigracionit të familjeve dhe maturimit të lëvizjeve të brendshme.

Ndërkohë që rritja e popullsisë në Tiranë ka ulur ritmet, sipërfaqet e ndërtimit dhe çmimet janë rritur gjithashtu. Të dhënat zyrtare referojnë se nga viti 2019 deri në fund të 9-mujorit 2023 janë lëshuar leje ndërtimi për një sipërfaqe të re mbi 5,7 milionë metra katrorë vetëm në Tiranë, me rritje 400% krahasuar me 2015-2018.

Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura në 6-mujorin e parë 2023 është rritur me 11.6% në krahasim me 6-mujorin e mëparshëm. Në vitin 2022, çmimet e banesave u rritën me mbi 17%, me ritme tre herë më të larta se mesatarja historike.

Stoku i ri i banesave po shërben më shumë si një mënyrë investimi për paratë me burime të pakonfirmuara se sa për nevojat që realisht ka ekonomia e vendit. Investimet në kulla të larta në qendër të kryeqytetit, përveçse po krijojnë ndotje në mjedis dhe vështirësi në qarkullim, nuk i shërbejnë ekonomisë.

Në shkallë kombëtare, numri i bizneseve me mbi 50 të punësuar shënoi rënie me 3.8% nga viti 2018 në vitin 2021, teksa në Tiranë, kjo kategori shënoi rritje vetëm me 1.3%. Ndërmarrjet e mëdha në Shqipëri janë me produktivitet të ulët dhe të përqendruara në sektorin fason dhe industrinë e përpunimit, që kërkon punonjës me aftësi të ulët dhe përdor kapanone në periferi.

Ish-zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, thotë se, burimet e rritjes ekonomike janë përqendruar në sektorë me ndikim afatshkurtër, për shkak të limiteve natyrore të zhvillimit dhe rritjes së tyre, si dhe të efektit “one-time” ose “vetëm njëherë” që ka sektori i ndërtimit të banesave në rritjen ekonomike. Ndërtimi i banesave nuk kontribuon në rritjen afatgjatë ekonomike dhe të produktivitetit, siç ndodh me investimet në infrastrukturë, industri, bujqësi, tha ai.

Për ekonomistin Panajot Soko, problemi më i madh është fakti që ekonomia shqiptare duket se tashmë e ka bërë pjesë jetike të saj paranë informale dhe efektet e saj. Pa paranë informale, ekonomia shqiptare sot do të pësonte kolaps.

“Imagjinoni një skenar ku ndërpriten eurot që vijnë nga informaliteti në një ditë. Me eksportet e sakatuara dhe me një nevojë të lartë për mallra konsumi, kursi i këmbimit do të fluturonte dhe 1 Euro do të shitej me 130 Lekë apo 140 Lekë, aq sa ishte përpara revanshit të parasë informale të vitit 2016 e këtej.

Konsumi bie, bankat bien, Leku më pas nuk ndalon dot me zhvlerësimin, pastaj recesioni dhe në fund deflacioni”, – paralajmëron ai.

Tuneli i errët i modelit ekonomik

Zhvendosja nga prodhimi te shërbimet

Vitin e kaluar, ekonomia përshpejtoi zhvendosjen nga sektori i prodhimit te shërbimet. Rënia e Euros, rritja e pagës minimale, kërkesa e dobët nga jashtë po çojnë në faliment shumë fabrika, teksa ekonomia jonë po rrit varësinë nga importet.

Në tremujorin e tretë 2023, industria shënoi rënie me 8.2%, më e madhja nga viti 2020, kur e gjithë bota u bllokua nga pandemia Covid-19. Nga ana tjetër, u vu re një rritje e sektorit të shërbimeve për shkak të fluksit të lartë të turistëve.

Ekonomia e vendit pritet të rritet me 3.5% më 2023 dhe 2.6 pikë % do të kontribuojë sektori i shërbimeve, për shkak të zhvillimeve pozitive në turizëm, sipas Ministrisë së Financave. Por ekspertë të ekonomisë dhe bizneset mendojnë se orientimi i ekonomisë nga prodhimi te shërbimet nuk është një hap i sigurt dhe i qëndrueshëm.

