web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sidnej Rajli, agjenti sekret që frymëzoi lindjen e personazhit të famshëm Xhejms Bond

8 Dhjetor 2022, 09:14, Blog CNA

Sidnej Rajli, agjenti sekret që frymëzoi lindjen e personazhit të

Më 5 nëntor 1925, një burrë i quajtur Sidnej Rajli u ekzekutua nga policia sekrete e Bashkimit Sovjetik. Por nuk ishte një ekzekutim i zakonshëm. Pasi Rajli ishte spiuni më i rëndësishëm i kohës së tij.

Ai kishte pas vetes një aktivitet të gjerë mbi 2 dekada, me dhjetëra apo ndoshta edhe qindra misione të përfunduara (me përfitues disa shtete), dhe kishte histori personale aq të ngatërruar, saqë historianët nuk kanë mundur që t'i deshifrojnë deri më sot.

Por kush ishte ky njeri misterioz? Informacionet mbi origjinën e tij nuk janë konfirmuar asnjëherë. Por disa biografë thonë se Sidnej Rajli lindi në Odesa (Rosenblum siç njihej në atë kohë në Perëndim) në marsin e vitit 1874, një qytet në Perandorinë Ruse, në familjen e një mjeku hebre.

Ai studioi për kimi në Vjenë gjatë viteve 1890-1893, përpara se të transferohej në Amerikën e Jugut, Brazil, ku shkoi me punë. Në Brazil, ai ra në kontakt me një grup eksploruesish britanikë, të cilët i shpëtoi nga një rrëmujë në xhunglën e Amazonës.

Në shenjë mirënjohje ata e ftuan të riun të shkonte me ta në Britaninë e Madhe, ku ai ra në kontakt me komunitetin e shërbimit sekret vendas për shkak të talentit të tij, por dhe faktit që zotëronte disa gjuhë të huaja. Ai mori emrin Sidnej Xhorxh Rajli në vitin 1899, kohë kur mori nënshtetësinë britanike pas martesës me një vejushë të re, trashëgimtare të një pasurie të konsiderueshme.

Sidnej Rajli, agjenti sekret që frymëzoi lindjen e personazhit të

Madje thuhet se Rajli ishte përfshirë edhe në vdekjen e burrit të parë të së resë. Misionet e tij të para të spiunazhit ishin në vendlindjen e tij në Rusi në vitin 1899, ku u dërgua nga shërbimet britanike që të mblidhte informacione mbi depozitat e naftës në Kaukaz.

Pas rikthimit në Britani me informacione shumë të vlefshme, Rajli mori një pozicion të përhershëm në shërbimet inteligjente të Marinës Britanike. Po ashtu ai spiunoi gjatë Luftës së Boerëve, dhe më pas u angazhua në Lindjen e Mesme (një rajon që kishte gjithashtu shumë interes për britanikët).

Dhe në vitin 1904, ai spiunoi për anglezët dhe japonezët gjatë Luftës Ruso-Japoneze. Gjatë Luftës Civile Ruse, Rajli shërbeu si sytë dhe veshët e inteligjencës britanike, ndërsa ishte i lidhur me Ushtrinë e Rusëve të Bardhë të gjeneralit Anton Denikin.

Në vitin 1909, Rajli u dërgua në Gjermani për të marrë informacione mbi zhvillimin ushtarak të Rajhut, i ngarkuar me mbledhjen e të dhënave për fabrikat gjermane të armëve. Sidnej Rajli ishte shumë aktiv edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, kur kreu me sukses dhjetëra misione, duke u infiltruar prapa linjave të armikut.

Rajli përshkruhej nga të afërmit e tij si njeri me shumë dhunti, me një vetëkontroll të shkëlqyer, që e shpëtoi në shumë situata delikate, me një guxim të jashtëzakonshëm dhe si një shpikës të veçantë. Ai ishte gjithashtu mjeshtër i maskimit dhe një aktor shumë i mirë, gjë që ndër vite i dha mundësi të depërtonte në shumë qarqe.

Sidnej Rajli, agjenti sekret që frymëzoi lindjen e personazhit të

Po ashtu ai kishte një besim të madh te vetja dhe fuqitë e tij, duke pranuar edhe misionet më të rrezikshme. Megjithatë, besnikëria e tij nuk ishte ndaj vendit, por vetëm ndaj vetes dhe llogarive të tij bankare, prandaj eprorët e tij nuk i besuan kurrë plotësisht.

Në fund të fundit, një spiun që është më i interesuar për para, është një objektiv i lehtë për t’u joshur nga kundërshtarët. Dhe në këtë aspekt Rajli nuk përbënte ndonjë përjashtim, pasi gjatë karrierës së tij ai spiunoi me sa duket për vende të ndryshme.

Gjithashtu, Sidnej Rajli kishte një pasion të jashtëzakonshëm për luksin dhe gratë. Thuhej se numri i të dashurave të tij ishte të paktën i barabartë me atë të pasaportave të tij. Nga fundi i Luftës së Parë Botërore, Rajli u rikthye në Rusi, me misionin për të gjetur një mënyrë për të përmbysur regjimin bolshevik.

Në këtë drejtim, ai komplotoi për të vrarë Leninin. Rajli arriti të rekrutonte 2 truproja të liderit bolshevik, të cilëve u dha ryshfet, por nuk arriti që të realizonte planin e tij. Kur Fani Kaplan qëlloi mbi Leninin në një atentat, dhe policia sekrete ruse nisi hetimet, ajo zbuloi gjithashtu dy burra që kishin marrë ryshfet nga Rajli.

Për këtë arsye ai u ekspozua dhe u dënua me vdekje, por në mungesë të tij, pasi arriti të largohej në kohë nga Rusia. Megjithatë, ai këmbënguli që të rikthehej në Rusi për të vazhduar misionin e tij dhe më në fund u kap në shkurtin e vitit 1925.

I arrestuar dhe i burgosur në selinë qendrore të policisë sekrete sovjetike, Lubianka, Rajli dyshohet se u përpoq sipas raporteve sovjetike që të shpëtonte jetën duke u ofruar rusëve që t’u zbulonte sekretet britanike dhe amerikane. Por ajo taktikë nuk funksionoi dhe Rajli u ekzekutua më 5 nëntor 1925 me urdhrin e drejtpërdrejtë të Stalinit.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga