LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Banori i pallatit mbledh mbeturina në katin e fundit/ Alarmi i fqinjëve

6 Korrik 2023, 21:21, Denoncim CNA

Banori i pallatit mbledh mbeturina në katin e fundit/ Alarmi i

Jemi në rrugën “Gjolekë Kokona”. Banorë të një pallati në këtë rrugë ankohen se banori i katit të tretë, grumbullon mbeturina në shkallën e pallatit prej gati dy vitesh.

Banorët shprehen të shqetësuar se përveç grumbullimit të mbeturinave, ai është agresiv dhe përdor fjalë fyese.

Një zonjë thotë se i ka thyer xhamin e makinës. Një tjetër tregon se është detyruar të largohet nga shtëpia e saj duke e lënë me qira pasi aty nuk jetohej.

“Kjo ndodh gati dy vjet. Kemi bërë ankesën. I kanë hequr një herë. Zotëria vazhdon mbledh plehrat. Është bërë shqetësim dhe nuk ngjitemi dot në banesat tona. Kur vjen fjala te plehrat bëhet agresiv. Prandaj fle edhe te shkalla që t’i mbrojë ato që mos t’ua marrë njeri”, tha një banore.

Banorët thonë se kanë bërë ankesa në njësinë administrative nr. 3 për të pastruar mbeturinat. Është pastruar disa herë, por qytetari vazhdon të grumbullojë. 

“Shqetësimi jo vetëm i plehrave që nuk hyn dot, por është edhe i fjalorit, i ngacmimeve. Denoncimet janë bërë edhe pa pasur këto mbeturina. Ka qenë problematik. Është edhe me kalamajtë edhe me ne po i njëjti. Del edhe lakuriq. Ka thyer xhamin e makinës dhe kur e mori prokuroria tha nuk kemi gjë të dokumentuar”, tha një banor.

Për këtë situatë, u drejtuam në njësinë administrative nr. 3. Manuela Varfi, përgjegjëse e sektorit të shërbimeve publike, shprehet, se njësia është në dijeni të situatës, pasi banorët kanë bërë ankesa.

“Ka pasur reagim, është pastruar disa herë dhe personi i grumbullon prapë dhe i lë nëpër shkallë. Problemi është tek individi mendoj sepse është pastruar shumë herë. Ka banorë që janë larguar edhe nga pallati sepse nuk jetohet aty. Vazhdimisht sa herë kanë bërë ankesë edhe ne kemi kërkuar zyrtarisht zgjidhje”, tha Varfi.

“Stop” takoi mjekun Ilir Mica, njëkohësisht drejtues i qendrës së shëndetit mendor nr.1/10, i cili thotë, se qytetari është një pacient i diagnostikuar me skizofreni dhe i trajtuar pranë kësaj qendre.

“Pacienti për të cilin më drejtuat pyetjet e njoh shumë mirë. Historiku i sëmundjes zë fill që në kohën kur isha specializant. Në 2009 m’u kërkua ndihmë në banesë dhe që atëherë është diagnostikuar me skizofreni. Në atë periudhë kohe jetonin edhe prindërit, ka edhe një vëlla dhe ca të afërm. Kohët e fundit sikur është abandonuar dhe sikur ka rënë interesimi nga ana e familjarëve. Ne jemi munduar që të ofrojmë shërbesat tona ligjore në sensin shërbim ambulator dhe e kemi komisionuar për Kempin. Në 2020 bëmë edhe një përpjekje tjetër. E rikomisionuam si rast për t’i ofruar një kujdestari që dikush nga të afërmit të marrë një pagesë që t’i ofrojë shërbesat në banesë. Një kushëri u interesua për dokumentacionin. Pacientin e takojmë shpesh, flet me tonalitet, nuk ka qenë agresiv. Për ne ky rast duhet hospitalizuar, të vihet nën mjekim”, u shpreh Mica.

Emisioni “Stop” me mbështetjen e Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor, Urgjencës Kombëtare dhe Policisë së Shtetit, drejtoi qytetarin për të marrë ndihmën e duhur shëndetësore./tvklan

Lajmet e fundit nga