web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nuk e ka arritur as Messi në kulmin e tij, Salah synon rekordin historik

2025-04-30 20:37:00, Sport CNA

Nuk e ka arritur as Messi në kulmin e tij, Salah synon rekordin historik

Mohamed Salah po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm në radhët e Liverpool, duke udhëhequr jo vetëm në Premier Ligë, por edhe në të pesta ligat kryesore europiane për gola dhe asistime.

Me katër javë të mbetura deri në përfundimin e sezonit, sulmuesi egjiptian është pranë arritjes së një rekordi të paprecedentë, të cilin nuk e ka realizuar as Lionel Messi gjatë kulmit të karrierës së tij, të përfundojë sezonin si lojtari me më shumë gola dhe më shumë asistime në të gjitha ligat kryesore të kontinentit.

Pas ndeshjes kundër Tottenham, Salah shënoi një tjetër gol, duke u bërë golashënuesi më i mirë i huaj në historinë e Premier Leaggue, duke lënë pas Sergio Agueron.

Aktualisht, ai renditet i pesti në listën e përgjithshme të golashënuesve në historinë e kampionatit anglez. Për më tepër, ai është në rrugë për të fituar për herë të dytë në karrierën e tij çmimet si golashënuesi më i mirë dhe asistuesi më i mirë në Premier League, pas sezonit 2021–2022.

Në këtë sezon, Salah ka kontribuar me 28 gola dhe 18 asistime, çka përbën një rekord të ri personal sa i përket përfshirjes direkte në gola në një sezon me Liverpool. Ai kryeson aktualisht në të dyja kategoritë, si golashënuesi kryesor dhe si asistuesi kryesor, jo vetëm në kampionatin anglez, por edhe në rang europian, duke lënë pas emra si Lewandowski me 25 gola, Kane me 24 gola dhe Mateo Retegui me 24 gola.

Në aspektin e asistimeve, më afër Salah është Olise me 15 dhe Jamal me 14. Diferenca mbetet e konsiderueshme, veçanërisht duke pasur parasysh numrin e kufizuar të ndeshjeve të mbetura dhe formën e qëndrueshme të lojtarit të Liverpulit gjatë sezonit.

Statistikat tregojnë se që nga fillimi i shekullit 21, asnjë lojtar nuk ka përfunduar sezonin si lider njëkohësisht në gola dhe asistime në pesë ligat kryesore europiane. As Lionel Mesi, pavarësisht se është shpallur gjashtë herë golashënuesi më i mirë dhe tri herë asistuesi kryesor në La Liga, nuk ka arritur ta bëjë këtë në të njëjtin sezon.

Nëse Mohamed Salah arrin të ruajë epërsinë në të dyja kategoritë deri në fund të sezonit, do të shënojë një precedent të ri në futbollin europian të dy dekadave të fundit. Kjo do të përbëjë jo vetëm një arritje personale të rëndësishme, por edhe një fakt historik në analizën e performancave individuale në ligat më të forta të Europës.





Lajmet e fundit nga