LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si po e përdor Rusia urinë si një armë lufte

17 Qershor 2022, 08:52, Blog Owen Matthews
Si po e përdor Rusia urinë si një armë lufte
Foto ilustruese

Uria është një armë e vjetër sa vetë lufta. Por Vladimir Putin po i bën një përdorim edhe më brutal kësaj arme të lartë në një epokë post-moderne. Në vend se të kërcënojë armikun e tij ukrainas me uri dhe varfëri, ai po e kërcënon gjithë botën.

Putin e ka përdorur prej kohësh naftën dhe gazin si një instrument politik. Kohët e fundit ai ndërpreu furnizimet për Poloninë dhe Bullgarinë në shenjë hakmarrje për refuzimin e tyre për të paguar gazin dhe naftën në rublën ruse. Por është bllokada e Putinit ndaj eksportit të grurit ukrainas, ajo që mund të jetë po aq efektive në luftën aktuale.

Rusia dhe Ukraina prodhojnë së bashku 30 për qind të eksporteve globale të grurit. Ukraina është eksportuesja e gjashtë më e madhe në botë i drithërave. Dhe gati e gjithë sasia kalon përmes 7 porteve ukrainase në Detin e Zi nga Odesa në Mariupol. Duke e parë këtë dobësi, Kremlini ka vendosur një bllokadë detare ndaj Ukrainës.

Si po e përdor Rusia urinë si një armë lufte

Në janar dhe shkurt të këtij viti, një nga sinjalet më të hershme të konfliktit të ardhshëm ishte tërheqja masive e anijeve luftarake ruse nga baza në Afrikë dhe Arktik, dhe rivendosja e tyre në Detin e Zi. Ditën e nisjes së “operacionit ushtarak special” të Kremlinit kundër Ukrainës, avionët rusë bombarduan një anije mallrash me flamur turk 50 milje larg Odesës.

Të nesërmen anija e ngarkuar me drithë, Namura Queen, e regjistruar në Panama, u shënjestrua me një raketë ruse anti-anije teksa po i afrohej portit Pivdenij. Ndërkohë anija “Millennial Spirit” me flamur moldav u godit dhe u dëmtua aty pranë, duke shkaktuar plagosjen e disa anëtarëve të ekuipazhit.

Këto sulme të hershme ndaj anijeve jo-ukrainase, shumë përtej ujërave territoriale të Kievit, dërguan një mesazh të qëllimshëm: portet e Ukrainës, janëjashtë mundësive për të kryer transportin ndërkombëtar të produkteve, derisa Kremlini të vendosë për të kundërtën.

Për të mbështetur këtë kërcënimin, flota ruse e Detit të Zi, ka vendosur sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës rreth 20 luftanije dhe 4 nëndetëse, që patrullojnë vazhdimisht midis Ishullit të Gjarprit dhe portit të Sevastopolit në Gadishullin e Krimesë, së bashku me sistemet e raketave bregdetare Bal dhe Bastion, si dhe avionët sulmues ma bazë po në Krime.

Në kundërpërgjigje ndaj kërcënimit të një zbarkimi amfib në Odesa, marina ukrainase ka vendosur dhjetëra mina detare nëpër hyrjet e porteve të saj kryesore. Pasojë e sjelljes “pirateske” të Rusisë, sipas Ministrit ukrainas të Infrastrukturës, Oleksandër Kubrakov, është rreziku i urisë “në shkallë globale”.

Mbytja më 14 prill e kryqëzorit rus “Moskva” nga disa raketa anti-anije të prodhimit ukrainas, mund të ketë shkaktuar një pengesë serioze në aftësinë ruse për të nisur zbarkimet nga deti, por jo në aftësinë e saj për të mbytur anijet e Ukrainës.

Rreth 70 anije tregtare të ngarkuara me grurë dhe produkte të tjera jetike, nuk kanë mundur të largohen nga portet e Ukrainës gjatë 3 muajve të fundit. Muajin e kaluar, presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski vlerësoi se rreth 22 milionë tonë produkte ushqimore - grurë, misër, elb dhe farat e lulediellit - mbeteshin të bllokuara në portet ukrainase.

