LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kina kërcënon të përdorë forcën për ribashkimin me Tajvanin

10 Gusht 2022, 15:34, Kosova & Bota CNA
Kina kërcënon të përdorë forcën për
Foto ilustruese

Kina kërcënoi sërish të mërkurën se mund të përdorë forcën për të vënë ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit nën kontrollin e saj.

Deklarata e gjatë e Zyrës për Çështjet e Tajvanit lëshohet ndërsa Pekini është duke kryer manovra ushtarake pranë ishullit, që kanë rritur tensionet mes dy palëve në nivelin më të lartë në vite.

Manovrat ushtarake kanë bllokuar lëvizjen e mallrave në një prej rajoneve më të rëndësishme për tregtinë globale dhe janë dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe vende të tjera. Varianti në anglisht i dokumentit kinez theksonte se Kina “do të punojë me sinqeritetin më të madh për të arritur ribashkimin me rrugë paqësore, por nuk do të përjashtojë përdorimin e forcës dhe se rezervon të drejtën të përdorë gjithë mjetet e duhura. Kjo bëhet për t’u mbrojtur nga çdo ndërhyrje e huaj dhe nga çdo veprimtari separatiste”, thuhet në deklartatë. Më tej në të shtohet se Pekini “do të jetë gjithmonë gati t’i përgjigjet me përdorimin e forcës, ose me çdo mjet tjetër të nevojshëm, ndërhyrjes nga forca të huaja, ose veprimeve radikale nga elementët separatistë. Synimi ynë është ribashkimi paqësor”.

Kina thotë se qëndrimi i saj u nxit nga vizita në Tajvan e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan Nancy Pelosi. Tajvani thotë se vizita të tilla janë rutinë dhe se Kina po e përdor atë si pretekst për kërcënimet e saj. Tajvani ka filluar manovrat e veta ushtarake për të dëshmuar vullnetin për t’u mbrojtur nga një sulm i mundshëm kinez. Ministri i Jashtëm i Tajvanit Joseph Wu tha dje se synimi i Kinës është të kontrollojë detet e Kinës Lindore dhe Jugore përmes ngushticës së Tajvanit dhe të vendosë një bllokdë për të mos lejuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të ndihmojnë Tajvanin në rast të një sulmi të mundshëm kinez. Kina i zgjati manovrat ushtarake pa afat. Ndonëse duket se për momentin ato po përfundojnë. Ministria e Mbrojtjes e Kinës njoftoi se manovrat e arritën qëllimin për t'i dërguar një paralajmërim atyre që përkrahin pavarësinë e Tajvanit dhe mbështetësve të tyre të huaj.

Tajvani u shkëput nga Kina pas luftës civile të vitit 1949 dhe ishulli me 23 milionë banorë e kundërshton bashkimin politik me Kinës, ndonëse preferon të vazhdojë të mbajë lidhje të ngushta ekonomike me Kinën dhe të ruajë staukuonë duke gëzuar pavarësinë “de-fakto”.

Uashingtoni nuk mban lidhje zyrtare diplomatike me Tajvanin, duke respektuar qëndrimin e Pekinit, por është ligjërisht i detyruar të sigurojë që ishulli është në gjendje të vetë-mbrohet dhe t’i trajtojë gjithë kërcënimet kundër tij si çështje të një rëndësie të veçantë.

Kjo shtron pyetjen nëse Uashingtoni do të dërgojë forca ushtarake në rast se Kina sulmon Tajvanin. Presidenti Biden ka thënë disa herë se Shtetet e Bashkuara janë të detyruara ta bëjnë këtë, ndonëse ndihmësit e tij i kanë korrigjuar me shpejtësi më pas këto komente.

Veç rrezikut gjeo-politik, një krizë e tejzgjatur në ngushticën e Tajvanit, një rrugë kryesore për tregëtinë globale, do të kishte pasoja të rënda për zinxhirrët globalë të furnizimit. Veçanërisht Tajvani është një nga furnizuesit kryesorë të mikroprocesorëve për ekonominë globale, përfshirë sektorin e teknologjisë së lartë të Kinës./ VOA

Lajmet e fundit nga