LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mete: Nga 1 korriku nis rritja e pagave

21 Mars 2024, 11:51, Ekonomi CNA
Mete: Nga 1 korriku nis rritja e pagave
Ervin Mete

Ministri i Financave, Ervin Mete, në fjalën e tij në parlament, në seancën plenare të Kuvendit për Aktin Normativ të Buxhetit për 2024, deklaroi se ekonomia ka pasur një performancë shumë të mirë gjatë vitit 2023. Mete theksoi se kjo ecuri e mirë po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024.

"Ecuria e mirë e ekonomisë është reflektuar edhe në tregun e punës. Punësimi shënoi rritje, ndërsa shkalla e papunësisë në fund të vitit 2023 zbriti në 10.7%, një nga normat më të ulëta historike", u shpreh ai. 

Ministri i Mete sqaroi se buxheti 2024 do të vijojë mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për një nivel page mesatare prej 900 eurosh në muaj.

"Brenda muajit të ardhshëm pritet që të finalizohen VKM-të që do të detajojnë këto rritje të pagave, që fillojnë nga 1 korriku i vitit 2024", u shpreh ai. 

Fjala e ministrit në Kuvend: 

Akti normativ për ndryshime në Buxhetin e vitit 2024, i cili paraqitet sot për shqyrtim dhe miratim, reflekton ndryshimet e nevojshme në buxhet në kuadër të riorganizimit të ministrive sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë. Gjithashtu, ky akt normativ realizon disa ndryshime sa u përket të ardhurave dhe shpenzimeve, për të reflektuar rritje të të ardhurave dhe optimizim të shpenzimeve, duke ulur në të njëjtën kohë deficitin buxhetor.

Siç e kemi theksuar edhe më herët, ekonomia ka pasur një performancë shumë të mirë gjatë vitit 2023, ku rezulton se treguesit kryesorë makro-ekonomikë patën përmirësime të ndjeshme. Kjo ecuri e mirë po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024.

Ndjesia ekonomike, perceptimi i biznesit dhe konsumatorit, ka arritur nivele të larta historike. Gjithashtu, tregues të tjerë të konsumit dhe investimeve sugjerojnë rritje të përshpejtuar. Gjatë vitit 2023, rishikuam në rritje projeksionet për rritjen reale të vitit 2023 në 3.5% nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar, konfirmuar kjo edhe nga Banka Botërore dhe FMN, të cilët po ashtu rishikuan në rritje parashikimet e tyre për ekonominë gjatë vitit 2023.

Ecuria e mirë e ekonomisë është reflektuar edhe në tregun e punës. Punësimi shënoi rritje, ndërsa shkalla e papunësisë në fund të vitit 2023 zbriti në 10.7%, një nga normat më të ulëta historike.

Inflacioni, i kthyer vitet e fundit në një nga çështjet kryesore makroekonomike që me fillimin e luftës në Ukrainë, për ekonominë tonë ka rezultuar ndjeshëm më i ulët sesa në vendet e rajonit apo mesatarja e Bashkimit Evropian dhe aktualisht, në muajin shkurt, inflacioni zbriti në 2.6%, duke u rikthyer brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë më shpejt sesa parashikimet.

Pozicioni i jashtëm i ekonomisë ka njohur gjithashtu një përmirësim të ndjeshëm. Për periudhën 9-mujore të vitit 2023, ekonomia e vendit ka regjistruar për herë të parë një suficit të llogarisë korente. Ndërsa priten statistikat vjetore të Bilancit të Pagesave për vitin 2023, pritshmëritë janë për një përmirësim të konsiderueshëm të llogarisë korente, krahasuar me trendet historike.

Ndikim të ndjeshëm në këtë përmirësim ka patur sektori i turizmit, një trend që ka vijuar dhe në muajt e parë të këtij viti, i cili parashikohet të jetë një vit edhe më pozitiv sa i përket turizmit dhe ndikimit të këtij sektori në ekonominë e vendit.

Gjithashtu, investimet e huaja direkte kanë vijuar trendin rritës. Në fund të nëntëmujorit 2023, investimet e huaja direkte arritën në 1.1 miliardë euro, 10.6% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022.

Konsolidimi fiskal shënoi një tjetër arritje pozitive. Borxhi publik, një tregues kyç i qëndrueshmërisë së financave publike, ra poshtë nivelit 60% të PBB-së, duke arritur në 59.2% në fund të vitit 2023, niveli më i ulët që nga viti 2010. Ky përmirësim, përveçse ul koston e huamarrjes, rrit sigurinë e vendit për përballimin e goditjeve të mundshme në të ardhmen.

Balanca primare në fund të vitit 2023 ishte pozitive, – thënë ndryshe të gjitha shpenzimet buxhetore të vitit 2023, duke mos përfshirë interesat, u përballuan pa huamarrje shtesë, – dhe në të njëjtën kohë deficiti buxhetor u mbajt në nivelin e moderuar të 1.4% të PBB-së.

Detyrimet e prapambetura në dhjetor 2023 zbritën në nivelin më të ulët që nga nisja e monitorimeve nga Ministria e Financave në vitin 2016, në afro 1% të totalit të shpenzimeve. Gjithashtu, në fund të vitit 2023 nuk rezulton asnjë detyrim i prapambetur sa i përket rimbursimit të TVSH-së për bizneset.

Përmirësim të ndjeshëm ka shënuar edhe skema e pensioneve. Të ardhurat kontributive arritën 134 miliardë lekë në vitin 2023, ose sa dyfishi i nivelit nga fillimi i reformës së vitit 2015. Kjo rritje ka forcuar qëndrueshmërinë financiare të skemës së pensioneve, duke ulur deficitin dhe për rrjedhojë transfertën e buxhetit të shtetit në drejtim të skemës.

