LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Hendekun midis shteteve të Ballkanit Perëndimor/ Do ta zgjerojë apo do ta mbyllë “Open Balkan”?

13 Qershor 2022, 13:15, Blog Dilek Kutuk

Hendekun midis shteteve të Ballkanit Perëndimor/ Do ta zgjerojë

Themelet e nismës “Open Balkan” ("Ballkani i Hapur") u hodhën që në vitet 2010, duke synuar krijimin e një hapësire midis vendeve të Ballkanit për diskutime mbi bashkëpunimin rajonal dhe nxitjen e tregtisë ndërkufitare.

Më 10 tetor 2019 u nënshkrua një marrëveshje nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në qytetin serb të Novi Sadit, që synonte të lehtësonte aktivitetin social dhe ekonomik midis vendeve të Ballkanit. Megjithatë, këto vende hasën në një pengesë, pasi shtetet fqinje ballkanike, Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi e refuzuan hapur propozimin.

Shenjat e një zbutjeje ndaj këtij qëndrimi u shfaqën më 25 maj të këtij viti, kur kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, konfirmoi pjesëmarrjen në “Samitin e Hapur Ballkanik” që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Hendekun midis shteteve të Ballkanit Perëndimor/ Do ta zgjerojë
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç

Vuk Vuksanoviç, studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë për “TRT World” se qëndrimi i Malit të Zi ndaj kësaj nisme kushtëzohej nga marrëdhënia e tij me Serbinë dhe jo nga vetë iniciativa.

“Ky ka qenë gjithmonë arsyetimi i Malit të Zi: pretendimi se kjo nismë do të çonte në një formë lidershipi për Beogradin. Megjithatë, ishte paksa joreale të besohej se kjo nismë synonte të nxiste Serbinë e Madhe apo Botën Serbe, kur Serbia është partnere me Shqipërinë si pjesë e kësaj nisme”, - thotë Vuksanoviç.

Abazoviç, kryeministri i sapoemëruar në detyrë, thotë se “Ballkani i Hapur” apo çdo iniciativë rajonale që mund të përshpejtojë integrimin europian, është diçka që duhet të pranohet nga vendi i tij. Po ashtu ai ka deklaruar se nuk ka dëgjuar ndonjë argument të vlefshëm se pse kjo nismë është e keqe për Malin e Zi.

Po përse Malit të Zi iu desh kaq shumë kohë për të përqafuar nismën “Ballkani i Hapur”?

Hendekun midis shteteve të Ballkanit Perëndimor/ Do ta zgjerojë
Foto ilustruese

Argumenti kryesor i Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, është se ata besojnë se asnjë nismë rajonale nuk mund të jetë e suksesshme pa përfshirjen e Bashkimit Europian.

Për ta problemi kryesor është Serbia dhe mosmarrëveshjet e saj - të mëdha e të vogla - me vendet fqinje. Ato akuzojnë Beogradin se ka një vizion ekspansionist, të cilin kërkon që ta përmbushë përmes dominimit ekonomik. Nga ana tjetër, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe ka disa mosmarrëveshje të natyrës nacionaliste me Bosnjen dhe Malin e Zi.

Sipas Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, lehtësimi i udhëtimit dhe tregtisë brenda shteteve të Ballkanit, garantohet tashmë nga CEFTA, një marrëveshje tregtare ndërkombëtare ndërmjet vendeve në Europën Juglindore, por edhe nga marrëveshje të tjera bilaterale midis vendeve të rajonit.

Prandaj, Mali i Zi nuk do të donte të ndërmerrte një hap që mund të duket si një shmangie nga anëtarësimi në BE, dhe as nuk donte të merrte pjesë në ndonjë nismë që dukej se dominohej nga Serbia. Po ashtu Podgorica po vëzhgon me kujdes ambicien e Serbisë për t'u bërë një fuqi rajonale dhe për të dominuar shtetet e tjera ballkanike.

