LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Italia mbetet partneri i parë i Shqipërisë/ Kina ngjitet në vend të dytë për importet në 2023, kërcen dhe India

18 Janar 2024, 07:21, Ekonomi CNA

Italia mbetet partneri i parë i Shqipërisë/ Kina ngjitet në

Italia mbetet partneri më i madh tregtar i Shqipërisë, si për importet ashtu dhe për eksportet, ndonëse tregtia me këtë vend shënoi rënie në 2023-shin.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në 2023, eksportet drejt Italisë arritën në 189 miliardë lekë, me një tkurrje prej 10% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Italia ka një peshë dominuese në eksportet shqiptare, pasi drejt saj shkojnë rreth 43% e totalit të shitjeve të produkteve jashtë vendit. Tekstilet dhe këpucët janë produktet kryesore që shiten drejt fqinjëve të përtej detit, me 51% të totalit, të ndjekura nga materiale ndërtimi dhe metale (52%), makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi (11%).

E dyta për eksportet ka vijuar të jetë Kosova, eksportet drejt të cilit ishin 40 miliardë lekë në 2023, ose 9% e totalit. Me Kosovën kishim ecuri pozitive, me eksportet që u rritën me 8% me bazë vjetore në 2023. Produktet kryesore që eksportohen drejt Kosovës janë materiale ndërtimi dhe metale (41% e totalit), minerale, lëndë djegëse, energji elektrike. (20%), ushqim, pije, duhan (16% e totalit).

Partneri i tretë për eksportet në 2023 kaloi sërish Greqia, duke ia zënë vendin Gjermanisë. Drejt Greqisë vlera e mallrave të shitura arriti në 28.6 miliardë lekë, ose 7% të totalit. Në krahasim me 2022-shin, eksportet drejt Greqisë u rritën me 13%. Produktet kryesore të shitura në Greqi ishin minerale, lëndë djegëse, ener. elek. (30% e totalit), tekstile dhe këpucë (24%), ushqim, pije, duhan (16.6%).

Gjermania zbriti në vend të katërt, pas rënies me 28% dhe Spanja në të pestin, pas tkurrjes me 19%. Në rënie ishin dhe shitjet drejt Maqedonisë së Veriut, me -19%.

Importet, Kina ngjitet në vend të dytë

Italia ka vijuar të mbetet partneri kryesor i tregtisë i Shqipërisë edhe për importet. Nga ky shtet blemë mallra me vlerë 194 miliardë lekë, me rënie prej rreth 6% në raport me vitin e mëparshëm.

Megjithatë, ndryshe nga eksportet, varësia që kemi nga Italia me importet është më e ulët. Nga shteti fqinj erdhën 22% e totalit të importeve enë 2023-shin. produktet kryesore të importuara janë tekstile dhe këpucë (21.8%), makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi (21.2%), ushqim, pije, duhan (15%).

Kina është ngjitur në partnerin e dytë të Shqipërisë në 2023 sa u përket importeve. Nga ky shtet blemë 93 miliardë lekë mallra, ose 10.7% e totalit.

Importet nga Kina u rritën ndjeshëm me 21% me bazë vjetore. Produktet kryesore që vijnë nga shteti i largët janë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi (48.5%), të cilat kanë shënuar dhe rritjen më të madhe, tekstile dhe këpucë (15.1%), materiale ndërtimi dhe metale (14.3%).

Turqia ka zbritur në vend të tretë, pasi importet ranë me 26% në 84 miliardë lekë. Nga ky shtet erdhën 9.7% e totalit të blerjeve nga jashtë. Produktet kryesore të importuara janë materiale ndërtimi dhe metale (25%), tekstile dhe këpucë (17%), makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi (15%).

Listën e importuesve e vazhdojnë Gjermania (7% e totalit) dhe Greqia (6.5%). Një shtet nga i cili u shënua një rritje e lartë e importeve në 2023, duke u renditur e gjashta, ishte India, që pa një katërfishim të importeve në 32 miliardë lekë.

Kjo tendencë u ndikua nga kanalizimi i importeve të naftës nga ky shtet, teksa ai ka një ndër rafineritë më të mëdha të përpunimit të naftës në botë./ Revista Monitor 

Lajmet e fundit nga