LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Studimi/ Rreziku nga forma e rëndë e Covid-19, mund të përcaktohet që në fillim të sëmundjes

26 Janar 2021, 08:53, Blog CNA

Arsyeja se pse shumica e njerëzve që preken nga një formë e lehtë e Covid-19 ose nuk kanë asnjë simptomë, ndërsa disa sëmuren rëndë, mbetet ende një mister, të cilin shkencëtarët po përpiqen që ta zgjidhin sa më parë.

Dihet se të qenit obez apo me probleme shëndetësore ekzistuese, diabeti apo presioni i lartë i gjakut, e shtojnë rrezikun e të pasurit simptoma të rënda nga kjo sëmundje. Por historia nuk mbaron këtu. Edhe disa njerëz në dukje të shëndetshëm, mund të vuajnë nga një formë e rëndë e sëmundjes.
Në fillim të vitit 2020, shkencëtarët zbuluan se njerëzit me simptoma të rënda të Covid-19, kishin nivele të pazakonta të qelizave të caktuara imune në gjakun e tyre. Ato përfshinin qelizat që janë ?reaguesit e parë?, si qelizat vrasëse natyrore, por dhe ato që zhvillohen pas infektimit, dhe që synojnë në mënyrë specifike qelizat e infektuara me koronavirus, të tilla si qelizat T.

Gjithashtu, shkencëtarët zbuluan se këta pacientë kanë ndryshime në disa citokina, proteina që nxit reagimin imunitar. Ky ?kaos? në sistemin imunitar, mund të shkaktojë dëmtime të mushkërive, si dhe organeve të tjera si zemra, mëlçia dhe truri.


Tani një studim i ri, që nuk është botuar ende në një revistë shkencore, hedh më shumë dritë mbi formën e rëndë të sëmundjes. Studiuesit, nga Universiteti i Kembrixhit, zbuluan se ndryshimet shumë të hershme në përgjigjen imune ndaj virusit, mund të përdoren për të parashikuar se kush do të ketë një formë të rëndë të sëmundjes dhe kush jo.

Shkencëtarët morën 605 mostra gjaku nga 207 njerëz të sëmurë me Covid-19dhe mostrat e gjakut të45 njerëzve të shëndetshëm,ata matën përgjigjet e tyre imune gjatë 90 ditëve. Në fund të studimit, ata krahasuan përgjigjet imune të njerëzve që përjetuan një formë të rëndë të Covid-19 me njerëzit që vuajnë nga forma të lehta apo që ishin asimptomatike. Studiuesit zbuluan se në fillim të infeksionit, sistemet imune të njerëzve me një formë të rëndë së sëmundje, prodhuan nivele më të larta të citokinave inflamatore, si TNF-alfa, në krahasim me njerëzit me simptoma më të lehta.

Ndërkohë, njerëzit që u sëmurën rëndë nga koronavirusi, kishin gjithashtu më pak qeliza imune, të cilat synojnë të luftojnë specifikisht virusin, siç janë qelizat T dhe qelizat B. Pra, në fillim të infeksionit, njerëzit me një formë të rëndë të sëmundjes, kishin një numër më të ulët të qelizave imune që mund të synonin virusin, dhe kishin gjithashtu edhe nivele më të larta të inflamacionit. Tek gjaku i njerëzve më të prekur nga Covid-19, shkencëtarët vunë re ndryshime në reagimet e tyre imune në kohën e shfaqjes së simptomës, pra shumë kohë para se të pranoheshin në një spital. Ata ekzaminuan mbi 30 lloje të ndryshme të qelizave imune, dhe zbuluan se këto ndryshime ndodhën në ndoshta 13 nëngrupe të ndryshme të qelizave.

Gjithashtu, studiuesit konstatuan se njerëzit me një formë më të rëndë të Covid-19 kishin nivele më të larta të inflamacionit në momentin që shfaqeshin simptomat e tyre të para. Për më tepër, shumë nga këto ndryshime vazhduan tek pacientët më të sëmurë edhe 60 ditë pasi kishin filluar simptomat e tyre.
Nga ana tjetër, tek pacientët me sëmundje të lehta apo fare pa simptoma, u zbulua se kishin një përgjigje imune të hershme dhe të fortë adaptive ndaj virusit. Një përgjigje imune adaptive, është ajo kur sistemi imunitar identifikon një infeksion, dhe më pas prodhon qeliza T, qeliza B dhe antitrupa specifikë për virusin në mënyrë që t`a luftojë sërish atë.

Këta njerëz i prodhuan përbërësit imunë që në javën e parë të infeksionit dhe në një numër më të madh, sesa njerëzit që vuajtën një formë të rëndë të Covid-19. Pas largimit të infeksionit, numri i qelizave imune që iu përgjigjën virusit u rikthye me shpejtësi në normalitet. Pra njerëzit që preken nga simptoma të rënda të sëmundjes, kanë një përgjigje më të ngadaltë imune ndaj virusit. Dhe në kohën kur ata shfaqin simptoma, reagimi i tyre imunitar është shumë i ndryshëm nga ata që shfaqin vetëm simptoma të lehta. Këto ndryshime mund të përdoren për të parashikuar rezultatin e sëmundjes, dhe mund të kenë pasoja të mëdha për menaxhimin e pacientëve që dihet tashmë se janë të rrezikuar nga një formë e rëndë e Covid-19./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://theconversation.com/risk-of-severe-covid-established-early-in-infection-new-study-153503

Lajmet e fundit nga