LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

135 vjetori i Statujës së Lirisë/ Pse SHBA-ja duhet të mbetet mikpritëse e emigrantëve nga e gjithë bota

31 Tetor 2021, 12:08, Blog CNA
135 vjetori i Statujës së Lirisë/ Pse SHBA-ja duhet të

Nga Reece Jones ?CNN?

Për shumë amerikanë, Statuja e Lirisë, që këtë muaj kremton 135 vjetorin e inaugurimit, është një simbol i qëndrueshëm i idesë se Shtetet e Bashkuara, janë një komb i përbërë nga emigrantët. Pishtari i Zonjës së Lirisë, ishte imazhi i parë i Amerikës për miliona emigrantë që mbërritën dikur në Ishullin Elis.

Fjalët e pavdekshme të poeteshës Ema Lazarus:?Më jepni masat tuaja të lodhura, të varfra, që dëshirojnë të marrin frymë të lira?, janë gdhendur në një pllakë në këmbët e përmendores, por edhe në kujtesën kolektive të amerikanëve.

E megjithatë, pavarësisht fuqisë simbolike të statujës dhe besimit të sinqertë se SHBA-ja është një komb emigrantësh, asnjëra nga këto histori që i tregojmë vetes, se çfarë do të thotë të jesh amerikan, nuk është në fakt e vërtetë. Transformimi i kuptimit mbi Statujën e Lirisë,  ilustron më së miri faktin se si amerikanët e kujtojnë shpesh në mënyrë të gabuar historinë e tyre.

Qëllimi fillestar i statujës ishte të përkujtonte fundin e skllavërisë dhe 100-vjetorin e pavarësisë së vendit. Ajo nuk kishte asnjë lidhje me emigracionin. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë asnjëherë një vend që ka lejuar emigrimin plotësisht të hapur, sidomos për emigrantët jo të bardhë.

Historia e politikës së emigracionit të SHBA-së, është e mbushur me kufizime dhe dëbime të masave të varfra, nga dëbimi i kinezëve deri në sprapsjen  e dhunshme të 10.000 haitianëve muajin e kaluar. Edhe para se t?i kushtohej si një dhuratë në vitin 1886 nga Franca, Shtetet e Bashkuara kishin filluar që t?ia mbyllnin derën emigrantëve jo të bardhë dhe të varfër.

Vendi nuk kishte asnjë kufizim federal mbi emigracionin deri në vitin 1875. Por më pas shumë shtete vendosën kufijtë e tyre. Masaçusets dhe Nju Jorku, zbatuan kufizime për emigrantët e varfër dhe ata të sëmurë. Shtetet jugore e ndaluan hyrjen e zezakëve të lirë në portet e tyre, ndërsa Kalifornia vendosi kufizime për hyrjen e kinezëve pas ?Etheve të Arit?.

Gjykata e Lartë, i shfuqizoi këto ligje shtetërore në vitin 1849, dhe më pas në vitin 1875. Po atë vit, Kongresi miratoi Atin Pejxh, kufizimi i parë kombëtar i emigracionit për punëtorët dhe gratë kineze. Në vitin 1882, Kongresi miratoi Aktin e Përjashtimit Kinez, që ndaloi hyrjen në vend të gjithë emigrantëve kinezë.

Senatori Xhon Miler i Kalifornisë, tha nga foltorja e Senatit:?Kemi mjaftueshëm kinezë, ndaj do të ishim të lumtur t?i shkëmbenim ata që kemi me çdo popull të bardhë!?. Në vitin 1882, Kongresi miratoi një akt të veçantë që ndalonte hyrjen në vend të ?të dënuarve, idiotëve, të çmendurve apo çdo personi të paaftë për t?u kujdesur për veten?.

Ideja për Statujën e Lirisë e ka origjinën nga një bisedë midis Eduard dë Labulaje, një kundërshtar i fortë i skllavërisë, dhe skulptorit francez Frederik Bartoldi në vitin 1865. Ky i fundit e projektoi statujën prej bakri, dhe e titulloi ?Liria që ndriçon botën?.

Korniza metalike u realizua nga Gustav Eifel, kulla e të cilit në Ekspozitën Universale të vitit 1889 në Paris, do të lidhte përgjithmonë emrin e tij me identitetin e qytetit. Statuja e Lirisë përshkruan perëndeshën romake të lirisë, Libertas , e cila mban një pllakë me datën e pavarësisë së SHBA-së, 4 korrik 1776, të shkruar me numra romakë.

