web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Komiteti i Emergjencave Civile: Situata me përmbytjet nën monitorim në Lezhë dhe Durrës

2026-01-06 15:19:24, Aktualitet CNA

Komiteti i Emergjencave Civile: Situata me përmbytjet nën monitorim

Komiteti i Emergjencave Civile ka zhvilluar një koordinim nga salla operative e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga reshjet intensive të shiut dhe për të përballuar pasojat në terren.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se të gjitha strukturat janë në dispozicion për menaxhimin e situatës.

Sipas tij, gjendja më e lehtë paraqitet aktualisht në qarkun e Shkodrës, ndërsa përmbytje të tokave bujqësore janë evidentuar në zonat e Lezhës dhe Durrësit. Drejtoritë e bordeve të kullimit janë në gatishmëri të plotë për të parandaluar përmbytjet në disa lumenj që rrezikojnë të dalin nga shtrati.

“Situata po ndiqet nga afër në Lezhë dhe Durrës, me monitorim të vazhdueshëm për të ndërhyrë në kohë nëse është e nevojshme”, u shpreh ministri Salla.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se në terren, në Durrës dhe Lezhë, është siguruar dislokimi i mjeteve dhe forcave të nevojshme. Ai paralajmëroi se reshjet intensive pritet të vijojnë edhe në orët në vijim, ndërsa Emergjencat Civile kanë kërkuar gatishmëri të plotë nga të gjitha bashkitë në vend.

“Sistemi i kaskadës po mirëmbahet dhe menaxhohet, situata është nën kontroll. Do të ketë prurje të shtuara dhe shkarkime të kontrolluara, me qëllim shmangien e përmbytjeve.

Në zonat e Lezhës dhe Gjadrit pritet rritje e kuotave të lumenjve në orët në vijim, ndaj u bëhet thirrje institucioneve vendore të njoftojnë qytetarët për çdo problematikë të mundshme. Në Durrës dhe Shijak janë evakuuar 10 familje, ndërsa bashkitë, në bashkëpunim me rezervat e shtetit, po marrin masa për mbështetjen e tyre”, tha Vengu.

Autoritetet konfirmojnë se do të mbeten në gatishmëri të plotë dhe se përditësime të vazhdueshme mbi situatën do të publikohen nga strukturat e Emergjencave Civile. /Monitor





Lajmet e fundit nga