LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pentagoni publikon pamjet, incidenti i avionëve luftarakë rusë dhe dronit amerikan

16 Mars 2023, 16:16, Kosova & Bota CNA

Pentagoni publikon pamjet, incidenti i avionëve luftarakë rusë

Pentagoni publikoi sot pamjet e incidentit të dy avionëve luftarakë rusë Su-27 me një dron ushtarak amerikan MQ-9 mbi Detin e Zi.

Sipas ushtrisë amerikane, në pamjet e deklasifikuara shihet momenti kur avioni rus dëmton helikën e dronit amerikan, gjë që çoi në vendimin për ta shkatërruar atë në ujërat e Detit të Zi.

Incidenti u përcoll me reagime të ashpra nga Shtetet e Bashkuara. Rusia thotë se avionët e saj luftarakë nuk patën kontakt me dronin dhe pretendon se mjeti fluturues amerikan u rrëzua pasi bëri një manovër të mprehtë.

Në pamjet 40 sekondëshe, shihet një avion luftarak rus duke lëshuar karburant, teksa kalonte mbi dronin përgjues amerikan.

Për pak çaste droni ndërpret transmetimin e videos.

Një avion i dytë luftarak rus ndjek në mënyrë të ngjashme dronin amerikan. Edhe ai shihet duke lëshuar karburant mbi dronin. Transmetimi i videos nga droni ndërpritet për 60 sekonda. Kur rilthehet transmetimi i videos, shihet që një prej fletëve të helikës së dronit është dëmtuar si rezultat i kontaktit me avionin rus.

Një ditë më parë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, bisedoi në telefon me homologun e tij rus Sergoi Shoigu rreth incidentit, por nuk pranoi të japë detaje nga biseda.

Sekretari Austin theksoi ndërkohë, se Shtetet e Bashkuara do t’i vazhdojnë operacinet me dron mbi ujërat ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të fluturojnë dhe operojnë kudo që e lejon ligji ndërkombëtar. Ne i trajtojmë me shumë seriozitet rastet që mund çojnë në një përshkallëzim, prandaj besoj se është e rëndësishme të mbahen të hapura linjat e komunikimit. Është e rëndësishme të angazhohemi së bashku që të parandalojmë gjykimet e gabuara në të ardhmen”, tha zoti Austin.

Sipas zyrtarëve, kjo është biseda e parë midis dy shefave të mbrojtjes që nga tetori.

Ushtria amerikane tha se droni i rrëzuar amerikan MQ-9 po kryente një operacion rutinë në hapësirën ajrore ndërkombëtare të martën.

Forcat amerikane e rrëzuan dronin në ujërat e Detit të Zi, pas dëmit, që pësoi nga kontakti me avionin rus.

“E dimë se ndjekja ishte e qëllimshme. Ne e dimë se sjellja ishte agresive dhe e qëllimshme. Ne gjithashtu e dimë se ishte veprim joprofesional dhe i pasigurt”, u tha gazetarëve të mërkurën gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane.

Ai tha se “ende nuk është e sigurt nëse kontakti i avionit rus me me dronin ishte i qëllimshëm”.

Rusia tha se po shqyrton nisjen e një operacioni për gjetjen e mbetjeve të dronit. Zyrtarët amerikanë thanë se para rrëzimit të dronit, ata shkatërruan të dhënat, për të penguar Rusinë të sigurojë informacione sekrete.


Shtetet e Bashkuara nuk kanë anije në Detin e Zi, që kryesisht kontrollohet nga Rusia.

“Por kemi shumë aleatë dhe miq në zonë dhe do të punojmë përmes operacioneve të rimëkëmbjes. Kjo është pronë e Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Milley.

Gjenerali më i lartë amerikan tha se droni mund të jetë copëtuar dhe se rikuperimi i mbetjeve të tij është i vështirë, duke pasur parasysh thellësinë e Detit të Zi.

Rusia ka mohuar mundësinë që avioni i saj të ketë pasur kontakt me dronin, duke thënë se ai u rrëzua pasi bëri “manovra të befasishme dhe se po fluturonte në mënyrë provokuese pranë hapësirës ajrore ruse afër Krimesë”, të cilin Moska e aneksoi me forcë nga Ukraina në vitin 2014.

Incidenti që përkeqësoi marrëdhëniet trashmë të tensionuara midis Uashingtonit dhe Moskës, është i pari i drejtpërdrejtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur Ukrainën me dhjetëra miliarda dollarë ndihma ushtarake, por trupat e amerikane nuk janë përfshirë drejtpëdrejt në luftë./ VOA

Lajmet e fundit nga