LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Politikanët e rrjeteve sociale dhe gënjeshtra në të cilën jetojnë

1 Shtator 2023, 13:14, Opinione CNA
Politikanët e rrjeteve sociale dhe gënjeshtra në të
Foto ilustruese

Përhapja e platformave të rrjeteve e medieve (portaleve) sociale ka sjellë si rezultat edhe një ndryshim themelor në komunikimin tradicional publik.

Politikanët, gjithnjë e më shpesh po zgjedhin një komunikim direkt me publikun, përmes platformave të rrjeteve sociale dhe mundësive që ofrojnë këto për të ndërtuar një marrëdhënie komunikuese sa më të efektshme me publikun.

Sepse komunikimi politik ka një efikasitet të jashtëzakonshëm në rrjetet sociale. Ai atje është sa i çliruar nga peshat dhe inercitë e formave të tjera të komunikimit aq edhe asimilohet mirë nga përdoruesit e ndjekësit.

Kjo, sepse shmanget ndërmjetësimi në marrëdhëniet publike, kryesisht i aktorëve politikë duke bërë që të krijohet opinioni se ky lloj komunikimi ka ndikuar pozitivisht në cilësinë e demokracisë, pasi nxit pjesëmarrjen e qytetarëve në diskutimin publik.

E parë nga këndvështrimi i publikut, duket sikur ky transformim i komunikimit politik ka bërë të mundur rënien e pengesave midis aktorëve politikë dhe qytetarëve, gjë që ka dy përfundime të rëndësishme.

Së pari, kjo hapësirë komunikimi në rrjetet sociale, e cila ofron një linjë direkte dialogu me politikanin për të shprehur qëndrimet apo problemet individuale, e ka bërë komunikimin politik dhe publik më pak institucional dhe më tepër të personalizuar.

Së dyti, falë këtij komunikimi të pandërmjetësuar dhe gatishmërisë së politikanëve për të biseduar me përdoruesit e thjeshtë, kemi një pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në diskutimin publik, çka mund të ndikojë në një cilësi më të mirë të demokracisë.

E parë nga këndvështrimi i politikanit, duket sikur ky transformim i komunikimit politik është pozitiv dhe ka bërë të mundur promovimin e tij, ngjitjen e shpejtë në karrierë, duke ndërtuar një profil, i cili shpesh është i gënjeshtërt, sepse ai (politikani) duket sikur e mat popullaritetin e vet me numrin e ndjekësve, pëlqimeve e ndërveprimeve dhe jo me produktin e vërtetë politik që nxjerr.

Politikanët e rrjeteve sociale dhe gënjeshtra në të

Nga ana tjetër kjo shpesh krijon përshtypjen e gabuar po te politikani se, pavarësisht mungesës së “biografisë e jetës politike”, është i pëlqyer nga populli, duke bërë që të hedhë hapa të nxituar, të ketë ëndrra të pafundme fitoreje, që e shtyjnë në kandidime e humbje të njëpasnjëshme.

Sepse në jetën reale vlerësimi apo matja e kapitalit social e politik lidhet me nivelin e besueshmërisë që kanë individët, politikanët e përfshirë në jetën publike e politike.

Ndërkohë, gjithnjë e më shumë në Shqipëri ky fenomen sa vjen e përhapet.

Disa parti ekzistojnë vetëm në rrjetet sociale, pasi në realitet nuk kanë as vota, as ndjekës, as programe, as profile të qarta politike.

Sikundër në Shqipëri po shtohen edhe kandidatët e rrjeteve sociale të kërkojnë votat e elektoratit, të cilët ose, sepse dinë të përdorin rrjetet sociale, ose investojnë për të paguar stafet e tyre, kanë mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Politikanët e rrjeteve sociale dhe gënjeshtra në të

Emrat e tyre dihen!

Ndërkohë që politikanë të tjerë “tradicionalë”, me biografi dhe me përfshirje të gjatë në politikë, përpiqen maksimalisht për të qenë në qendër të vëmendjes, për t’u takuar me elektoratin dhe dështojnë edhe kur përdorin mediet sociale, “politikanët e rrjeteve sociale” arrijnë të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes.

A është normale kjo?

Për një sistem politik të mbyllur dhe një shoqëri që është e etur për ndryshim, normalisht që PO!

Hapja e sistemit politik dhe futja e politikanëve të rinj e ambiciozë është legjitime, por edhe e vështirë dhe e rrezikshme. Nëse, veç ambicies kanë vizion dhe biografi profesionale, janë të mirëpritur.

Por ka edhe rreziqe në këtë epokë të re të politikës në rrjetet sociale. Elektorati, sidomos ai i jetës virtuale, shpesh nxiton të përqafojë zgjidhje të lehta. Përdoruesit e rrjeteve sociale shpesh janë gati të besojnë se njerëzit që promovohen dhe janë të famshëm në "Facebook", "Twitter", "TikTok", "Instagram", "Podcast", mund të jenë ata, të cilët kërkojnë dhe do të bëjnë ndryshimin.

Dyshoj shumë!

Sepse, duke qenë skeptik nga natyra, por edhe nga ajo ç’ka shoh, e di që këta kandidatë e politikanë të pompuar nga rrjetet sociale pas katër apo pesë vitesh nuk do të jenë më aktivë në politikë dhe do të kujtojnë me nostalgji faktin që për disa javë apo muaj ishin të parët e rrjeteve sociale.

Dhe nëse do të kenë ndërgjegje apo inteligjencë, do ta vuajnë këtë fakt!/ CNA

14:26 Opinione Agim Xhafka

Djali me biçikletë

Kur hapa derën para m’u shfaq goca. Herë pas here ajo ...

Lajmet e fundit nga