web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Horten Ho 229: Avioni luftarak nazist që ishte dekada përpara kohës së tij

2 Janar 2023, 13:00, Blog CNA

Horten Ho 229: Avioni luftarak nazist që ishte dekada përpara

Në verën e vitit 1940, Rajhu i Tretë i Adolf Hitlerit dukej i pandalshëm. Disa javë më parë kishte pushtuar gjysmën e Polonisë me humbje minimale, dhe kishte pushtuar me shpejtësi Luksemburgun, Belgjikën, Holandën, dhe madje edhe Francën.

Vetëm një komb i rezistoi kundër fushatës imperialiste të Gjermanisë për dominimin total të Europës Perëndimore: Britania e Madhe. Por përpara se nazistët të mund ta nënshtronin Britaninë dhe të fillonin një pushtim përtej Kanalit Anglez, ishte e rëndësishme që ata të shkatërronin mbrojtjen britanike në brigjet e saj jugore dhe lindore.

Kjo ishte detyra që iu caktua forcave të fuqishme ajrore gjermane (Luftwaffe). Nga fundi i qershorit i vitit 1940, avionët bombardues gjermanë do të fluturonin vazhdimisht mbi Britani, duke sulmuar bregun dhe anijet. Ndonëse në fillim të fushatës kishte një raport 4 me 1, RAF- britanik doli fitimtar dhe Beteja e Britanisë u fitua në fundin e vitit 1940.

Horten Ho 229: Avioni luftarak nazist që ishte dekada përpara

Pas atij momenti, Luftwaffe u poshtërua, por nazistët nuk ishin gati të dorëzoheshin. Për të mposhtur ushtritë aleate, Gjermania do të rriste prodhimin e sistemeve të armëve të gjeneratës së ardhshme, me të cilat ata shpresonin të kthenin luftën në favor të tyre.

Midis këtyre eksperimenteve ishte ai mbi një lloj avioni të ri, i cili ishte aq shumë revolucionar dhe dekada përpara kohës së tij, sa që do të ndryshonte përgjithmonë industrinë e hapësirës ajrore. Ky avion fantastik ishte “Horten Ho 229”, një avion luftarak shumë përpara kohës së tij.

Britania e fitoi Betejën e Britanisë falë sistemit “Dowding”, që ishte ndoshta sistemi më i avancuar i mbrojtjes ajrore në botë gjatë asaj kohe. Ai sistem i shkëlqyer bashkonte teknologjinë e radarëve, ekuipazhet e vëzhgimit në tokë dhe avionët luftarakë, për të krijuar një sistem të unifikuar mbrojtjeje rreth brigjeve britanike.

Horten Ho 229: Avioni luftarak nazist që ishte dekada përpara

Por elementi kryesor ishte radari, që zbulonte dhe gjurmonte aeroplanët e armikut, një teknologji që ironikisht ishte shpikur nga gjermanët. Në kundërpërgjigje të sfidës që paraqiste nga radari, Luftwaffe i urdhëroi inxhinierët e saj më të mirë të projektonin një bombardues të ri me një shpejtësi të lartë që mund t’i shmangej radarit.

Herman Gëring, kreu i Luftwaffe-s, kërkoi ??të ashtuquajturën “3x1000”, pra një avion që mund të fluturonte me shpejtësi 1 mijë kilometra në orë, të transportonte 1 mijë kilogramë bomba, dhe të mbante karburant të mjaftueshëm për të udhëtuar 1 mijë kilometra pa ndërprerje.

Vëllezërit Horten, Raimar dhe Valter, u përballën me këtë sfidë dhe zhvilluan Ho 229 V3, një avion revolucionar që dukej dhe funksiononte si asgjë tjetër e parë më herët. Kërkesa për shpejtësi të lartë, nënkuptonte që inxhinierët duhej të hiqnin dorë nga motorët me helikë turbo, në favor të një motori të ri turbo-reaktiv.

Por siç mund ta dinë mirë ekspertët e fushës, zgjidhja e një problemi të caktuar mund të gjenerojë probleme të reja në fusha të tjera. Në këtë rast, motorët e avionëve e digjnin shumë shpejt karburantin - sidomos modelet e hershme nga Lufta e Dytë Botërore - ndaj dukej sikur ishte fizikisht e pamundur të prodhohej një avion që mund të fluturonte shumë shpejt, por njëkohësisht të kishte një rreze të gjatë.

Horten Ho 229: Avioni luftarak nazist që ishte dekada përpara

Këtu hyri në lojë inovacioni i rëndësishëm i vëllezërve Horten. Zgjidhja e tyre ishte rimodelimi i plotë i dizajnit të avionit luftarak të Luftës së Dytë Botërore. Ata u paraqitën me modelin e një avioni pa bisht, të ashtuquajturin “krah fluturues”. Ky lloj avioni ofron një sërë avantazhesh, si për shembull një vëllim më i madh i brendshëm për bartjen e ngarkesave.

Por përfitimi më i rëndësishëm ishte forma e tij shumë aerodinamike, që nuk gjeneronte thuajse fare fërkim me ajrin. Ndaj ky model mund të arrinte shpejtësi shumë më të larta duke konsumuar më pak karburant. Në fakt nuk ishin vëllezërit Horten, ata që e shpikën modelin e krahut fluturues.

Kompania amerikane “Northrop”, zhvilloi prototipin e saj për një avion bombardues me krahë fluturues gjatë Luftës së Dytë Botërore, një projekt ambicioz i njohur si “YB-35”, që supozohej të ishte në gjendje të bombardonte Europën e pushtuar nga nazistët duke u nisur nga Amerika e Veriut, në rast se kapitullonte Britania.

Megjithatë, vëllezërit Horten u shfaqën më të vendosur se amerikanët për ta zbatuar në praktikë këtë model, edhe pse asnjë prej tyre nuk arriti deri në fazën e prodhimit në masë. Por pjesa më intriguese e dizajnit të krahut fluturues ishte profili i tij i fshehtë. Për shkak se nuk kishte një bisht tradicional, avioni Ho 229 ishte shumë i vështirë për t’u dalluar nga radari.

Vëllezërve Horten nisën nga puna në gushtin e vitit 1943. Për të zgjidhur problemin e paqëndrueshmërisë, projektuesit gjermanë e bënë krahun më të gjatë dhe më të hollë. Tri prototipet e para, Ho 229 ishin avionë pa motor të destinuar për të testuar dizajnin e tyre aerodinamik.

Horten Ho 229: Avioni luftarak nazist që ishte dekada përpara

Pas testeve të suksesshme në marsin e 1944-ës, inxhinierët gjermanë montuan dy motorë turbojet Jumo 004B në prototipin pasues V2, secili i vendosur në të dyja anët e kabinës. Më 2 shkurt 1945, Ho 229 V2 pati fluturimin e tij të parë, që sipas të gjitha raporteve rezultoi një sukses i madh.

Avioni në formën e një lakuriqi nate ishte i aftë të arrinte shpejtësinë 975 kilometra në orë. Por më 18 shkurt gjatë një testi tjetër një nga motorët e V2 mori flakë, dhe u fik në mes të fluturimit. Me gjithë përpjekjet e pilotit për ta rivënë në punë, tymrat toksikë të dalë nga zjarri i morën jetën.

Pavarësisht tragjedisë, testet u shpallën të suksesshme, dhe Gëring miratoi prodhimin e shpejtë të 40 avionëve të këtij modeli. Por ai nuk pati asnjëherë shansin të fluturonte. Në atë moment lufta për Gjermaninë po shkonte shumë keq, dhe aleatët po nisnin të depërtonin brenda vetë kufijve të Gjermanisë.

Në prill 1945, trupat amerikane hynë në fabrikën në Friedrihroda ku prodhohej Ho 229. Një prototip V3, u dërgua në Shtetet e Bashkuara për t’u studiuar nga inxhinierët amerikanë. Ky transferim i teknologjisë, shërbeu për prodhimin avionëve të ardhshëm ushtarakë supersonikë.

Përkthyer nga CNA.al





22:00 Blog

Si lindi Panetone?

Panetonia është ëmbëlsira e preferuar e të gjithëve pë...

Lajmet e fundit nga