Si po e përdor Rusia urinë si një armë lufte

Kjo bllokadë ka krijuar kriza të furnizimit dhe rritje të çmimeve, që tashmë po ndihet në mbarë botën. Ndryshe nga nafta dhe gazi, drithi nuk ka ekuivalentin e “prodhuesve të lëkundur” si Arabia Saudite, të cilët mjafton të hapin disa puse të reja dhe të nxjerrin më shumë naftë sipas kërkesës.

Plehrat kimike dhe bujqësia industriale, mund t’i kenë rritur rendimentet në nivele të paimagjinueshme në epokën para-moderne, por cikli i pandryshueshëm vjetor i prodhimit të mbjelljes, korrjes dhe ruajtjes nuk ka ndryshuar që nga koha e Faraonit Ramsesi  II dhe agronomit të tij të famshëm hebre, Jozefit.

Ç'është më e rëndësishmja, drithi i Ukrainës është i lirë, dhe për këtë arsye eksportohet zakonisht në vendet më të varfra të botës. Egjipti, Turqia dhe Libani importojnë deri në 80 për qind të grurit të tyre nga Ukraina dhe Rusia. Vetëm Ukraina përbën rreth 14 për qind të importeve të grurit të BE-së.

OKB ka paralajmëruar tashmë se kriza e eksportit, mund të bëjë që çmimet e ushqimit për njerëzit dhe ushqimit të kafshëve të rriten deri në 22 për qind në mbarë botën. Por disa vende janë prekur shumë më rëndë. Programi Botëror i Ushqimit, FAO, raporton se kostoja e shportës ushqimore në Etiopi është rritur 66 për qind, ndërsa në Somali me 36 për qind që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Prandaj nuk është e habitshme që heqja e bllokadës së grurit ukrainas nga ana e Rusisë është tema qendrore e diskutimeve diplomatike ndërkombëtare që synojnë t’i japin fund luftës. Ajo ishte tema kryesore edhe e bisedës telefonike 80-minutëshe midis Putinit dhe kancelarit gjerman Olaf Sholc dhe presidentit francez Emanuel Makron muajin e kaluar.

Si po e përdor Rusia urinë si një armë lufte

Putin ka mohuar akuzat për një bllokadë ruse, dhe fajëson minat detare të Ukrainës për ndalimin e tregtisë së grurit. Kievi u ka kërkuar aleatëve të tij perëndimorë që t’i detyrojnë rusët të hapin Detin e Zi, ose t’i japin Ukrainës aftësinë ushtarake për ta bërë vetë këtë gjë.

Por edhe nëse ndodh kjo e fundit, nuk do ta zgjidhte problemin e minave - heqja e të cilave do t’i linte portet ukrainase të prekshme ndaj sulmeve detare - ose do të pengonte aftësinë e rusëve për të sulmuar anijet tregtare me raketat e tyre.

As një fuqi shtesë e armëve të zjarrit, nuk do të ndihmonte me problemin e sigurisë së lundrimit, pa të cilën nuk mund të veprojë asnjë anije tregtare. Një zgjidhje më realiste mund të ishte një “korridor humanitar” detar që kalon përmes ujërave territoriale të Ukrainës, Rumanisë, Bullgarisë dhe Turqisë deri në Ngushticën e Bosforit.

Në mënyrë ideale, një korridor i tillë do të ishte nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Alternativa do të ishte që 4 vendet perëndimore të Detit të Zi, të patrullojnë korridorin me marinat e tyre, pasi kanë përvojë të gjerë të operacioneve të përbashkëta nën kujdesin e NATO-s.

Por kjo do të përfshinte luftanijet e NATO-s dhe ato ruse, që do të përballeshin kokë më kokë, duke rritur rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë që mund të përshkallëzohej shpejt në një luftë botërore.

Në fillim Putini mendoi që lufta e tij në Ukrainë të ishte një operacion kirurgjikal i shpejtë, që do të sillte rrëzimin e udhëheqjes ukrainase dhe pushtimin e shpejtë të rajoneve pro-ruse në lindje të vendit. Por ndërsa ofensiva e Rusisë në Donbas po shndërrohet në një ngërç të përgjakshëm dhe shkatërrues, bllokada detare është shndërruar në një AS të papritur në mëngën e Putinit.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga