web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Fletët e votimit të gjetura në lokal/ PD: Duhet ndërhyrje ndërkombëtare për të zbuluar të vërtetën

24 Maj 2025, 14:10, Politikë CNA

Fletët e votimit të gjetura në lokal/ PD: Duhet ndërhyrje

Policia në Peqin njoftoi të premten se kanë nisur hetimet për Dervish Beqirin, kryeplakun e fshatit Pekisht, pas denoncimit nga Partia Demokratike.

Në bar-kafenë e tij, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara dhe të dyshuara të falsifikuara si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Deputeti i ardhshëm i selisë blu në Elbasan, Blendi Himçi, pas këtij njoftimi tha se Policia e Shtetit po mbulon krimin elektoral të qeverisë në Pekisht, ndërsa kërkoi ndërhyrje ndërkombëtare për të zbuluar të vërtetën.

“Dua të denoncoj sot, me shqetësim dhe indinjatë, përpjekjen e turpshme të Policisë së Shtetit për të fshehur një nga rastet më të rënda të krimit elektoral në këtë fushatë, në fshatin Pekisht.

Si kandidatë dhe përfaqesues të Partisë demokratike në Qarkun e Elbasanit, e konsiderojmë të pavërtetë dhe keqdashës çdo aludim apo pretendim të Policisë se materialet zgjedhore të zbuluara në lokalin e kryeplakut të fshatit Pekisht janë të falsifikuara. Materialet përputhen me formatin zyrtar të fletëve dhe listave të votimit të shpërndara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Së dyti, për të garantuar transparencë të plotë, kërkojmë që ekspertiza mbi materialet e sekuestruara të bëhet nga ekspertë ndërkombëtarë të pavarur, jo nga strukturat që janë tërësisht të politizuara dhe të kapura nga pushteti.

Së treti, e cilësojmë deklaratën e Policisë së Shtetit, si një farsë të mirorganizuar që ka për qëllim të zbehë rëndësinë e ngjarjes dhe të mbulojë provat e krimit elektoral të ndodhur në Pekisht. Kjo sjellje konfirmon se Policia e Shtetit nuk është neutrale, dhe po përdoret për të mbrojtur interesat e qeverisë.

Ngjarja e Pekishtit është një dëshmi e qartë e tentativave për të blerë votën dhe për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Ne do të ndjekim çdo hap ligjor e institucional për të nxjerrë të vërtetën në dritë dhe për të mbrojtur procesin zgjedhor.

Ata që e gatuan dhe e mbajnë në këmbë këtë farsë elektorale do të përgjigjen.

Detyra jonë është ta bëjmë publike këtë farsë dhe ta shtyjmë drejtësinë dhe faktorin ndërkombëtar të flasë dhe të veprojë.

Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje!” tha Himçi.

Rasti në fjalë u denoncua fillimisht të enjten nga kryetari i PD-së, Sali Berisha dhe Himçi.

Ky i fundit tha se listat e emrave të zgjedhësve ishin me vula të njoma. Ndërkohë sipas Berishës, në këtë rast është aplikuar “treni bullgar” për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve./ CNA





Lajmet e fundit nga