web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Sekreti i Japonisë është mësuesi”/ Thirrja për rikthimin e autoritetit në shkollat shqiptare

4 Korrik 2026, 17:23, Aktualitet CNA

Ish-zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj në një interviste për CNA TV vuri në dukje se sekreti i suksesit të sistemit arsimor japonez qëndron te vlerësimi i jashtëzakonshëm i mësuesit.

Ajo tha se në Japoni mësuesi gëzon statusin e perandorit, pagën e ministrit dhe mbështetjen e plotë të lidershipit shtetëror. Duke bërë krahasimin me Shqipërinë, ajo kujtoi se dikur mësuesi ishte figura më e respektuar në komunitet dhe nxënësit e konsideronin një autoritet moral e intelektual.

Sipas saj, me kalimin e viteve kanë ndryshuar raportet mes nxënësit dhe mësuesit, ndërsa respekti për figurën e mësuesit nuk është më në të njëjtat nivele si më parë. Ish-zëvendësministrja theksoi se sot sfida kryesore është rikthimi i ekuilibrave në sistemin arsimor shqiptar.

Ajo nënvizoi se një rol vendimtar në këtë proces ka drejtuesi i shkollës dhe mënyra se si ai e mbështet dhe e vlerëson stafin pedagogjik. Në përfundim, ajo u shpreh se mësuesi duhet të mbetet gjithmonë “nxënësi më i mirë i klasës”, duke qenë shembull për brezat e rinj.

 

"Kur e pyetën Japoninë dhe thanë si ka mundësi që sistemi i arsimit tuaj është i mrekullueshëm dhe ku është forca, forca është te mësuesi. Sepse ai tha ka respektin e perandorit, pra ka statusin e perandorit, ka pagën e ministrit dhe ka vlerësimin e një lidershipi. Që do të thotë, nëse ne dhe shoqërinë e kthejmë kur dikur në kohën time mësuesi ka qenë figura më e ndritur dhe ne kur kalonim në rrugë dhe shihnim mësuesin kishim të njëjtin emocion, ndonjëherë hiqnim instiktivisht duart nga xhepi. Tani kanë ndryshuar kohërat sepse fëmijët kanë marrë dhe të drejtat e tyre. Por është shumë e rëndësishme të rregullohen këto ekuilibra midis të drejtave dhe detyrimeve që ka një fëmijë dhe të drejtave dhe detyrimeve që ka një mësues. Për këtë arsye është shumë i rëndësishëm titullari i shkollës, në mënyrën se si e krijon klimën, në mënyrën se si përshtatet me mjedisin, në mënyrën se si i kupton mësuesit dhe mos të harrojmë një gjë, mësuesi është nxënësi më i mirë i klasës. Që do të thotë ai gjithë jetën e tij mëson, ai gjithë jetën e tij lexon", tha Malaj.





Lajmet e fundit nga