web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zjarri në pallat/ Policia jep detajet mbi arrestimet dhe hetimet

15 Prill 2026, 14:19, Kronika CNA

Zjarri në pallat/ Policia jep detajet mbi arrestimet dhe hetimet

Zjarri i rënë një ditë më parë në një kompleks banimi në Rrugën e Dibrës pranë “Farmacisë 10” ka çuar në arrestimin e katër personave dhe nisjen e hetimeve për disa të tjerë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Policia bën me dije se në pranga kanë rënë administratori i kompleksit, menaxherja e një marketi në katin e parë, inxhinieri drejtues i punimeve dhe administratori i subjektit që ka kryer punimet e fasadës. Ata akuzohen kryesisht për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë dhe, në disa raste, për shkatërrim prone nga pakujdesia.

Sipas hetimeve paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur në ambientet e pasme të marketit, në një zonë ku ishin grumbulluar mbeturina dhe ku nuk ishin marrë masat e nevojshme për pastrimin dhe sigurinë.

Ndërkohë, procedim penal ka nisur edhe për disa persona të tjerë, përfshirë punonjëse të marketit, si dhe pronarin dhe ndërtuesin e kompleksit.

Nga zjarri u lënduan 11 persona, mes tyre edhe efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe banorë të pallatit. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor.

Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e dëmit material dhe përgjegjësive të plota ligjore, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, dje, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:     

-A. C., 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;   

-R. S., 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;    

-E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

-A. F., 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit. 

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.

Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.   

Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. 

Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri.    

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve përgjegjës për këtë rast.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore./ CNA





Lajmet e fundit nga