Për më tepër, Mali i Zi beson se Serbia do të ketë përfitime shumë më të mëdha ekonomike nga kjo nismë sesa vendet e tjera anëtare, pasi kjo e fundit është prodhuesja më e madhe e produkteve bujqësore dhe ushqimore.

Ndoshta nisma “Ballkani i Hapur”, nuk do ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi ngadalësimi i tij lidhet pjesërisht me problemet e brendshme të BE-së, por edhe me mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse të zgjerimit.

Megjithatë, duke mbështetur këtë iniciativë, liderët e BE-së u japin shpresë vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në union. Kohët e fundit ka pasur shumë probleme të brendshme në BE, nga kriza e migrimit tek ajo e demokracisë. Për më tepër që nga fillimi i luftës në Ukrainë, BE-ja po kërkon më shumë mbështetje nga SHBA-ja dhe po përpiqet ta reduktojë varësinë e saj energjetike nga Rusia.

Nga ana tjetër, kjo nismë mbështetet nga vendet e BE-së, sepse që nga largimi i kancelares Angela Merkel, procesi i Berlinit - i krijuar në vitin 2014 si një platformë për bashkëpunim në nivelin e lartë në shumë fusha, duke e plotësuar rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE - është bllokuar për shkak të ndryshimit të pushtetit në Berlin.

Hendekun midis shteteve të Ballkanit Perëndimor/ Do ta zgjerojë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Nisma mbështetet nga liderët e BE-së, sepse ndër kushtet për anëtarësim në BE është rritja e dialogut dhe integrimit ndërshtetëror në nivel rajonal. Prandaj, pretendohet se “Open Balkan” promovon integrimin rajonal. Edhe pse kryeministri malazez Abazoviç ka vendosur të angazhohet me këtë nismën, ai ende heziton që t’i bashkohet zyrtarisht asaj.

Vendet që e kundërshtojnë nismën “Ballkani i Hapur”, hezitojnë që të bëhen pjesë e saj për shumë arsye, të cilat shumë ekspertë të rajonit i shohin si të justifikuara si në retorikë po ashtu edhe në realitet. Megjithatë, këto rezerva mund të zbuten me ndryshimin e qeverive siç ndodhi së fundmi në Mali i Zi.

Zdravko Krivokapiç, u rrëzua nga pushteti më 4 shkurt të këtij viti, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike që përfshinin qeverinë dhe parlamentin. Si pasardhësi i tij, kryeministri Dritan Abazoviç ka një qasje më pozitive ndaj “Open Balkan” dhe pranoi të merrte pjesë në samitin e Ohrit si vëzhgues.

Vuk Vuksanoviç, studiues i lartë në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë për “TRT World” se pjesëmarrja e Malit të Zi në këtë nismë lidhet drejtpërdrejt me interesin e kryeministrit Abazoviç për ta parë këtë grupim me mendje të hapur.

Hendekun midis shteteve të Ballkanit Perëndimor/ Do ta zgjerojë
Vuk Vuksanoviç, studiues i lartë në Qendrën e Beogradit

“Abazoviç po përpiqet të tregojë një fytyrë tjetër. Të tregojë se është një lider i ri malazez që ka një qëndrim properëndimor, dhe që nuk është kundër Serbisë. Ai po tregon një shenjë të vullnetit të mirë, jo vetëm ndaj Beogradit, por më e rëndësishmja, ndaj audiencës vendase dhe ndaj serbëve në Malin e Zi”, - thotë ai.

Partnerët e mëparshëm të koalicionit qeverisës kishin mosmarrëveshje për disa çështje, përfshirë ndikimin e Serbisë dhe Kishës Ortodokse serbe në çështjet e brendshme të Malit të Zi. Qeveria dhe Kisha Ortodokse serbe nuk kishin rënë dakord për pozicionin dhe të drejtat e kishës në Mal të Zi. Vuksanoviç shton: “Dritan Abazoviç po u demonstron serbëve në Mal të Zi se ai nuk është armiku i tyre”.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga