web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Si mund të ndryshojë politikat e emigracionit në BE lufta e Rusisë në Ukrainë

13 Prill 2022, 07:47, Blog CNA

Nga Lorena Stella Martini ?European Council on Foreign Relations?

Rreth 4.3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga 24 shkurti, kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë. Shumica e tyre kanë shkuar në vendet fqinje me Ukrainën – kryesisht në Poloni, por edhe në Rumani, Sllovaki dhe Hungari – dhe shumë prej tyre po zhvendosen tani më në Perëndim.

Kjo nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian përballet me një fluks të madh njerëzish që kërkojnë azil. Por kriza aktuale është e pashembullt, si përsa i përket afërsisë gjeografike me BE-në, po ashtu edhe për numrin e madh të refugjatëve që hyjnë në vendet e unionit. Prandaj, ajo kërkon një përgjigje evropiane të paprecedentë.

Deri më tani, kjo përgjigje ka qenë e shpejtë dhe vendimtare. Më 28 mars, BE mbajti një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të saj të Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme, për të diskutuar mënyrën e koordinimit të pritjes së refugjatëve ukrainas.

BE-ja dhe vendet e saj anëtare kanë ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën që kur Rusia e nisi pushtimin. Dhe Komisioni Evropian po punon për të mbledhur fonde për t?i ndihmuar vendet e BE-së që ta menaxhojnë krizën e refugjatëve ukrainas.

Në fillim të muajit marsit, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi njëzëri një Direktivë të Mbrojtjes së Përkohshme për refugjatët që largohen nga Ukraina. Kjo masë, e cila është në fuqi për një vit dhe është e rinovueshme, i jep të drejtë cilitdo që ka banuar ligjërisht në Ukrainë para datës 24 shkurt, të kërkojë strehim, të punojë, të studiojë dhe të ketë qasje në sistemin e mirëqenies sociale në një vend të BE-së sipas zgjedhjes së tij, pa kërkuar zyrtarisht azil.

Kjo është hera e parë që BE-ja e zbaton këtë direktivë që nga krijimi i saj pas luftërave në ish-Jugosllavi më shumë se 20 vjet më parë. Unioni mund të kërkojë mbrojtje të përkohshme në kundërpërgjigje të një fluksi masiv njerëzish të zhvendosur nga lufta, dhuna apo shkeljet e dukshme të të drejtave të njeriut.

Megjithatë, në situatat e mëparshme që përfshinin një numër të madh njerëzish që kërkonin strehim në BE (si lufta në Libi në vitin 2011, apo kriza e refugjatëve në vitin 2015), politikë-bërësit evropianë nuk e konsideruan si politikisht të zbatueshëm këtë opsion.

Pas ripushtimit të Kabulit nga talebanët në vitin 2021, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrel, ngriti idenë e përdorimit të kësaj mase, por pa rezultat. Qasja e BE-së ndaj azilit ka qenë prej kohësh një temë e debatit të nxehtë midis shteteve të saj anëtare.

Por lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, ka sjellë një shfaqje të pakrahasueshme solidariteti me Ukrainën nga ana e qeverive dhe qytetarëve evropianë. Në fakt, edhe shtetet anëtare si Polonia dhe Hungaria – që kishin kundërshtuar prej kohësh kuotat e zhvendosjes dhe mekanizmat e tjerë të solidaritetit – e kanë pranuar Direktivën e Mbrojtjes së Përkohshme.

Qasja e re e BE-së, pranohet edhe nga Italia dhe shtetet e tjera jugore anëtare të BE-së. Roma ka bërë shpesh thirrje për mbështetje më të madhe evropiane në menaxhimin e migracionit dhe në pritjen e refugjatëve, veçanërisht gjatë krizës së vitit 2015. Por këto thirrje mbetën shpesh pa përgjigje, madje edhe disa shtete anëtare që sot janë në krye të përpjekjeve për të mirëpritur refugjatët ukrainas.

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, mund të ketë krijuar më në fund vrullin e nevojshëm politik për të reformuar politikën e BE-së mbi emigracionin, azilin dhe refugjatët. Por politikë-bërësit do të duhet të marrin në konsideratë disa pika kyçe.

