web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Virusi që kërkon imunitet!

17 Shkurt 2026, 11:02, Opinione Grigels Muçollari

Virusi që kërkon imunitet!

Kur një trup është i shëndetshëm, sistemi imunitar është mburojë. Ai dallon virusin, e izolon dhe i jep kohë organizmit të shërohet.

Por kur vetë trupi është i infektuar thellë, kur virusi është përhapur në organet vitale, imuniteti i shtuar artificialisht nuk është më mbrojtje, është pengesë për shërimin.

Kjo është metafora e debatit aktual mbi ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale.

Propozimi për të pamundësuar pezullimin nga detyra të ministrave dhe funksionarëve të lartë paraqitet si mbrojtje e “ndarjes së pushteteve”. Argumenti është se gjyqësori nuk duhet të ndërhyjë në funksionimin e ekzekutivit.

Por nëse ekziston dyshimi për infektim të trupit institucional nga korrupsioni, masa e pezullimit nuk është dënim; është izolim i përkohshëm për të mos lejuar përhapjen e dëmit.

Në një organizëm të sëmurë, problemi nuk është se sistemi imunitar është i dobët. Problemi është se virusi ka hyrë në qendër të komandës.

Korrupsioni nuk është simptomë sipërfaqësore. Ai është virus sistemik. Ai ka deformuar vendimmarrjen, shtrembëron konkurrencën, paralizon administratën dhe dëmton besimin publik.

Në këtë kontekst, hetimi penal është antidoti. Pezullimi i përkohshëm është procedura që i krijon hapësirë antidotit të veprojë.

Nëse i jepet imunitet shtesë pikërisht atij niveli ku dyshohet infektimi, ndodh paradoksi: mburoja nuk mbron trupin, por mbron virusin.

SPAK u krijua pikërisht për të hetuar korrupsionin në nivelet më të larta. Kufizimi i instrumenteve të tij procedurale dobëson kapacitetin për izolim të përkohshëm të funksionarëve nën hetim.

Hetimi vazhdon, por pa mundësinë për të neutralizuar ndikimin institucional që një zyrtar i lartë mund të ushtrojë gjatë procesit.

Ndarja e pushteteve nuk nënkupton paprekshmëri. Ajo nënkupton balancë. Ekzektuvi ka dobësoar mekanizmat e kontrollit ndaj vetes, për të mos thënë se i ka hequr fare.

Nëse trupi është i shëndetshëm, mburoja e fortë është logjike. Nëse trupi është i infektuar, mburoja e tepërt e mbyll plagën brenda dhe e lë infeksionin të përhapet.

Kjo është dilema reale: a po mbrohet parimi institucional, apo po ngrihet një mur që e bën më të vështirë trajtimin e sëmundjes?

Në biologji, një sistem imunitar që refuzon ndërhyrjen mjekësore quhet reagim autoimun. Ai sulmon vetë mekanizmat e shërimit.

Në politikë, efekti është i ngjashëm: kryeminstri po sulmon mekanizmat qe luftojne korrupsionin e niveleve te larta.

Në fund, një trup i sëmurë nuk ka nevojë për më shumë imunitet. Ka nevojë për diagnozë të qartë (korrupsioni qeverises), izolim të infeksionit (arresti apo pezullimi nga detyra), dhe trajtim efektiv (mbajtja e pergjegjesise).

Me pak fjalë duhet largimi i kreut të komandës së korrupsionit qeverisës.

Ndërkohë kreu i komandës po e trajton këtë dukuri si konflikt pushtetesh dhe kërkon të gjejë armiq, sepse kjo i furnizon propagandën me të cilën ka ecur gjatë.

Kurse, shoqërisë dhe vendit pak i intereson kjo. Në fakt, i intereson që korrupsioni të luftohet dhe pushtetarët, kryeministri dhe ministrat, të kenë sa më pak imunitet, e jo t’u shtohet.

Rama po bën pikërisht të kundërtën e asaj që dëshiron publiku, dhe taksapaguesit. Ndaj jam i bindur që kjo do të sjellë reagim.

Protestat dhe ndërgjegjësimi qytetar janë pjesë e këtij procesi shërimi. Jo si destabilizim, por si presion për transparencë, barazi para ligjit dhe mbajtje përgjegjësie./ CNA





Lajmet e fundit nga