LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Lori Caffee, "Top Albania Radio", "Top Channel" e deri te DigitAlb/ Kush ishte “Tani i Topit”, gjeniu i medias në Shqipëri

16 Tetor 2022, 11:01, Aktualitet CNA
Nga Lori Caffee, "Top Albania Radio", "Top Channel" e deri
Themeluesi i "Top Channel", Dritan Hoxha

Sot, themeluesi i "Top Channel", Dritan Hoxha, do të festonte 54-vjetorin e tij nëse, nuk do të kishte humbur jetën në aksidentin tragjik në vitin 2008.

Hoxha humbi jetën në aksident në 23 maj të 2008-ës, ku automjeti "Ferrari" me të cilin udhëtonte doli nga rruga, duke i shkaktuar atij vdekjen.

Ai njihej ndryshe si “Tani Topit”, themeluesi i revolucionit mediatik në Shqipëri.

I ndjeri Dritan Hoxha nisi të merrej me biznes në vitin 1995, ku si fillim e nisi më krijimin e markës së kafesë së njohur Lori Caffee.

Duke qëndruar më pas në të njëjtën fushë të veprimtarisë tregtare, ai e zgjeroi më tej aktivitetin e biznesit, duke futur në treg edhe një markë tjetër të kafes së importuar “Illy Cafe”. Aktiviteti tregtar në këtë fushë dhe karakteri ambicioz i biznesmenit e orientuan atë drejt projekteve më të gjera dhe më të fuqishme.

Nga Lori Caffee, "Top Albania Radio", "Top Channel" e deri

Suksesi që pati me krijimin e këtij biznesi e ndihmoi të ngrinte dhe të plotësonte ëndrrën e tij për median.

Kështu më 14 shkurt të 1998, themeloi "Top Albania Radion", e cila ishte media që tregoi së pari idetë e tij inovatore.

Në vitin 2001, data 20 dhjetor, krijoi televizionin "Top Channel". Ndonëse ky ishte një projekt që Dritan Hoxha e kishte projektuar më parë në mendjen e tij.

Një investim i madh, në Shqipëri, në njerëz dhe në teknologji, që falë përkushtimit të punës së përbashkët dhe pasionit të përditshëm të krijuesit të tij u kthye shpejt, brenda pak javësh, në një nga televizionet më të ndjekur dhe më pas në televizionin kryesor në vend për nga audienca.

"Top Channel" ndryshoi krejtësisht panoramën televizive në Shqipëri. Dritan Hoxha nuk ndërtoi një televizion sipas kushteve të kohës, por kërkoi të ndryshonte status quo-në e mediave ende primitive në Shqipëri dhe të ngrinte një shërbim cilësor pranë njerëzve dhe për të gjithë shqiptarët.

Prandaj me standardet e reja që ai vendosi në treg, "Top Channel" u shndërrua në ekranin më të dashur të shqiptarëve për nga shpejtësia dhe cilësia e informimit, programet dhe spektaklet që nuk kishin asgjë më pak se ato të shumë prej televizioneve të njohura në vendet e zhvilluara të Europës. Këtij pasioni dhe mundi njerëzor ai i bashkangjiti edhe investimin teknologjik, që ndihmoi në përcjelljen e sinjalit kudo me një kualitet maksimal.

Suksesi i "Top Channel" e ndihmoi Dritan Hoxhën të vinte në jetë një tjetër ëndërr, atë të krijimit të një platforme të transmetimeve numerike. Dhe në këtë mënyrë lindi DigitAlb. Më 14 korrik 2004, Shqipëria u rendit zyrtarisht ndër të paktët vende në botë me transmetime dixhitale. Një ide, që disa muaj më parë shumëkush mund ta kishte cilësuar si të pamundur, tashmë ishte kthyer në realitet.

Dhe në thatësirën e shërbimeve që i ofroheshin shqiptarëve, të cilën "Top Channel" nuk mund ta mbushte dot i vetëm, DigitAlb u shndërrua në një sukses të vërtetë. Vetëm pak muaj më vonë, Dritan Hoxha vendosi ta bënte atë të prekshme për të gjithë shqiptarët, edhe për ata që jetonin jashtë Shqipërisë. DigitAlb u kthye edhe në një platforme dixhitale satelitore, duke sjellë atdheun në cdo shtëpi emigrantësh, kudo që ata ndodheshin në Europë. Tani DigitAlb numëron qindra mijë abonentë në Shqipëri dhe jashtë saj.

Ndërsa në 20 dhjetor 2006 lançoi teknologjinë DVBH, që do t’u sillte shqiptarëve mrekullinë e televizionit në celuar dhe do ta bënte Shqipërinë një ndër vendet e para në botë që aplikonin këtë teknologji dhe ofronin këtë shërbim.

Viti 2007 do të shënonte një tjetër risi, transmetimet HD. Nëpërmjet saj DigitAlb u kthye në platformën lider në tregjet europiane, duke transmetuar në plot 6 kanale HD dhe duke e vendosur Shqipërinë në krye të çdo renditje në këtë fushë, ndoshta për herë të parë për arritje dhe jo fenomene negative.

Nga Lori Caffee, "Top Albania Radio", "Top Channel" e deri

Pikërisht për të gjitha këto arritje, Dritan Hoxha krahas vlerësimit dhe nderimit të miliona shqiptarëve, është vlerësuar me medalje edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, si dhe është shpallur qytetar nderi i Tiranës dhe Vlorës, nga Këshillat Bashkiak të këtyre qyteteve. Tri rrugë mbajnë emrin e tij, një në Tiranë, një në Prishtinë dhe tjetra në Tetovë si simbole të kontributit që Dritan Hoxha dha për bashkimin kulturor dhe emancipimin e shqiptarëve në të gjitha trojet etnike.

Pas këtyre investimeve në industrinë mediatike, Dritan Hoxha e zgjeroi më tej aktivitetin e tij edhe me një gazetë të përditshme “Shqip”, dhe më pas edhe me prodhimin dhe futjen në qarkullim të telefonit të parë celular në Shqipëri, që njëkohësisht ofronte edhe shërbimin e televizorit të lëvizshëm.

Megjithatë në të gjithë veprimtarinë e tij, kulmi i suksesit dhe aktiviteti të cilit biznesmeni i përkushtohej më shumë, ishte televizioni “Top Channel”. Një sigël me të cilën biznesmeni kishte filluar të identifikohej gjithnjë e më shumë prej vitit 2001, kur për herë të parë ky kanal televiziv filloi transmetimet e tij./ CNA.al

Lajmet e fundit nga