LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rusia teston raketa supersonike

27 Dhjetor 2021, 11:48, Kosova & Bota CNA
Rusia teston raketa supersonike

Sipas presidentit Vladimir Putin Rusia testoi me sukses disa armë super moderne të teknologjisë supersonike. Shefi i Kremlinit flet për një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë së Rusisë.

Provat kaluan “me sukses dhe pa gabime”, tha Presidenti Vladimir Putin në një fjalim televiziv. Për Rusinë kjo është “një ngjarje e madhe dhe një hap i rëndësishëm për forcimin e sigurisë ruse dhe përmirësimin e aftësive të saj mbrojtëse”. Putini e sheh vendin e tij të kërcënuar kryesisht nga prania e NATO-s në kufijtë e perëndimorë të Rusisë.

Garë armatimesh 

Për shkak të tensioneve të vazhdueshme me perëndimin udhëheqja e Moskës ka shtuar ndjeshëm vitet e fundit arsenalin e saj ushtarak. Putin njoftoi për zhvillimin e raketës supersonike Zircon në shkurt të vitit 2019. Në atë kohë ai tha se raketa, me një rreze veprimi prej 1000 kilometrash, mund të arrijë nëntë herë shpejtësinë e zërit. Raketa u testua për herë të parë në tetor të vitit 2020. Putini i quan raketat supersonike ruse si “të pathyeshme”.

Deri tani janë zhvilluar disa prova me raketën Zirkon, si mbiujore nga fregata “Admiral Gorshkov” dhe nënujore nga nëndetësja “Severodvinsk”. Megjithatë deri tani Rusia nuk ka njoftuar për prova me disa raketa Zirkon në të njëjtën kohë.

Sistemet e mbrojtjes nga raketat pa vlerë

Raketat supersonike mund të arrijnë shpejtësi deri pesë herë më të larta se shpejtësia e zërit dhe mund të manovrohen gjatë fluturimit. Ato mund të ndryshojnë lartësinë e tyre në atmosferë dhe të lëvizin në trajektore të paparashikueshme. Këto raketa janë të vështira për t’u dalluar nga sistemet konvencionale të mbrojtjes kundërajrore dhe vështirë se mund të përgjohen, pasi objektivi i tyre dihet vetëm në momentin e fundit.

Për zhvillimin e raketave supersonike ka shpërthyer një garë e re armatimi mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. Edhe Koreja e Veriut si dhe të paktën katër vende të tjera po punojnë gjithashtu për prodhimin e armëve me teknologji supersonike./DW

Lajmet e fundit nga