web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Si e pasuroi Erion Veliaj vëllain përmes kompanive në Austri

12 Dhjetor 2024, 11:46, Denoncim CNA
Si e pasuroi Erion Veliaj vëllain përmes kompanive në Austri
Arbër Veliaj dhe Erion Veliaj, foto ilustruese

CNA një ditë më parë zbuloi dy kompanitë e vëllait të Erion Veliajt, Arbër Veliaj, në Austri, “Gogel GmbH” dhe “Reg Investitions GmbH”.

Kompania e parë është një agjenci publicitare, e cila drejtohet nga Gjergji Xhoxhaj dhe kompania e dytë ka të njëjtën adresë me kompaninë “Gogel GmbH”.

Këto kompani kanë qarkulluar miliona euro.

“Plug” i ka shkuar më tej investigimit ku zbulon se Arbër Veliaj e bleu për vetëm 1 mijë euro kompaninë “Gogel”, e cila deklaronte një fitim 10 mijë euro.

Deri në vitin 2013, kur vëllai i Arbërit, Erioni, ishte ministër në qeverinë Rama, kompania “Gogel” deklaronte xhiro në vlerën 7.800.000 lekë dhe fitim 400.000 lekë. Në vitin 2014 kompania faturon rreth 24 milionë dhe fitim 750.000 lekë.

Në vitin 2015, Erion Veliaj merr Bashkinë e Tiranës, edhe i vëllai nis rritjen me mijëra euro të kompanisë "Gogel".

Për vitin 2015, kompania “Gogel” faturon 47 milionë dhe fitim prej 6.100.000, ndërsa vit pas viti fitimet e kompanisë kanë ardhur duke u rritur e duke kapur shifra qindra mijëra euro.

2016 - xhiro 68 milionë lekë dhe fitim 4.2 milionë lekë

2017 - xhiro 115 milionë lekë dhe fitim 9.2 milionë lekë

2018 - xhiro 328 milion lekë dhe fitim 41 milionë lekë

2019 - xhiro 321 milionë lekë dhe fitim 44 milionë lekë

2020 - xhiro 338 milionë lekë dhe fitim 52 milionë lekë

2021 - xhiro 301 milionë lekë dhe fitim 30 milionë lekë

2022 - xhiro 315 milionë lekë dhe fitim 24 milionë lekë

2023 - xhiro 807 milionë lekë dhe fitim 85 milionë lekë

Në vitin 2023 Arbër Veliaj themelon kompaninë "GOGEL HOLDING" dhe kalon aksionet e "GOGEL" në pronësi të kompanisë së re.

Po këtë vit Arbër Veliaj vendos të shpërndajë divident për herë të parë pas 12 vitesh në kompaninë "GOGEL" në vlerën 740.000 euro.

Nuk ka informacion të mjaftueshëm për "GOGEL HOLDING", por që në vitin e parë sipas bilancit deklaron një fitim në vlerën 1.65 milionë euro.

Erion dhe Arbër Veliaj në vitin 2016 do të denoncoheshin nga media dhe Partia Demokratike se kishin përdorur një “presta nome”, Gentian Skënderaj, për të themeluar kompaninë “EAG Communication”, që do të operonte në fushën e marketingut dhe reklamave. Sipas selisë blu, kjo kompani ishte kthyer në “grykëse” të fondeve publike. "EAG Communication", kishte marrë një tender në vlerën 349 milionë lekë për dekorimin e qytetit të Tiranës për vizitën e Papa Franceskut, tender i firmosur nga vetë Erion Veliaj. Gjithashtu "EAG Comunication" kishte marrë tenderë edhe Bashkia e Urës Vajgurore në atë kohë, që drejtohej nga daja i Erion Veliajt, Syrja Omeraj.

"Plug" hulumtoi edhe më tej. Në faqen e "Facebook"-ut të shtetasit Gentian Skënderaj për periudhën 2013-2014 shihet se bën "share" statuse të Erion Veliajt kur mbante detyrën si ministër i Mirëqenies Sociale. Pas denoncimit kompania "EAG" ndryshoi emrin në "EGGRA". Një tjetër fakt që provon se Erion dhe Arbër Veliaj ishin pas kësaj kompanie, është adresa e saj.

Në vitin 2014, kur kompania "EAG Comunication" themelohet, regjistron si adresë të saj rrugën “Ibrahim Rugova”, Pallati Përbri Plus, apartamenti 3/5.

Në të njëjtën adresë, sipas ekstraktit të QKB-së, rezultonte e regjistruar selia e kompanisë “GOGEL” e Arbër Veliajt.

Pra, "GOGEL" dhe "EAG", që kishin të njëjtin objekt aktiviteti, atë në fushën e rekamave, ndanin të njëjtën zyrë. Nëse dy kompanitë nuk do të kishin të njëjtin pronar, atëherë do të ishin konkurrentë e aq më pak të qëndronin në të njëjtën zyrë.

Ajo çka ngre dyshime është se në korrik të vitit 2022 kompania "EAG" (si sinkronim Erion-Arber-Gentian) shitet per vlerën qesharake 10.000 lekë te shtetasi Klodjan Jaupaj, edhe pse vlera kontabël e aksioneve ishte mbi 12.000.000 lekë. 1 muaj pasi u bë pronar i kompanisë ky shtetas pezullon aktivitetin e kompansë "EAG".

Sot Gentian Skënderaj është aksioner në 2 kompani, "Otium" dhe "Urbis", ku aksioner është edhe shtatasi Helidon Begaj, i cili deri në vitin 2021 ka mbajtur pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë Rrogozhinë. Helidon Begaj është pjesë e hetimit të dosjes së inceneratorëve pasi ka për të fituar mbi 700.000 euro pagesa në kompaninë e tij "ALBANO".

Një tjetër “rastësi” se si Gentian Skënderaj i dyshuar si presta nome i Veliajt dhe Helidon Begaj përfitues i parave të inceneratorit të Tiranës, bëhen bashkë në biznesin e pasurive të patundshme.

Për të gjitha këto fakte të publikuara nga "Plug" i mbetet SPAK-ut të bëjë veprime dhe hetime të mëtejshme./ CNA





Lajmet e fundit nga