web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kërkoi mbylljen e RTSH-së/ Osman Mula i përgjigjet Agron Shehajt

10 Prill 2025, 15:52, Aktualitet CNA

Kërkoi mbylljen e RTSH-së/ Osman Mula i përgjigjet Agron Shehajt

Regjisori i njohur Osman Mula i është përgjigjur kryetarit të partisë "Mundësia", Agron Shehaj në lidhje me deklaratën e tij ku kërkonte mbylljen e RTSH-së, pasi sipas tij nuk e ndjek askush dhe shpenzon 30 milionë euro në vit nga taksat e shqiptarëve.

Në përgjigjen e tij regjisori shkruan:

E lexova propozimin e z.Agron Shehaj mbi mbylljen e R.T.Sh.-së shqiptare dhe më shqetësoi ky propozimi që edhe në fushatë partie i bëhet thirrje se kujt s’e di që të mbyllet dhe siç duket më vonë të ndërtohen kulla a zoti e di. Ai R.T.Sh. të rriti mor zotni, aty i pe festivalet, koncertet e Vitit të Ri. Spektaklet, recitalet, dokumentarët për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë, heronjtë kombëtarë, figurat historike e me radhë.

Po, po aty ke parë dhe je frymëzuar me humorin e Leka Krutes apo Albert Verrise, aty ke shijuar këngët e jugut nga R. Osmeni, K.Thana dhe Meliha Doda, aty ke parë dokumentarët për piktorët vlonjatë si S. Kamberi me shokë apo dokumentarin për brilantin e fushës M. Haxhiu apo golat e të madhit V. Ruci. Me muzikën e Morikones shqiptar Kujtim Laro të incizuar me orkestrën simfonike në studion e Radio Tiranës që nesër në kinema do shihje filmin “Lulëkuqet mbi mure” me regji të të madhit Anagnosti, djaloshit nga bregdeti etj.

S’po vazhdoj se do të duhen net të gjata të të flas vetëm për çfarë është bërë për Vlorën se tri kate në R.T.Sh. janë të mbushura me arshive. E lodhët atë kolektiv, e frikësuat gjithë jetën presion, lloj-lloj deklaratash nga njerëz delirantë, që më mirë të japin mendime se si të investohet dhe të përmirësohet puna që ju politikanët të mos merrni në telefon dhe të mos e mbushni me punonjës partie, por me profesionistë, njerëz me vizione, platforma të reja që mbartin dhe japin kulturë.

Nuk mbahet buxheti i R.T.Sh.-së me investime shtetërore që ti mendon t’ia rikthesh popullit. Tani ky institucion mbahet me taksën 100 lekë që i merren një herë si taksë vjetore që paguhen bashkë me dritat dhe ujin.

PO, institucioni ka nevojë për rikonceptim dhe për reformë dhe jo për drejtorë partish që ndërrohet në krye të vitit për abuzime, por menaxherë të zotë që financat të shkojnë në destinacionin e duhur, krijuesit të bëjnë më të mirën në fashë orare, të prodhohet spektakli dhe filmi, që transmetimet sportive ndërkombëtare t’i kthehen R.T.Sh.-së se aty vjen dhe reklama pasi ky institucion ka një redaksi për sportin me gazetarë të zotë.

Të reduktohen një pjesë stacionesh që nuk janë produktive dhe s’prodhojnë asgjë. Gjithçka mund të rregullohet po të kesh vullnetin e mirë dhe të njohësh institucionin në brendësi, t’ua rritësh rrogat punonjësve dhe orkestrës se kanë diferenca të mëdha me stacionet e tjera. Këta punonjës ndërtuan dje stacionet e tjera falë eksperiencës së tyre dhe na takon të gjithëve qe e duam atë institucion të bëjmë maksimumin për të udhëhequr tregun.

Tani varietes së Tiranës iu vu dryni,  Teatri Kombëtar u prish në dy të natës. Cirku po, të gjitha kinematë ashtu dhe sallat e kulturës. Më mirë t’i shkurtoni rrogat në parlament se i keni nga 5 milionë lekë në muaj dhe mos u bini më qafë punonjësve të R.T.Sh.-së që marrin nga 4000 lekë në muaj. Flini të qetë në darkë zotërinj që mëngjesi të ju vijë me dritë, pa inate dhe mllefe se inati dhe mërzia të sjell shumë sëmundje.

Së fundi: kur pija kafe me kërcimtarin model dhe të përsëritshëm, Rexhep Celiku, pranë Operës më thoshte: ‘Ka 30 vjet që vij në ansambël me shqetësim. Jo po e mbyllin sot, jo po e mbyllin nesër dhe sa herë që shkoj te varri i nanës përkulem me respekt të madh para Xhep Celikut dhe Lili Cingut dhe së bashku me armatën e madhe të artistëve dokumentarët dhe premierat e tyre janë në R.T.SH.

Ky institucion ka nevojë për njerëz që e dashurojnë profesionin dhe televizionin dhe prodhojnë vlera. Kam besim të plotë se gjithçka mund të arrihet./ CNA





Lajmet e fundit nga