web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zbardhet raporti i PS-së/ Ja pse u rrëzua kërkesa e opozitës për shkarkimin e Peleshit

29 Tetor 2025, 13:17, Politikë CNA

Zbardhet raporti i PS-së/ Ja pse u rrëzua kërkesa e opozitës

Deputetët e Partisë Socialiste kanë hartuar një raport prej 27 faqesh, përmes të cilit kanë renditur arsyet që e bënë mazhorancën të rrëzojë kërkesën e depozituar nga përfaqësuesit e opozitës për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi.

Në raport argumentohet se kryetari i Kuvendit ka zbatuar me përpikëri të gjitha përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore në drejtimin e seancës plenare dhe ka treguar frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës në drejtimin e veprimtarisë parlamentare në tërësi.

Zbardhet raporti i PS-së/ Ja pse u rrëzua kërkesa e opozitës

Konkluzionet  e raportit:

Bazuar në analizën e plotë ligjore dhe të fakteve, vlerësojmë se shkeljet e pretenduara në kërkesën e paraqitur nga 36 deputetë për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, pavarësisht se në aspektin formal dhe procedural plotëson kushtet për t’u shqyrtuar nga Këshilli për Legjislacionin sipas parashikimit ligjor të nenit 114, pikat 1, dhe 4, nuk plotëson kushtin substancial për shkaqet kushtetuese të kërkuara, me qëllim që të konsiderohen veprimet e Kryetarit të Kuvendit si shkelje.

Kërkesa e depozituar nuk plotëson kushtin substancial, pasi jo vetëm që nuk ka shkelje kushtetuese si një ndër kërkesat e nenit 114/1, por nuk provohet asnjë shkelje edhe të Rregullores së Kuvendit për sa pretendohet në kërkesë.

Bazuar në vlerësimin e fakteve dhe provave si procesverbali dhe pamjet vizuale e audio të seancës së datave 16 dhe 18 shtator 2025, rezulton se:

Kryetari i Kuvendit ka zbatuar me përpikëri të gjitha përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore në drejtimin e seancës plenare. Kryetari i Kuvendit ka treguar frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës në drejtimin e veprimtarisë parlamentare në tërësi, duke respektuar më së pari kolegët deputetë të opozitës dhe duke qëndruar mbi palët gjatë drejtimit të seancës.

Kryetari i Kuvendit gjatë drejtimit të seancave plenare ka treguar maturi duke iu përmbajtur etikës dhe komunikimit edhe atëherë kur provokimet apo mungesa e etikës, si edhe etiketimet nga disa deputetë të opozitës kanë qenë të padenja për misionin që ka deputeti në përfaqësimin e qytetarëve të vendit.

Kryetari i Kuvendit ka respektuar të gjitha parashikimet kushtetuese dhe të  Rregullores së Kuvendit në thirrjen dhe drejtimin e seancës të datave 16 dhe 18 shtator, duke moderuar debatin, pa cenim dhe shkelje të etikës, pavarësisht situatës së tensionuar në sallën e seancës plenare nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare. Kryetari i Kuvendit i ka zbatuar me përpikëri hapat proceduralë të parashikuar në nenin 110 të Rregullores së Kuvendit, por në mënyrë të provuar rezulton se kanë qenë  veprimet penguese të deputetëve të opozitës, të kryera në shkelje të parashikimeve ligjore të Rregullores së Kuvendit dhe parashikimeve të Kodit të Etikës, që kanë cenuar rëndë zhvillimin normal të seancës plenare dhe janë bërë shkak për mos vijimin normal të saj.

Bazuar edhe në vendimin e GJEDNJ-së të datës 17 maj 2016, çështja “Karacsony dhe të tjerë kundër Hungarisë”, siç është analizuar edhe më sipër, e drejta e shprehjes së deputetëve konkurron me parimin e funksionimit normal dhe efektiv të Kuvendit dhe sipas nenit 76, pika 1, të Kushtetutës është Kryetari i Kuvendit që kryeson debatin, drejton punimet, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij, etj. Ishte situata e krijuar që e ka çuar objektivisht Kryetarin e Kuvendit në vijimin e procesit të votimit për të garantuar zbatimin e rendit të ditës për votimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave.

Disa deputetë të opozitës me sjelljen e tyre kanë shkaktuar probleme në zhvillimin normal të seancës plenare për shkak të bllokimit të foltores dhe pengimit të prezantimit të programit politik nga Kryeministri, sipas rendit të përcaktuar të seancës plenare. Kjo ka penguar edhe deputetët e tjerë të të gjitha grupeve parlamentare për të ushtruar të drejtën dhe detyrimin e tyre kushtetues për të drejtuar pyetje dhe për të diskutuar për programin.

Sjelljet e disa deputetëve të opozitës për moslejimin e zhvillimit normal të seancës, shkelin integritetin dhe figurën e të mandatuarve, cenojnë imazhin e Kuvendit si institucioni më i rëndësishëm në një republikë parlamentare për procesin ligjbërës, për përfaqësimin e qytetarëve./CNA

 





Lajmet e fundit nga