Së pari, mekanizmi i mbrojtjes së përkohshme të BE-së është një masë emergjente. Për pasojë, ai duhet të përputhet me një strategji të qëndrueshme afatmesme dhe afatgjatë, për të cilën po debatohet aktualisht. Siç e kam përmendur edhe më parë, BE-ja duhet t?i trajtojë flukset e emigrantëve si një fenomen strukturor dhe jo si një seri emergjencash.

Në të vërtetë, emergjenca të tilla janë tani aq të zakonshme sa që duhet pritur që ato të ndodhin rregullisht. Prandaj unioni duhet të gjejë urgjentisht mënyra më efektive për t?i menaxhuar ato. Aktivizimi i Direktivës së Mbrojtjes së Përkohshme, mund të ketë krijuarnjë precedent të rëndësishëm dhe konstruktiv.

Pas viteve të përballjes me një rezistencë të ashpër ndaj mekanizmave të solidaritetit për menaxhimin e migracionit, BE po i trajton më në fund masat për të ndihmuar refugjatët si një përgjegjësi e të gjitha shteteve anëtare. Megjithatë, mbetet të shihet nëse unioni do të vazhdojë ta bëjë këtë në përgjigje të krizave që ndodhin më larg nga Evropa.

Për më tepër, ndërsa të gjithë ukrainasit që ikin drejt BE-së duhet të kenë të drejtë për azil,ky nuk është gjithmonë rasti për emigrantët që largohen nga vendi i tyre për arsye të tjera përveçse për t?i shpëtuar luftës, siç janë ata që kanë lënë pas kushte jetese të vështira.

Rrjedhimisht, ideja e përgjegjësisë së përbashkët evropiane për menaxhimin e migracionit në një botë të ndërlidhur, prodhon shpesh diskutime kaotike, të cilat mund të bëhen shumë shpejt edhe më komplekse, duke pasur parasysh faktin se lufta në Ukrainë po ndikon shumë edhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, veçanërisht në fusha të tilla si siguria ushqimore.

Dhe nga ana tjetër kjo mund të çojë në një destabilitet më të madh në rajon, dhe në një  migrim të mëtejshëm përtej Mesdheut drejt vendeve anëtare të BE-së. Nëse ndodh kjo, a do të mbizotërojë solidariteti dhe përgjegjësia e përbashkët?

Sigurisht, këto fjalë nuk u dëgjuan shumë gjatë krizës së emigracionit që nxiti Bjellorusia në kufirin e saj me Poloninë në vitin 2021. Përgjigja e disa shteteve anëtare ndaj asaj krize, reflektoi mungesën e gatishmërisë për të mirëpritur emigrantët, sidomos ata nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Në fakt, ky qëndrim i dha mundësi liderit bjellorus Llukashenko që ta përdorte emigrimin si një armë kundër Perëndimit. Në dritën e gjithë kësaj, ndihma e BE-së për refugjatët ukrainas mund të shihet si një dëshmi e standardeve të dyfishta, të inkurajuara nga vitet e retorikës populiste dhe euroskeptike në të gjithë Evropën.

Prandaj, është koha që në BE të rindizet debati mbi azilin dhe migracionin. Shtetet anëtare në jug duhet të kenë lidershipin në këtë aspekt, pasi ato kanë qenë vitet e fundit ndër më aktivet në thirrjet e tyre për një rishikim të politikës së BE-së mbi azilin.

Kjo do të kërkojë një reflektim më të gjerë mbi kuptimin e solidaritetit në një union që e sheh këtë koncept si një nga parimet e tij themeltare. Por s?ka asnjë garanci që mbështetja e madhe e BE-së për ukrainasit, do të përkthehet në reforma efektive të politikës së azilit.

Disa vende të BE-së mund të përpiqen t?i përdorin përpjekjet e tyre aktuale për të mirëpritur ukrainasit, si një justifikim për mos-strehimin e refugjatëve të tjerë apo refuzimin për të qenë pjesë e një politike të përbashkët të migracionit.

Për ta shmangur këtë gjë, BE-së do t?i duhet të zhvillojë një politikë emigracioni që trajton realitetin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe ndikimin e saj në të ardhmen në shtetet anëtare, sidomos vullnetin dhe kapacitetin e tyre për të pritur refugjatë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga