LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Inflacioni bazë, i qëndrueshëm pranë nivelit të 2.9%

22 Mars 2024, 16:05, Ekonomi CNA

Inflacioni bazë, i qëndrueshëm pranë nivelit të 2.9%

Inflacioni vjetor bazë ishte i qëndrueshëm edhe në muajin shkurt, duke shtuar sinjalet për një stabilizim të presioneve për rritjen e çmimeve në ekonomi.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë zbriti në shkurt ishte 2.91%, me një ndryshim të papërfillshëm nga niveli prej 2.9% i muajit janar. Njëlloj si inflacioni mesatar, edhe ky tregues ndodhet në nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2021.

Rritja mujore e indeksit të inflacionit bazë u ngadalësua në 0.22%, nga 0.27% që kishte qenë për muajin janar.

Sipas INSTAT, në muajin shkurt inflacioni ishte 2.6%, duke zbritur për herë të parë në më shumë se dy vjet poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Inflacioni bazë është një tregues që llogaritet nga Banka e Shqipërisë mbi 69% të shportës së përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Inflacioni bazë mat ndryshimin e çmimeve të konsumit, duke përjashtuar produktet që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

Ecuria e inflacionit dhe komponentit të tij bazë për momentin duket se përligj qëndrimin e Bankës së Shqipërisë, që ka tentuar ta ulë inflacionin drejt objektivit duke mbajtur një normë bazë interesi ndjeshëm më të ulët krahasuar me shumicën e institucioneve të tjera homologe në Evropë. Banka e Shqipërisë ka argumentuar se mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit dhe politika fiskale konsoliduese që ka ndjekur qeveria shqiptare ka bërë që një shtrëngim i mëtejshëm monetar të mos jetë i nevojshëm deri tani.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e mbajti normën bazë të interesit sërish në nivelin 3.25%.

Megjithatë, analistët financiarë mendojnë se beteja me inflacionin mund të mos jetë fituar përfundimisht. Muaji mars pritet të japë sinjale të rëndësishme, edhe për shkak se efekti bazës krahasuese besohet se do të jetë më i ulët krahasuar me muajt e mëparshëm.

Vetë Banka e Shqipërisë, në projeksionet e saj të fundit, parashikon që kthimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv pritet të ndodhë në gjysmën e dytë të vitit 2024, ndërsa analistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Raiffeisen Research kanë parashikuar që kjo të ndodhë vetëm në fillim të vitit 2025.

Këtë vit pritet një tjetër sezon shumë pozitiv turistik, ndërsa pagat në sektorin publik do të rriten përsëri në mesin e këtij viti. Këta faktorë ka të ngjarë të forcojnë presionet inflacioniste gjatë tremujorëve të ardhshëm./ Revista Monitor

Lajmet e fundit nga