LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Denoncimi/ Qeveria investon 2 milionë euro për godinat, shkurton fondet për arsimin

1 Nëntor 2023, 11:42, Aktualitet CNA
Denoncimi/ Qeveria investon 2 milionë euro për godinat, shkurton
Foto ilustruese

Nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho, ka denoncuar se janë investuar 2 milionë euro për godinat e qeverisë.

Në deklaratën e saj për mediat, Xhixho u shpreh se gjithashtu janë shkurtuar fondet për investim në arsim.

Xhixho theksoi se arsimi nuk ka qenë kurrë një prioritet i kësaj qeverie dhe për këtë arsye sot ka 43% më pak studentë se në vitin 2011.

Po ashtu është ulur buxheti për arsimin, i cili nga 5% që duhet të ishte, është 2%.

Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos:

Qeveria tregoi edhe një herë paaftësi dhe klientelizëm me aktin e fundit normativ.  Për të disatën herë, në Kuvend vjen një akt normativ që injoron shtresat në nevojë, sepse është hartuar me urdhër të klientëve të qeverisë.

Prekja e sektorëve shumë delikatë nga njëra anë dhe fryrja me para e tenderave të ndërtimit dhe shpenzimeve operative për zyra luksi nga ana tjetër tregojnë që buxhetin e shtetit, kjo qeveri e konsideron kuletën e vet private, ku mund të fusë dorën sa herë të dojë, për të kënaqur orekset e atyre që do ajo.

Në fakt, 7.5 miliardë lekët shtesë në buxhet nuk janë rezultat i performancës pozitive në realizimin e të ardhurave tatimore, por burojnë nga rritja e të ardhurave të tatimit mbi fitimin, nga të ardhurat personale dhe sigurimet shoqërore. Thënë ndryshe, janë para që kanë dalë nga portofoli i biznesit vendas.

Me aktin e ri normativ, qeveria ka vendosur të injorojë mijëra familje të varfra që përballen me dyfishimin e çmimeve. Asnjë paketë mbështetëse për asnjë prej kategorive në nevojë.

Akti normativ i qeverisë « Rama » nuk parashikon rritje të pagave, por parashikon ulje të fondit të pensioneve, pasi prioritet për qeverinë mbetet rritja e fondeve operative për shpenzime luksi si dhe shpenzimet kapitale.

Ndërsa nuk ngurron të shkurtojë investimet në strehim, arsim dhe shëndetësi, qeveria ndan mënjanë 2 milionë euro për investimet në godinat e veta.

Dua të ndalem në mënyrë të veçantë te arsimi, sepse më mirë se kudo aty shihet se çfarë nuk i intereson kësaj qeverie.

Fondet për investimet në arsim janë shkurtuar me 8.5 milionë euro.

Qeveria e ka parë të udhës t’ua heqë fëmijëve tanë këto fonde, për t’i kaluar në luksin e zyrave të veta.

I keqfinancuar dhe me një buxhet sa gjysma e normës, arsimi goditet sërish.

Arsimi është sërish kurbani i kësaj qeverie që pedagogët, mësuesit dhe studentët e këtij vendi i ka injoruar dhe përbuzur sistematikisht vitet e fundit.

Njësoj si në mars të vitit të kaluar (fondet e arsimit u shkurtuan me 13 mln euro), kur Europa u kërcënua nga kriza e energjisë, qeveria “Rama” sakrifikon të parat fondet e arsimit.

Pasi u mori peng me ligj diplomat studentëve të mjekësisë, pasi detyroi një në tre maturantë të largohet nga vendi, pasi mashtroi mijëra të tjerë me bursat e degëve prioritare, qeveria e Ramës vendos t’u heqë edhe paratë e investimeve institucioneve arsimore të vendit.

Përtej propagandës bajate të qeverisë këto janë faktet kokëforta që dëshmojnë edhe një herë se arsimi nuk ka qenë kurrë prioritet i kësaj qeverie.

Fatkeqësisht, sot në universitetet e vendit ka 43% më pak studentë se në 2011. Projeksionet flasin për përgjysmim të këtij numri brenda dekadës.

Interesi për degët e arsimit ka rënë në 6% të totalit të studentëve, buxheti i arsimit është vetëm 2% e GDP, ndërkohë që duhej të ishte të paktën 5%, fondet për shkencën janë gati inekzistente, 0.084% e PBB ndërkohë standarti i BE është 1%PBB, po ashtu 94 programe studimi janë në rrezik mbylljeje.

Dhe ndërsa këto shifra ulërasin për krizën ku ndodhet arsimi shqiptar, qeveria  shton buxhetin e luksit të vet. Mbi 4 miliardë lekë do të paguajmë për kopshtin e Edenit në Kryeministri, afërsisht aq sa duhen për të trefishuar bonusin e bebes e për t’u ardhur në ndihmë familjeve që sjellin në jetë fëmijë.

Kjo qeveri e ka injoruar dhe keqpërdorur arsimin, i ka injoruar dhe përbuzur pedagogët, studentët, mësuesit e edukatorët.

Drama  e shpopullimit të vendit nuk luftohet as me pengmarrje diplomash, as me kërcënime të stafeve pedagogjike, por me përgjegjeshmëri, me vendimmarrje të guximshme, me politika të qenësishme për arsimin duke e bërë atë realisht prioritet kombëtar.

Këmbanat e alarmit kanë kohë që bien, por kjo qeveri nuk ka veshë për të dëgjuar dhe aspak vullnet për të reflektuar.

Sot më shumë se kurrë, ajo po rrezikon të rrënojë të ardhmen e të rinjve tanë, ndaj duhet ndalur sot, jo nesër!

Lajmet e fundit nga