web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Po bëhet masakër në Kanionin e Erzenit"/ Zhupa publikon pamjet

28 Qershor 2026, 14:26, Aktualitet CNA

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, ka denoncuar shkatërrimin e Grykës së Skoranës në Kanionin e Erzenit, duke e cilësuar atë një tjetër “krim mjedisor” të qeverisë.

Në postimin e saj në rrjetet sociale, Zhupa shprehet se dëmtimi i zonës nga hedhja e inerteve dhe aktiviteti i pakontrolluar i firmave ndërtuese është pasojë e keqqeverisjes dhe jo e një fatkeqësie natyrore.

Ajo kërkon hetimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve, forcimin e ligjeve për mbrojtjen e mjedisit dhe akuzon qeverinë se promovon propagandë për turizmin.

Reagimi i Ina Zhupës:

Edhe Kanioni i Erzenit u masakrua. Qeveria Rama po varros një tjetër perlë natyrore të Tiranës.

Kjo video tregon një krim mjedisor që nuk mund të fshihet me propagandë. Gryka e Skoranës, një nga destinacionet më të bukura natyrore të Tiranës, është shkatërruar nga hedhja e inerteve dhe aktiviteti i pakontrolluar i firmave ndërtuese. Aty ku dikur familjet, të rinjtë dhe turistët shijonin natyrën e ujërat e Erzenit, sot ka mbetur vetëm shkatërrim.

Kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por pasojë e një qeverisjeje që ka braktisur mbrojtjen e mjedisit dhe ka zgjedhur t’u shërbejë interesave të klientëve të saj.

Duhen hetuar dhe vënë para ligjit përgjegjësit dhe forcuar ligjet dhe kontrollet në mbrojtje të pasurive tona natyrore.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë të humbasë një e nga një perlat e saj, ndërsa qeveria shet propagandë për turizmin, por lejon shkatërrimin e vetë natyrës që e bën këtë vend unik.

Për cfarë turizmi do flasim në Tiranë?! Turizmin e ndërtimit, turizmin e betonit?! /CNA





Lajmet e fundit nga