LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Protestat në rritje, do ta shpëtojnë demokracinë turke nga Erdogani

20 Gusht 2019, 06:58, Blog CNA

Nga Soner Cagaptay ?The Globalist?

* Qëkur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), humbi zgjedhjet lokale të Stambollit më 23 qershor, Turqia ka përjetuar një shtim të protestave antiqeveritare, të fokusuara kryesisht tek çështjet mjedisore. Vala e protestave, më të mëdhatë që nga ato të Parkut Gezi në vitin 2013, sugjeron një gjallërim të ri në mesin e opozitës, që mund të ketë pasoja potencialisht të mëdha për demokracinë në vend.

Në majin e vitit 2013, një grupim i vogël ambientalistësh nisën një protestë në qendër të Parkut Gezi në Stamboll, kundër vendimit të qeverisë për ta kthyer parkun në një qendër tregtare. Dhuna brutale policore kundër protestuesve, shkaktoi shumë shpejt nisjen e lëvizjes më të madhe të protestës në Turqi në historinë e kohëve të fundit.

Rreth 2.5 milionë qytetarë, iu bashkuan protestave antiqeveritare që shpërthyen në 79 nga 81 provincat e vendit, dhe që zgjatën për javë me radhë. Qeveria në fund u tërhoq nga projekti, ndërsa protestat shkaktuan dhjetëra të vdekur në radhët e protestuesve dhe policisë.

Kur lëvizja përfundoi në gushtin e atij viti, në Turqi kishte filluar një epokë e re, kur policia ndërhynte brutalisht edhe ndaj tubimit më të vogël antiqeveritar. Megjithatë, gjërat mund të ndryshojnë sërish këtë verë.

Më 26 korrik, një grup i vogël aktivistësh organizuan një protestë paqësore, kundër projekti të ndërtimit të minierave të arit në malet Ida në perëndim të Turqisë. Ambientalistët thonë se minierat, do të shkaktojnë shpyllëzime masive, ndotje të tokës dhe burimeve ujore, si dhe shkatërrimin e ekosistemit të zonës.

Zemërimi i publikut, u shtua kur Fondacioni TEMA, një ojq turke që lufton kundër erozionit të tokës, zbuloi se mbi 195.000 pemë janë prerë tashmë që përpara nisjes së punimeve, ose më shumë se 4 herë më shumë se sa numri i premtuar nga kompania minerare, dhe i dakordësuar nga Ministria e Energjisë dhe Burimeve Kombëtare.

Brenda disa ditësh, protestës iu bashkuan dhjetëra mijëra njerëz. Protestuesit bënë thirrje për ndalimin e projekti, dhe për konsultime më të mëdha publike për çështjet mjedisore. E motivuar nga fitorja në zgjedhjet e 23 qershorit në Stamboll, opozita politike ka luajtur një rol aktiv në këto protesta.

Më 5 gusht, aktivistët formuan një varg të gjatë njerëzish prej 1 km të quajtur ?Takimi i Madh i Ujit dh i Ndërgjegjes? pranë vendit ku do ndërtohet miniera. Qindra aktivistë vazhdojnë të qëndrojnë në terren, duke organizuar forume të vazhdueshme për të diskutuar kërkesat e tyre, teksa mbështeten nga protestues që vijnë çdo ditë nga zonat përreth.

Ndërkohë, dhjetëra mijëra turq kanë shprehur mbështetjen e tyre në internet me hashtagun #KazdaginaDokunma (Mos prekni malet Ida), dhe gati gjysmë milionë të tjerë kanë nënshkruar një peticion për të ndalur projektin. Pjesëmarrësit në protestë, sjellin përshëndetjet nga e gjithë Turqia, përfshirë banorët lokalë, politikanët, ambientalistët, organizatat e shoqërisë civile, studentët dhe artistët.

Deri më tani, Ankaraja nuk ka zgjedhur të reagojë me forcë, teksa ka ripohuar se do të ecet përpara me projektin. Shtytësi kryesor i protestave të fundit, kanë qenë zgjedhjet e 23 qershorit në Stamboll, ku humbja e AKP-së e dëmtoi imazhin e presidentit Rexhep Taip Erdogan si një ?politikan i pathyeshëm?.

Pas një varg fitoresh zgjedhore dhe suksesesh ekonomike që nga viti 2003, ai është bërë politikani më i fuqishëm në historinë turke të dekadave të fundit. Erdogan tani është njëherazi kreu i shtetit, i qeverisë, policisë kombëtare, ushtrisë (si kryekomandant) dhe drejtues i partisë kryesore parlamentare.

Ky konsolidim i pushtetit, i shoqëruar me shtypjen e shpeshtë të protestuesve, e dekurajoi shumë opozitën. Të paktën deri para zgjedhjeve të Stambollit. Në mars të këtij viti, kandidati i opozitës Ekrem Imamoglu u zgjodh kryebashkiak i qytetit – një post i rëndësishëm, pasi qeveris mbi 20 për qind të popullsisë në vend, dhe është një post që ka shërbyer gjithmonë në të shkuarën si një trampolinë drejt posteve më të larta shtetërore.

Fitorja ishte një pikë kthese për opozitën. Sot shumë opozitarë, kanë rinisur të besojnë se Erdogani mund të kundërshtohet në mënyrë paqësore. Kur presidenti e ndryshoi sistemin politik të Turqisë nga një sistem parlamentar në një model presidencial vitin e kaluar, ai me shumë gjasa nuk e kuptoi se kështu do të ndihmonte opozitën.

Më herët kishte fituar disa palë zgjedhjesh të njëpasnjëshme, jo vetëm falë rritjes së fortë ekonomike, por edhe për shkak të një opozite të përçarë. Gati gjysma e qytetarëve turq janë kundër presidentit, por deri kohët e fundit numri i tyre ndahej midis grupeve të ndryshme të nacionalistëve turq dhe kurdë, fraksioneve të majta dhe të djathta të qendrës, dhe grupimeve konservatore dhe liberale.

Ndërkohë, struktura e sistemit të ri presidencial, nënkupton se shumica e zgjedhjeve janë tashmë të destinuara të shndërrohen në një garë me dy palë. Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, dy kandidatët e parë kalojnë në balotazh mes tyre, një situatë që i ka detyruar fraksionet e opozitës të lënë mënjanë inatet dhe ndarjet, dhe të formojnë aleanca elektorale.

Aleanca e parë e këtij lloji vitin e shkuar në garën presidenciale dështoi, por këtë vit Imamoglu e fitoi Stambollin duke përdorur të njëjtën qasje. CHP, që përfaqëson votuesit e majtë dhe socialdemokratë, IYI, që përfaqëson votuesit e qendrës së djathtë dhe nacionalistët turkë dhe HDP, përfaqësuese e votuesve nacionalistë dhe liberalë kurdë, që të gjithë e mbështetën.

Edhe Partia Konservatore Islamike Felisiti e mbështeti, edhe pse indirekt.

Ekonomia e ngadalësuar e Turqisë, vetëm sa e ka forcuar bashkimin e opozitës. Herën e fundit që u zhvilluan protesta të mëdha antiqeveritare në Turqi, Erdogani ishte në gjendje t?i shtypte ato jo vetëm për shkak të pushtetit të tij të madh tek organet e sigurisë së shtetit, por edhe sepse opozitës i mungonte një platformë dhe udhëheqje e unifikuar.

Këtë herë, opozita duket më e bashkuar se në vitin 2013, dhe madje mund të ketë një drejtues simbolik në personalitetin e Imamoglu, i vetmi politikan që e ka mposhtur Erdoganin që nga viti 2003. Mbetet ende për t?u parë, nëse Erdogani do të shtypë me dhunë valën e re të protestave, apo do të përpiqet të përçajë opozitën.

Kundërshtimet janë shfaqur madje edhe brenda partisë së tij, me ish-ministrin turk të Ekonomisë, Ali Babaçan, që cilësohet gjerësisht si autori i ?mrekullisë ekonomike? të Turqisë në vitet 2000, që ka njoftuar se do të krijojë një parti të re politike. Çfarëdolloj rruge që do të zgjedhë Erdogani, ai do të përballet me një opozitë të fuqishme, që duket se është e prirur ta shtyjë në një fazë të re demokracinë turke.-përshtatur nga CNA.al.

Lajmet e fundit nga