web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Kërkesa për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe, legjitime"/ Balla zhvillon takim me studentë nga Maqedonia e Veriut

27 Qershor 2026, 19:19, Aktualitet CNA

"Kërkesa për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe,

Gjatë një bashkëbisedimi me studentë nga Maqedonia e Veriut në Kuvendin e Shqipërisë, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë të njëjtin objektiv strategjik, i cili është anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Balla u shpreh se si dy vende aleate në NATO dhe pjesë e procesit të integrimit europian, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të vijojnë bashkëpunimin dhe të avancojnë reformat në përputhje me standardet europiane.

Duke u ndalur te çështja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ai theksoi se shqiptarët nuk janë një pakicë etnike, por një komunitet shtetformues dhe pjesë përbërëse e shtetit, me të drejta të garantuara që duhet të respektohen plotësisht.

Në këtë kuadër, Balla rikujtoi se kërkesa e studentëve shqiptarë për zhvillimin e provimeve shtetërore në gjuhën shqipe është legjitime.

Sipas tij, kjo kërkesë mbështetet edhe nga rezoluta e fundit e Parlamentit Europian për Maqedoninë e Veriut, e cila u bën thirrje autoriteteve të zbatojnë standardet europiane dhe frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

“Këto standarde janë respektuar gjatë qeverisjes së udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë dhe duhet të vazhdojnë të respektohen, pasi zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit mbetet një kusht thelbësor për forcimin e demokracisë, bashkëjetesës ndëretnike dhe përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se Shqipëria respekton dhe garanton të drejtat e pakicës maqedonase në Pustec, duke nënvizuar se mbrojtja e të drejtave të pakicave është një vlerë themelore europiane që duhet të udhëheqë të dy vendet në procesin e integrimit. /CNA





Lajmet e fundit nga