web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shqipëria U-21 shkëlqen ndaj Ukrainës, kuqezinjtë fitojnë 2-0

2025-11-17 20:20:00, Sport CNA

Shqipëria U-21 shkëlqen ndaj Ukrainës, kuqezinjtë

Kombëtarja U-21 fitoi edhe miqësoren e dytë të nëntorit ndaj Ukrainës U-21 me rezultatin 2-0.

Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në “Elbasan Arena” dhe golat e fitores i shënuan Ermir Rashica dhe Gjergji Kote.

Ndeshja nisi shumë mirë për Shqipërinë, që u hodh menjëherë në sulm. Ishte Rashica që tentoi i pari në minutën e 5-të me një goditje të bukur.

Sërish Rashica provoi në minutën e 12-të me një tjetër goditje të rrezikshme, por u ndal nga portieri kundërshtar.

Kuqezinjtë ishin të vendosur mirë në mbrojtje dhe shmangën çdo rrezik.

Shqipëria mori avantazhin në minutën e 39-të me Ermir Rashicën, i cili përfitoi brenda zonës dhe dërgoi topin në rrjetë, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Fraksioni i dytë nisi në të njëjtën mënyrë për kuqezinjtë, të cilët ishin të vendosur mirë në prapavijë dhe u shfaqën rrezikshëm në portën kundërshtare me kundërsulme të shpejta.

Deri në fund të ndeshjes, kuqezinjtë administruan shumë mirë ndeshjen dhe në kohën shtesë shënuan edhe golin e sigurisë me Gjergji Koten. Një aksion shumë i bukur i nisur nga Dodaj në të majtë, u shfrytëzua në maksimum nga Kote në zonë.

Dy fitore në ndeshjet miqësore të nëntorit për Kombëtaren U-21 ndaj Moldavisë dhe Ukrainës, të cilat japin sinjale pozitive për të ardhmen. Testet miqësore janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë U-21, pasi janë pjesë e përgatitjeve për Europianin U-21 2027.





Lajmet e fundit nga