LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një qeveri e re e gatshme për ndryshime

27 Nëntor 2021, 08:41, Kosova & Bota CNA
Një qeveri e re e gatshme për ndryshime

Marrëveshja për qeverinë e re gjermane mban titullin “Të guxojmë më shumë përparim.” Titulli të kujton sloganin e kancelarit Willy Brandt në vitin 1969 “Të guxojmë më shumë demokraci”.

Willy Brandt-it i njihet merita që inicioi një transformim (socialdemokrat) të politikës sociale dhe arsimit në Gjermani, si dhe të politikës së jashtme të Gjermanisë. Qeveria e re trepartiake synon për Gjermaninë ?politikën e ndikimeve të mëdha?, u shpreh Kancelari i ardhshëm, socialdemokrati Olaf Scholz. Marrëveshja karakterizohet nga fryma e ndryshimit, “për të kapërcyer statuskuonë”, për një “ekonomi tregu sociale-ekologjike” në Gjermani.

Megjithëse në koalicion janë dy parti të majta, Socialdemokratët dhe Të Gjelbrit, dhe një parti konservatore, liberalët e FDP-së, marrëveshja është e balancuar. Në të janë të ndjeshme qëndrime të përbashkëta liberale dhe sociale: do të legalizohet (me kufizime) një drogë si kanabisi; do të lehtësohet integrimi i të huajve: nënshtetësia gjermane do të merret më herët, diplomat e huaja do të njihen më lehtë, emigrimi i të kualifikuarve në Gjermani do të zgjerohet.

Në qendër të marrëveshjes për qeverinë e re janë klima dhe modernizimi i Gjermanisë. Në raport me botën, marrëveshja e qeverisë premton thekse të reja në politikën e jashtme gjermane.

Marrëveshjet apo kontratat për qeverinë në Gjermani janë deklarata synimesh, pa fuqi ligjore. Ndaj testi i vërtetë edhe për synimet e kësaj marrëveshjeje do të jenë sfidat e qeverisjes. Njëkohësisht, qeveritë gjermane kanë një histori të mirë të respektimit të marrëveshjeve qeveritare: i kanë respektuar ato në 80 përqind të përmbajtjeve.

Marrëveshja premton që ndaj klimës të arrihet neutraliteti deri në vitin 2045. Deri në vitin 2030, tetë vjet më herët nga plani aktual, synohet të mbyllet termocentrali i fundit me qymyr në Gjermani. Deri në këtë vit synohet që Gjermania të sigurojë 80% të nevojave për energji nga energjitë e ripërtëritshme. Do të krijohet një superministri për Ekonominë dhe Klimën, që do të drejtohet nga Të Gjelbrit.

Në ekonomi qeveria shpall si parime të politikës financiare “financat solide dhe përdorimin kursimtar të parave të taksapaguesve”.  Shumë ekonomistë në Gjermani janë shprehur të lehtësuar që marrëveshja tregon se “politika financiare ekspansive nuk do të vijë”.

Frika e ekonomisë me fitoren e partive të majta në zgjedhje ishte se për të pasur fonde për investime, do të merreshin borxhe pa kriter. Por tani frena e kufirit të borxheve, e sanksionuar në kushtetutën gjermane, nuk do të preket.

Njëkohësisht, marrja e borxheve është bërë më e lehtë. Për investimet publike dhe private janë gjetur opsione “pragmatike”: do të ketë një rol më të madh Banka Gjermane për Zhvillimin, banka shtetërore e investimeve; peshë më të madhe do të fitojnë partneritetet publike-private.

Taksa për pasurinë, një kërkesë e socialdemokratëve dhe Të Gjelbërve në fushatën elektorale nuk do të vijë. Ky nuk është thjesht një koncesion ndaj liberalëve të FDP-së, por është pranim i realitetit, përballë fitores jo të thellë të të majtëve ndaj konservatorëve në zgjedhjet parlamentare.

Por do të kemi një ngritje të pagës minimale bazë në 12 euro për orë, premtim qendror i socialdemokratëve. Nga kjo do të përfitojnë 10 milionë vetë. Kemi edhe zotim për pensione të qëndrueshme dhe për më shumë banesa sociale.

Në qëndrimin financiar ndaj Evropës pritet një vazhdimësi e politikës së viteve të fundit të kancelares Merkel. Vitet e fundit, politika financiare gjermane ndaj Evropës faktikisht ndryshoi: u vërejt një afrim i pozicioneve gjermane dhe evropianoveriore me jugun e Evropës.

Qeveria e re gjermane mbështet bashkimin bankar në BE. Ajo angazhohet edhe për “zhvillimin e mëtejshëm të rregullave të politikës fiskale.” Kjo nënkupton, sipas marrëveshjes,thjeshtëzimin e rregullave të Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes, që rregullon edhe kufirin e lejuar për hyrjen në borxh të shteteve të BE. Franca dhe shtetet jugore duan ta ngrejnë kufirin e lejuar të borxheve.

Por sjellja e rreptë financiare mbetet konsensus i klasës politike në Gjermani. Marrëveshja sugjeron se do të kemi rivlerësim të modaliteteve teknike të Paktit të Stabilitetit. Ajo thotë se Pakti i Stabilitetit ka dëshmuar fleksibilitetin e tij. Dhe se duhet që borxhi të mbetet i pagueshëm. Më tej, qeveria tregohet e hapur të diskutojë, me kushte, edhe një skemë risigurimi për garancitë e depozitave në gjithë BE. Kjo përjashtohej më parë nga Gjermania.

Thekset që vë Gjermania në politikën e jashtme kanë rëndësi për Bashkimin Evropian. Linja e Gjermanisë p.sh. ndaj shteteve partnere e rivale si Kina apo Rusia ndiqet zakonisht nga i gjithë Bashkimi Evropian.