Në këmbët e saj gjenden një palë një pranga dhe zinxhirë të këputur, për të simbolizuar fundin e skllavërisë. Vonesat në realizimin e veprës, bënë që gjatë festimeve të 100-vjetorit në vitin 1876 të shfaqej vetëm pishtari. Statuja u instalua më në fund një dekadë më vonë në ishullin Bedlou, një bazë ushtarake e braktisur në brigjet e Nju Xhersit.

Ceremonia solemne u drejtua nga presidenti i SHBA Grover Klivlend më 28 tetor 1886, që në fjalën e tij tha se ?derisa Liria të ndriçojë botën, një rrymë drite do të shpojë errësirën e injorancës dhe shtypjen e njeriut?. Në fjalën e tij nuk u përmend emigracioni.

Rreshtat e famshëm nga poema e Ema Lazarus ?Kolosi i Ri?, iu shtuan Statujës së Lirisë vetëm në vitin 1903. Lazarus, një avokate e refugjatëve hebrenj që vinin nga pogromet e Evropës, e kishte shkruar poemën në vitin 1883 si pjesë e përpjekjes për mbledhjen e fondeve për të përfunduar bazën e statujës.

Por për disa kohë ajo ishte harruar. Në poezi thuhet ndër të tjera:?Dërgoni tek unë të pastrehët, që unë të ngre llambën time pranë derës së artë?. Lazarus vdiq nga kanceri në vitin 1887, kur ishte vetëm 38 vjeçe, dhe nekrologjitë e saj nuk përmendnin poezinë e saj më të famshme.

Në fillimin e viteve 1900, mikesha e Lazarus, Xhorxhina Shajler, vuri në dukje se edhe pse qëllimi fillestar i statujës ishte të simbolizonte lirinë, afërsia e saj me ishullin Elis e kishte shndërruar atë në një simbol të mirëseardhjes për emigrantët që mbërrinin atje, ashtu siç e kishte interpretuar fillimisht Lazarus.

Por në të njëjtën kohë që Statuja e Lirisë u ri-imagjinua si një simbol i trashëgimisë së emigrantëve në SHBA, vendi po u përplaste derën në fytyrë akoma më shumë emigrantëve. Presidenti i kohës Tedi Ruzvelt, e përshkroi emigracionin e hapur si një ?vetëvrasje racore?. Ai kufizoi emigracionin e japonezëve me Marrëveshjen e Zotërinjve të vitit 1907. Në vitin 1917, u ndalua i gjithë emigracioni i aziatikëve, ndërsa nga viti 1924, vendosja e kuotave specifike sipas origjinës kombëtare, e reduktoi ndjeshëm emigracionin nga kudo, përveç Evropës Veriore.

Rezultati ishte shumë më pak njerëz që mbërrinin në Ishullin Elis nën vështrimin vigjilent të Statujës së Lirisë. Kur udhëtimi ajror zëvendësoi anijet si mënyra kryesore e udhëtimit transatlantik, Ishulli Elis u mbyll në vitin 1954. Edhe pse emigracioni ra, ideja se SHBA-ja ishte një komb emigrantësh, vazhdoi të ishte përherë e më e fortë.

Xhon F.Kenedi e titulloi librin e tij të dytë ?Një komb imigrantësh?, dhe ajo frazë u bë e zakonshme për të përshkruar historinë e vendit. Ri-imagjinimi i Statujës së Lirisë si simbol i emigracionit u përshpejtua. Në vitin 1956, Ishulli Bedlou u riemërua si Ishulli i Lirisë.

Më 11 maj 1965, presidenti Lindon Xhonson nënshkroi një proklamatë duke e bërë Ishullin Elis pjesë të Monumentit Kombëtar të Statujës së Lirisë. Në proklamatë thuhej:?Statuja e Lirisë, është një simbol për botën e ëndrrave dhe aspiratave që kanë tërhequr kaq shumë miliona emigrantë në Amerikë?.

Por politikat e ashpra të emigracionit të administratës Trump, dhe dëbimi i shpejtë dhe i dhunshëm i azilkërkuesve të varfër nga Haiti nga administrata aktuale Bajden, tregon se ky simbol po sfidohet. Teksa reflektojmë në 135-vjetorin e Statujës së Lirisë, ndoshta mund të nisim t?i zbatojmë më në fund fjalët frymëzuese të Lazarus. Nevoja që Amerika të jetë një komb emigrantësh, dhe një fanar i lirisë në një botë të dhunshme, është më urgjente se kurrë më parë.

https://edition.cnn.com/2021/10/27/opinions/statue-of-liberty-immigration-national-myth-jones/index.html

Përktheu dhe përshtatu nga CNA.al

17:18 Blog

Ora më idiote

“Ke shpëtuar dy herë qytetërimin perëndimor. Tani e quajnë f...

Lajmet e fundit nga