web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Arratisja e Altin Ndocit/ Shtyhet seanca për dosjen "Plumbi i Artë"

15 Janar 2026, 12:10, Aktualitet CNA

Arratisja e Altin Ndocit/ Shtyhet seanca për dosjen "Plumbi i

Seanca për dosjen “Plumbi i Artë” është shtyrë për në datën 20 janar. Shkak për shtyrjen është bërë arratisja e Altin Ndocit, i cili është i pandehur në këtë dosje. Në gjyqin e sotëm ka qenë i pranishëm vetëm avokati i Ndocit. Raportohet se Drejtoria e Burgjeve ka njoftuar zyrtarisht Gjykatën e Posaçme lidhur me arratinë, ndërsa njoftimi është lexuar gjatë seancës.

“Nuk mund të bëhet shoqërimi i Altin Ndocit, pasi nuk ndodhet në ambientet e IEVP Durrës, si pasojë e arratisjes së tij nga Spitali Rajonal Durrës. Ai është shpallur në kërkim nga policia”, thuhej në njoftim.

Ndërkohë prokurorët e SPAK-ut kanë kërkuar që procesi gjyqësor të vijojë, me arsyetimin se nuk ka asnjë ndryshim për pjesën tjetër të të akuzuarve.

Në përfundim të seancës, avokati i Ndocit, Aldo Shkëmni dha një prononcim për mediat, ku tha se klientin e tij nuk e ka takuar prej kohësh.

“I pandehuri duhet të njoftohet për procesin që po zhvillohet ndaj tij, duke qenë se edhe në seancat e mëparshme ai është njoftuar dhe ka shprehur vullnetin të përfaqësohet nga unë dhe nga kolegia, znj. Zotaj. Në kushtet e mungesës së një deklarate nga i pandehuri për seancën e sotme, për të respektuar parashikimet ligjore që lidhen me njoftimin e të pandehurit në rastet kur ai është në kushtet e kufizimit të lirisë, kur nuk gjendet apo kur është i lirë, dhe për të arritur në pikën ku duhet të deklarohet fakti nëse i pandehuri fshihet apo jo nga drejtësia, gjykata detyrimisht duhet të shtyjë seancën, në mënyrë që të kërkojë informacion më të detajuar nga Policia e Shtetit lidhur me kërkimet që po bëhen për shtetasin Altin Ndoci.

Paraprakisht, ky është një proces i gjatë dhe ka vite që zhvillohet, prandaj nuk kam komunikuar me klientin. Pozicioni ynë është i konsoliduar, dhe klienti ka pasur besim se do të bëjmë mbrojtje efektive. Ne nuk kemi pasur dijeni përpara në lidhje me veprimet ose mosveprimet e tij, as pas. SPAK dhe institucionet ligjzbatuese po bëjnë verifikimet përkatëse për largimin e shtetasit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit. Unë personalisht, si mbrojtës, kam shumë kohë që nuk e kam takuar, pasi nuk ka qenë e nevojshme. Kemi pasur marrëdhënie formale dhe profesionale me klientin, pa kontakte fizike ose telefonike”, u shpreh avokati. 

Në dosjen “Plumbi i Artë” Altin Ndoci akuzohet për krime të rënda, përfshirë vrasje, trafik droge dhe vepra të tjera kriminale. /CNA





Lajmet e fundit nga