Në politikën e jashtme, priten të theksohen më fort në marrëdhënie me shtetet elementë si vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut. Kjo vërehet edhe në retorikën që përdoret në marrëveshjen e qeverisë. Në marrëveshje bëhet thirrje për zgjedhje të reja në Bjellorusi. Dhe për sanksione të tjera, nëse Alexander Lukashenko nuk ndryshon kursin.

Në marrëdhëniet me Kinën, marrëveshja e qeverisë prek pika që kanë rezultuar nevralgjike, si Tajvani dhe Xinjiangu. Qeveria thotë se do të trajtojë shkeljet e të drejtave të njeriut, veçanërisht në Xinjiang. Ajo “mbështet përfshirjen demokratike të Tajvanit për çështje specifike në organizatat ndërkombëtare”. Kina përcaktohet si partnere potenciale, por edhe si rivale sistemore.

Përsa i përket Rusisë, marrëveshja e qeverisë gjermane i kërkon asaj të “ndalojë menjëherë” përpjekjet për destabilizimin e Ukrainës. “Dialogu konstruktiv” i Gjermanisë me Rusinë do të mbajë parasysh “rreziqet e perceptuara” nga Rusia.

Marrëveshja e qeverisë sinjalizon se qeveria e re do të jetë e angazhuar aktivisht për integrimin evropian. Në plan afatmesëm apo afagjatë, qeveria gjermane mbështet “ndryshimin e marrëveshjeve themeluese të BE”. Ajo shprehet për krijimin e një federate të shteteve evropiane, pas reformave, në kuadër të Konferencës për të Ardhmen e Evropës. Kjo federatë duhet të drejtohet në mënyrë të decentralizuar dhe sipas parimit të subsidiaritetit. Pra Brukseli angazhohet kur shtetet nuk ia dalin dot mbanë detyrave.

Më tej qeveria e re gjermane angazhohet për një “Evrope sovrane?, në qendër të politikës së  jashtme. Me Evropë sovrane, në marrëveshjen e qeverisë së re gjermane kuptohet aftësimi i Evropës në fusha strategjike si p.sh. furnizimi me energji, shëndetësia, importet e lëndëve të para dhe teknologjia digjitale; mbrojtja e teknologjisë dhe infrastrukturës kritike; mbrojtja më e mirë e sipërmarrjeve evropiane nga sanksionet ekstraterritoriale.

Si partnerët më të ngushtë të Gjermanisë deklarata përmend në radhë të parë Francën dhe SHBA. Kancelari i ardhshëm, Olaf Scholz tha në prezantimin e marrëveshjes qeveritare se politikën e jashtme Gjermania do ta zhvillojë “në miqësi me Francën dhe në partneritet me SHBA?.

Në marrëveshje shkruhet më tej se Gjermaninë e lidh një miqësi e thellë me Poloninë. Njëkohësisht marrëveshja thotë se “ne do të mbështesim propozimet e Komisionit Evropian për pagimin e fondeve vetëm nëse garantohen kërkesa të tilla si pavarësia e gjyqësorit”. Kjo kuptohet si paralajmërim për problemet me Poloninë dhe Hungarinë.

Ballkani pritet të ketë një rëndësi të qartë për qeverinë e re gjermane. Marrëveshja për qeverinë i përmend me emra, jo në grup, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që duan të anëtarësohen në BE. Kjo vëmendje tregon se zgjerimin e BE me Ballkanin, edhe qeveria e re gjermane e sheh si element strategjik për Evropën.

Qeveria e re gjermane kërkon në marrëveshjen e koalicionit që “si hap pasues duhet të hapen kapitujt e parë të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duhet vendosur liberalizimi i vizave me Kosovën dhe të vazhdohen negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë”.

“Ne mbështesim dialogun e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE”, thuhet në marrëveshje. “Paralelisht me negociatat e anëtarësimit, BE duhet të përmirësojë kapacitetin e tij pranues”. Franca pati thënë më parë se pa përmirësim kapacitetesh pranimi, me të nuk ka zgjerim të BE.

Ajo që thuhet për Ballkanin në marrëveshjen e qeverisë është marrë, thuajse fjalë për fjalë, nga formulimet në programin elektoral të Të Gjelbërve dhe pjesërisht të socialdemokratëve. Do të jenë Të Gjelbrit që do ta drejtojnë Ministrinë e Jashtme gjermane, me bashkëkryetaren e partisë, Annalena Baerbock. Kjo parti e ka kritikuar qeverinë aktuale, se interesat e Gjermanisë i ka kufizuar në interesa ekonomike të Gjermanisë.

Politika e jashtme gjermane në 16 vitet e fundit është drejtuar kryesisht nga Kancelaria Federale. Ndaj mbetet të shihet sa të ndjeshme do të jenë në Realpolitikë pozicionet e Të Gjelbërve, të artikuluara përmes Ministrisë së Jashtme gjermane.

Njëkohësisht ia vlen të kujtojmë se Të Gjelbrit kanë një histori suksesi në Ministrinë e Jashtme me Joshka Fischerin, ish-ministrin e Jashtëm gjerman, 16 vjet më parë. Fisheri krijoi një profil të qartë dhe me ndikim në qëndrimet e Gjermanisë. Në luftën kundër Jugosllavisë, ai u bë mbështetësi kryesor i Ministres së Jashtme amerikane, Madlen Allbright, për ndërhyrjen ushtarake në mbrojtje të kosovarëve. Këtë vlerësim e bëri pak kohë më parë vetë Allbright./DW

Lajmet e fundit nga