“Sot ne kemi një zhvendosje të ‘vëmendjes financiare’ drejt industrisë së shërbimit, por besoj se kjo nuk do të jetë një premisë e qëndrueshme për ta përcaktuar këtë të fundit si një kolonë zëvendësuese të përhershme”, thotë eksperti Panajot Soko.

Ideja është që industria e shërbimeve me natyrë konsumi, ku përfshihen shërbimet e hotelerisë, turizmi, argëtimi etj., janë shumë të lidhura dhe kërkojnë flukse të vazhdueshme njerëzish. Sot që flasim, duket se Shqipëria po kalon nëpër një fazë ekonomike që quhet “zbulim”.

“Do të vijë një ditë kur Shqipëria nuk do të jetë më ky vendi që duhet zbuluar.

Dhe në atë moment, të zhveshur nga ky avantazh konkurrues që ne kemi sot karshi konkurrentëve tanë ekonomikë, a kemi ne avantazhe të tjera konkurruese apo krahasuese, që do të mund të na mbajnë numrat e lartë?

A kemi ne infrastrukturë më të mirë se vendet që konkurrojmë? A kemi ne cilësi më të mirë se vendet që konkurrojmë?” – ngre shqetësimin z. Soko.

Për këtë na shërben shembulli i Italisë, e cila për shumë kohë ka qenë një lidere në industritë e shërbimeve me bazë konsumi, por sot po bën çfarë është e mundur të orientohet drejt prodhimit dhe të shkëputet sa më shumë nga varësia që ka nga ajo industri, sepse shërbimet nuk arrijnë më të përmbushin nevojat e ekonomisë.

Dhe raste të tilla ka pa fund. Industria e shërbimeve me natyrë konsumi konsiderohet më shumë si një diversifikues në ekonomi, sesa një kolonë parësore, pikërisht për shkak të paqëndrueshmërisë.

INSTAT raportoi se në vitin 2022, numri i bizneseve që kanë aktivitet kryesor akomodimin ka ardhur në rritje, me zgjerim vjetor 23%. Të dhëna zyrtare po nga INSTAT treguan se hotelet dhe restorantet kontribuuan në 5.3% të totalit të punësimit me pagesë në rang vendi, me të njëjtën peshë si më 2021.

Zhvillimet pozitive në turizëm nuk ndikuan në shkallën e përgjithshme të papunësisë, sidomos te të rinjtë. Në tremujorin e tretë të 2023, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç arriti në 22,0%, me rritje vjetore 1,6 pikë %.

Në kahun tjetër, industria është në një situatë të vështirë, teksa po humb avantazhin e krahut të lirë të fuqisë punëtore dhe po goditet nga zhvlerësimi i euros. Ekspertët dhe bizneset e sektorit lajmërojnë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e “Made in Albania”.

Zhvendosja e ekonomisë nga prodhimi tek importi do t’i sjellë vendit pasoja negative afatgjata, thotë kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, i cili gjithashtu operon në sektorin e agro-përpunimit.

Ai thotë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e produkteve “Made in Albania”.

Inovacioni dhe industria financiare, kontributi ne ekonomi me ulje

Që ekonomia të rrisë vlerës e punës, vendi duhet të orientohet nga sektorët me vlerë të lartë si inovacioni dhe shërbimet financiare.

Sipas Eurostat, në vitin 2022, sektori i informacionit dhe komunikimit në Shqipëri kontribuoi në 3.4% të vlerës së shtuar bruto, nga 3.5% në vitet 2020 dhe 2021, gjithashtu aktivitetet financiare dhe të sigurimit kontribuuan në 2.3% të vlerës së shtuar bruto nga 2.4% që ishte në dy vitet e mëparshme.