Më konkretisht, deficiti i skemës së pensioneve është ulur në 0.8% të PBB-së në vitin 2023, që rezulton edhe niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, nga 1.93% e PBB-së që ishte në vitin 2015, kur nisi reforma e pensioneve.

Në mbyllje të vitit 2023, niveli i të ardhurave arriti në 643 miliardë lekë, me një realizim me thuajse 100%, edhe me planin e rishikuar në rritje me aktin normativ të dhjetorit.

Kjo performancë e mirë po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024.

Sipas të dhënave për periudhën Janar-Shkurt, të ardhurat totale arritën në rreth 104 miliardë lekë, ose 4.9% mbi planin.

Bazuar në këto zhvillime, me Aktin Normativ të prezantuar sot, janë rishikuar në rritje të ardhurat për vitin 2024, duke arritur në 28.2% e PBB-së, që përbën nivelin më të lartë historik të synuar.

Sa i përket shpenzimeve publike, për vitin 2023, ato arritën afro 675 miliardë lekë, me një realizim 95.6% sipas planit vjetor të ndryshuar me aktin normativ të dhjetorit.

Investimet publike në vitin 2023 u realizuan në rreth 5% të PBB-së, ndërsa në buxhetin e vitit 2024, financimi i investimeve publike parashikohet të arrijë 5.6% e PBB-së, duke mbështetur rritjen e mëtejshme ekonomike, zhvillimin e turizmit, infrastrukturën, si edhe duke nxitur më tej punësimin.

Me ndryshimet e propozuara përmes këtij akti normativ, krahas buxhetimit të ristrukturimit të ministrive, po mbështesim gjithashtu një Instrument të Garancisë Shtetërore prej 4 miliardë lekë për bizneset e sektorit të industrisë përpunuese fason, të cilat kanë nevojë të përmirësojnë proceset teknologjike dhe të rrisin më tej produktivitetin, kjo edhe për të përballuar efektet e goditjeve në këtë sektor. Ky instrument synon mbështetjen e bizneseve nëpërmjet garancisë shtetërore të huasë, me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë, financim i cili pritet të jetë me kushte më lehtësuese sesa ato të kredive tregtare.

Gjithashtu, ndryshimet në këtë Akt parashikojnë riklasifikimin e kategorisë së financimit të portit të ri tregtar, financimin e strukturës së posaçme në mbrojtje të mjedisit dhe zhvillimit të turizmit, si edhe mbështetjen financiare për rikonstruksionin e disa godinave dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore të arsimit profesional, në kuadër edhe të vëmendjes së qeverisë për këtë sektor.

Buxheti 2024 do të vijojë mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Brenda muajit të ardhshëm pritet që të finalizohen VKM-të që do të detajojnë këto rritje të pagave, që fillojnë nga 1 korriku i vitit 2024.

Ky buxhet, parashikon rritjen e mëtejshme të pagave për mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë, mësuesit në arsimin parauniversitar, forcat e rendit, të mbrojtjes, si edhe punonjësit e niveleve zbatuese në administratën qëndrore. Gjithashtu, synojmë të mbështesim rritjen e pagave edhe për punonjësit e pushtetit vendor.

Financohet gjithashtu indeksimi i mëtejshëm i pensioneve, si dhe shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët, ku përfitojnë 717 mijë pensionistë. Për indeksimin e pensioneve gjatë dy viteve të fundit, buxheti ka alokuar afro 30 miliardë lekë, shifër kjo e konsiderueshme, duke marrë parasysh efektin e përhershëm në vitet në vijim.

Gjithashtu, me konsulencën e Bankës Botërore, po analizojmë komponentët e mbrojtjes sociale për një tjetër qasje reformuese, me qëllim rritjen e mëtejshme të mbështetjes për këto kategori, si edhe sigurimit të një raporti sa më të drejtë mes nivelit të kontributeve dhe përfitimeve në skemën e pensioneve.

Sektorët e Arsimit dhe Shëndetësisë do të vijojnë të financohen në nivelin mbi 3% të PBB-së, duke mbështetur jo vetëm rritjen e pagave për arsimtarët dhe punonjësit shëndetësorë, por edhe përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës arsimore e spitalore, për shërbime më cilësore për qytetarët.

Për sektorin e Mbrojtjes për herë të parë arrihet objektivi madhor i lidhur me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s duke e çuar buxhetin e mbrojtjes në 2% të PBB-së. Ky buxhet, siç e theksova, do të financojë rritjen e nivelit të pagave për personelin ushtarak si dhe modernizimin e Forcave të Armatosura në armatime dhe pajisje ushtarake.

Vijon mbështetja për drejtësinë, sektor i mbështetur në mënyrë prioritare që nga ndërmarrja e reformës në drejtësi. Buxheti i vitit 2024 parashikon rreth 26.2 miliardë lekë për këtë sektor ose rreth 94% më shumë se viti 2016, kur nisi implementimi i reformës.

Shpenzimet e pushtetit vendor për vitin 2024 janë parashikuar në masën 71.4 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me buxhetin e vitit 2023. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qëndrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë. Transferta e pakushtëzuar për vitin 2024 është në masën 24.3 miliardë lekë, transfertë e cila është dyfishuar, krahasuar me vitin 2015, kur nisi reforma administrativo-territoriale.

Këto shpenzime parashikohet të realizohen duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin fiskal, duke projektuar një trend rënës të borxhit publik, si edhe duke zbritur më tej, me këtë akt normativ, me 4 miliardë lekë, deficitin buxhetor./CNA 

 

Lajmet e fundit nga