LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mundësi investimi, këtë muaj zhvillohet ankandi i ri i obligacioneve 15-vjeçare

5 Shkurt 2024, 07:27, Ekonomi CNA

Mundësi investimi, këtë muaj zhvillohet ankandi i ri i

Qeveria shqiptare do të zhvillojë në muajin shkurt ankandin e parë të obligacioneve me maturim 15-vjeçar për vitin 2024.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shuma e planifikuar e obligacioneve për t’u nxjerrë në shitje në ankandin e datës 26 shkurt do të jetë dy miliardë lekë.

Obligacionet 15-vjeçare janë titujt e borxhit më afatgjatë të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare dhe u emetuan për herë të parë në nëntor 2021.

Ankandi i ri obligacioneve 15-vjeçare mund të jetë një alternativë e mirë për investitorët që synojnë kthime të larta kundrejt investimeve financiare afatgjata, veçanërisht për investitorët institucionalë, si fondet e investimit dhe sidomos ato të pensioneve, që synojnë të rrisin kthimet afatgjata të portofoleve të tyre. Por, obligacionet 15-vjeçare mund të jenë një alternativë joshëse edhe për investitorët e vegjël, që sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2022 u treguan mjaft aktivë për të përfituar nga rritja e ndjeshme e yield-eve.

Prej tetorit të vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të ulë shumën minimale të pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve në 300 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që ishte më parë. Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve mund të bëhet nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.

Mundësi investimi, këtë muaj zhvillohet ankandi i ri i

Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese.

Sipas udhëzimit, shuma e ofruar e obligacioneve ndahet me 20% për kërkesat jokonkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese. Në rastin kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëhere mbi këtë shumë zbatohet pro rata (përpjestimi). Në rast se shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese.

Vitin e kaluar yield-et pësuan një korrektim të ndjeshëm në rënie sidomos në segmentin e bonove, çka bëri që edhe interesi i individëve për të investuar të ishte më i ulët. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se për vitin 2023 blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 37.5 miliardë lekë, në rënie me 24.5% krahasuar me vitin 2022.

Megjithatë, vlen të thuhet se për titujt e borxhit afatgjatë yield-et kanë filluar të shfaqin një tendencë të lehtë në rritje në pjesën e dytë të vitit të kaluar. Në ankandin e fundit të organizuar në tregun primar (ankand rihapjeje), në tetor të vitit të kaluar, obligacionet 15-vjeçare u shitën me një yield uniform të pranuar prej 7.98%./ Monitor.al

Lajmet e fundit nga