Në Europë, pesha e këtyre shërbimeve është më e lartë. Sipas Eurostat, në vitin 2022, informacioni dhe komunikimi kontribuoi me 5.4% të vlerës së shtuar bruto dhe aktivitetet financiare, me 4,4%.

Perspektiva e vendit tonë për t’u zhvilluar në këta sektorë është e kufizuar. Në sistemin parauniversitar, lënda e Teknologjisë së Informacionit jepet nga mësues pa kualifikim  dhe shkollat nuk janë të pajisura me teknologji dhe internet.

Teksa ekonomia e vendit në këto 30 vite tranzicioni është rritur nga viti në vit, përfitimet nga rritja nuk po reflektohen te kapitali human, sidomos te të rinjtë.

Pas emigracionit të lartë të viteve, zhvillimet e brendshme në sistemin arsimor dhe tregun e punës për të rinjtë tregojnë përkeqësim.

Një botim i fundit i INSTAT mbi mirëqenien e adoleshentëve tregoi se në vitin 2021, gati 32% e 20-vjeçarëve nuk ishin në shkollë dhe as në punë. Gati një e treta e grupmoshës 20-24 vjeç nuk bën asgjë për formimin profesional, qoftë nga arsimi, qoftë nga tregu i punës.

Bujqësia pa produktivitet, po rrit sërish peshën në ekonomi

Bujqësia është sektori më i madh në vend si në PBB dhe në punësim, por ndërkohë importet e ushqimeve në vend ishin 2.6 herë më të larta se eksportet më 2023, çka tregon strukturën “primitive të ekonomisë”.

Sipas Eurostat, bujqësia kontribuoi me 21.3% të vlerës së shtuar më 2022, me rritje nga viti 2021. Në vitin 2022, bujqësia kontribuoi me gati 34% të punësimit në vend, me rritje të lehtë nga 2021. Megjithëse gjatë 9-mujorit të vitit të kaluar ka rënë me 0.15%, bujqësia mbetet sektori më i madh i ekonomisë, por kontributi i saj në punësimin me pagë është gati i padukshëm.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, thotë se bujqësia shqiptare, edhe pse është sektori më i madh i ekonomisë, është zhvilluar nën potencial.

Z. Malaj tha se kërkesa në rritje për produkte bujqësore dhe blegtorale, aq më tepër që kemi rritje të gjeografisë dhe zgjatje të sezoneve turistike, orienton dobishmërinë e rritjes së mbështetjes së bujqësisë.

Nëse në vitin 2023 erdhën rreth 10 milionë turistë, rritet kërkesa për produktet ushqimore dhe për shërbimet plotësuese.

Efekti i projekteve infrastrukturore që do të përfundojnë brenda vitit 2024, bërja efektive e fondeve të BE-së dhe me prioritet i fondeve nga IPARD sa më parë gjatë vitit 2024, një burim i konsiderueshëm për të bërë biznesin shqiptar sa më konkurrues, tha z. Malaj.

Nëse bujqësia nuk lidhet me turizmin do të rikthejë jashtë për të blerë ushqime pjesën më të madhe të fondeve që vijnë nga turistët.

Por në vend që financimet buxhetore për bujqësinë të rriten, ato u ulën me 9% në buxhetin e këtij viti.

Të dhënat nga tabelat që shoqërojnë buxhetin 2024 tregojnë se shkurtimet më të mëdha janë në fondet akorduar fermerëve dhe zhvillimit rural. Masat mbështetëse të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural do të jenë 7,1 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë këtë vit, me ulje 28%, ose rreth 25 milionë euro.

Kjo ulje është një goditje e madhe, në një kohë që edhe Bashkimi i Europian ka bllokuar fondet nga skema IPARD, për shkak të aferave korruptive që ka gjetur me ndarjen e fondeve në vendin tonë./ Monitor.al

Tuneli i errët i modelit ekonomik

Tuneli i errët i modelit ekonomik

Tuneli i errët i modelit ekonomik

Tuneli i errët i modelit ekonomik

Tuneli i errët i modelit ekonomik

Lajmet e fundit nga