web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Armir Shkurti/ Djall a engjëll për sirianët?

6 Mars 2020, 12:09, Politikë CNA

“Janë gjynah”! Përballë këtij argumenti çarmatoset çdo logjikë. Sepse logjika nuk mundet të debatojë me emocionin. “Racista! Fashista! Pa zemër! Po kur ikëm ne nga Shqipëria e na pritën në Perëndim?” e plot nga këto i ke me thasë në biseda reale e virtuale nëse shpreh shqetësim për vërshimin këtu të refugjatëve sirianë.

Mjafton një foto burri që qan në ujë me fëmijën në krah për të të rrënqethur e turbulluar gjykimin edhe kur e ke një të tillë. Palè kur nuk e ke! Aq më keq kur flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, nga kushedi ç’fshat a qytet i botës, ku të ka hedhur kësmeti.

Po pse shqetësohemi ne për një vendosje masive refugjatësh lufte këtu? E para është MUNDËSIA. Kur të thonë “po ne, si na priti bota”, u thuaj se “nuk u dyndëm as në Afganistan e as në Kongo, por zbarkuam në vendet që renditeshin në krye të globit për ekonomi: Itali, Gjermani, Francë. Vajtëm edhe në Greqinë fqinje që qe vend i begatë asokohe”. Kishin nevojë për punëtorë dhe ne zumë të bëjmë kokunjur çdo punë: nga fshesa e kazma tek pelenat e të moshuarve.

Derisa ia dolëm të integrohemi SI EMIGRANTË. Pas shumë sakrificash e pune, nëpër vende që kanë 30 – 40 herë më shumë popullsi se ne dhe ekonomi aq gjigande sa që disa dhjetra mijë punëtorë treten si kripa në det e veç mirë sjellin, me punët që bëjnë. Shqipëria e sotme vazhdon të mbetet ndër më të varfërat e Europës e më të korruptuarat e Botës. Ata që presim janë refugjatë lufte. Do të thotë ti mbajmë ne e të na ndihmojë bota. Ose më shqip: të shtojmë barrën tonë e të lemë në duart e “tigrit” e hienave të tjera paratë që do të vijnë për ata të mjerët. Pra, për kë thotë “gjynah”, le ta dijë se nëse do lëshohen këtu do të jenë edhe më gjynah! Ama pas asaj shumë më gjynah do të jemi edhe ne, sepse dhjetra mijë ( në rastin më të mirë) fatkëqinj të tronditur nga lufta janë një bombë e vërtetë jo vetëm ekonomike por shumë më tepër sociale.

Sintaksa liberalo – globaliste e shoqërisë së hapur, ia ka dalë të prodhojë edhe burgun gjuhësor. Në gjuhësi ka një term që quhet “barbarizëm”. Do të thotë kur ti përdor një fjalë me një kuptim krejt tjetër nga ajo që ajo fjalë ka. Për shembull: të quash “racist” dikë që shqetësohet nga dyndja e një lumi refugjatësh lufte është barbarizëm i kulluar. Përveç rastit kur propaganda përkatëse nuk ka punuar për të devijuar mesazhin. Pra, që të mos merremi me frikën nga orteku njerëzor i refugjatëve, bëjmë sikur kemi kuptuar që “ky nuk dashka sirianët! Ky qenka kundër aziatikëve, afrikanëve” e marifete si këto, për të cilat ka mjeshtra të farkëtuar në kudhrën e PPSH-së e sot militojnë në çdo celulë propagande që gjejnë.

Sot Shqipëria vazhdon të zbrazet , si një zgjua bletësh i çarë dhunshëm e nga ku rrjedh ngadalë i gjithë mjalti. “Sa mirë ne ikim”? Ky është barbarizmi tjetër i ditës. Domethënë, e quaj barbarizëm për ata që e shqiptojnë nga padija apo ngarkesa emocionale. Të tjerët, në shumicë janë pjesë e strategjisë. Për të parët, meqë gjykojnë me emocion, po rrekem ta bëj më të thjeshtë: Nëse djali i shtëpisë merr trastën e ikën në kurbet se nuk ka as bukë as punë në shtëpi, a ka logjikë e moral babai ta zëvendësojë me një jabanxhi? Ta verë në shtratin bosh të të birit e ta mbajë me bukën e të birit që iku se s’ngopej?

Natyrish e bëmë një herë me zemër e me qejf me vëllanë. Kur lufta na erdhi në derë dhe ne ndamë odën dhe kafshatën me vëllanë që iku prej bombave të Serbit. Madje plot nga ne morën dhe armët e vajtën të luftojnë atje. E bëmë, sepse ajo luftë ishte e jona! Ne duam bashkimin e kombit. E kemi në kushtetutë (nëse nuk e kanë ndryshuar ende). Edhe zhvillimin. Ndërsa sot nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia albanoragjia po e çon kombin në shok. Më vend të çohemi në alarm për kthimin e atdheut në SHPREHJE GJEOGRAFIKE, si e përcaktoi para një shekulli Bismarku, kthehemi në bamirës e humanitarë të klasit të lartë sa dhe Krisht do zilepsej!

“Shoqëria e Hapur” ia ka dalë në misionin e saj të fshirjes së “vjetërsirave” të tipit “komb”, “popull”, “atdhe”. Sa më pak i çmojmë aq më lirë i shkëmbejmë a japim për bamirësi.





Lajmet e fundit nga