web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një vjetori i jetëndërrimit të Hirësi Dhimitrit/ Kryepiskopi Joan: Kujtimi i tij, akt besimi, shprese dhe falënderimi

28 Qershor 2026, 11:23, Aktualitet CNA

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Joani ka drejtuar sot Shërbesën e Mëngjesores dhe Liturgjinë Hyjnore në katedralen "Ngjallja e Krishtit" në Gjirokastër, ku është përkujtuar Hirësia e Tij, Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri, i cili u nda nga jeta një vit më parë.

Kryepiskopi Joan gjatë predikimit para besimtarëve, u shpreh se kujtimi i Imzot Dhimitrit nuk është larguar nga lutja e kishës dhe ndërgjegjja e atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të.

Fortlumturia e Tij, Joani theksoi se Zoti i ruan në dashurinë e tij ata që jetuan, shërbyen dhe u përpoqën në kishën e tij.

Kryepiskopi Joan tha se kujtimi i Mitropolitit të ndjerë Dhimitër fton njerëzit të ripërtërijnë ndërgjegjen se jeta ka kuptim kur bëhet dhuratë.

"Sot u mblodhëm për të përkujtuar përvjetorin e parë të fjetjes në Zot të Mitropolitit të ndjerë Dhimitër. Ka kaluar një vit nga dita kur ai dorëzoi shpirtin e tij në duart e Zotit dhe u largua nga ne. Po kujtimi i tij nuk është larguar nga zemrat tona, nga lutja e kishës dhe nga ndërgjegjja e atyre që e njohën, bashkëpunuan me atë dhe morën prej tij kujdes baritor. Kisha nuk i kujton të fjeturit të saj thjesht si një kthim të dhimbshëm në të kaluarën. Ajo i kujton përpara Perëndisë nën dritën e ngjalljes së Krishtit. Për ne kujtimi i një hierarku të fjetur nuk është vetëm nderim njerëzor, po akt besimi, shprese dhe falënderimi.

Ne besojmë se Zoti, i cili është perëndia jo i të vdekurve po i të gjallëve, i ruan në dashurinë e tij ata që jetuan, shërbyen dhe u përpoqën në kishën e tij. Mitropoliti i ndjerë, Dhimitër ishte punëtor i kishës, me përulësi, me qëndrueshmëri dhe me dashuri për popullin e Perëndisë. Shërbesa episkopale nuk është një nder njerëzor, po kryq. Është përgjegjësi përpara Zotit dhe përpara njerëzve. Është përkushtim i përditshëm, lutje, durim, kujdes për shpirtrat, gatishmëri për të mbajtur barrën e të tjerëve. Këtë kryq ai e mbajti me besnikëri duke e ditur se bariu nuk i përket vetvetes, po Krishtit dhe Kishës. Në historinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, çdo shërbesë merr një domethënie të veçantë. Kisha jonë u ngrit nga plagët e rënda të persekutimit, nga heshtja e imponuar, nga rrënimi i kishave dhe nga shpërndarja e popullit besimtar.

Rindërtimi i saj nuk u bë me fjalë të mëdha, po me besim, me lot, me sakrifica, me punë të palodhur dhe përkushtimin e shumë njerëzve, të njohur e të panjohur, në të cilët nderojmë gjithmonë veprën e Kryepiskopit të ndjerë Anastas. Brenda kësaj rruge qëndroi dhe Mitropoliti i ndjerë Dhimitër, si vëlla dhe bashkëmeshues, si bari, si anëtar i trupit sinodal, si një njeri që dha ndihmesën e tij për qëndrueshmërinë, unitetin dhe përparimin shpirtëror të kishës. Nuk është e lehtë të përmblidhet jeta e njeriut në pak fjalë. Aq më tepër jeta e një kleriku dhe hierarku. Shumë nga shërbesa e një bariu mbetet e fshehur. Lutjet që bëhen në heshtje, shqetësimet që mbahen pa u shfaqur, vendimet që merren me frikë perëndie, plagët që përpiqet të shërojë, njerëzit që ngushëllon, shpirtrat që forcon.

Këto nuk shkruhen gjithmonë në kronika, po shkruhen në kujtesën e perëndisë. Prandaj sot nuk qëndrojmë thjesht përpara kujtimit të një mungese. Qëndrojmë përpara misterit të jetës dhe vdekjes, përpara së vërtetës se nuk kemi këtu qytet të përhershëm, po ecim drejt mbretërisë së amshuar. Kujtimi i Mitropolitit të ndjerë Dhimitër na fton të ripërtërijmë ndërgjegjen tonë se jeta ka kuptim kur bëhet dhuratë, se shërbesa kishtare jep fryt kur ndërtohet mbi përulësinë, se vdekja nuk ka fjalën e fundit sepse fjalën e fundit i përket Krishtit të ngjallur.

Apostull Pavli na mëson, nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, dhe nëse vdesim, vdesim për Zotin. Pra edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, jemi të Zotit. Ky është një ngushëllim i madh i kishës. Nuk i përkasim harresës, nuk i përkasim prishjes, i përkasim Zotit. Dhe ata që shërbyen në altarin e shenjtë, që kullotën popullin e perëndisë dhe që u përpoqën në rrugën e kishës, i dorëzohen me besim mëshirës së tij të pafund. Me mirënjohje pra, kujtojmë sot Mitropolitin e ndjerë Dhimitër, falënderojmë perëndinë për gjithçka që u ofrua në kishë nëpërmjet shërbesës së tij", u shpreh Kryepiskopi Joan.  /CNA





Lajmet e fundit nga