web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

GRAFIKU/ Rritja e taksave nga 2014-a shtoi shumë pak të ardhurat

15 Mars 2018, 07:37, Ekonomi CNA

Të ardhurat në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto u përmirësuan vetëm me 0.1 pikë përqindje vitin e kaluar, teksa arritën në 27.7 për qind e PBB-së në raport me 26.6% që ishin në vitin 2016. Ky nivel është shumë më i ulët se pritjet e qeverisë e cila synonte që këtë vit të çonte të nivelin e të ardhurave në 28.2 % e PBB-së, pra 0.6 pikë përqindje më shumë se vitin e mëparshëm.
Ritmet e rritjes së të ardhurave në raport me PBB ishin më të ulëtat që nga viti 2013. Viti 2014 shënoi rekordin historik të periudhës së tranzicionit të rritjes së të ardhurave në raport me PBB me 2.1 pikë përqindje brenda një viti.
Qeveria ka rritur ndjeshëm taksat që nga viti 2014. Në vitin 2014 tatim fitimi u rrit nga 10 në 15% dhe një vit më pas tatimi mbi të ardhurat dhe fitimet e tjera u rrit po nga 10 në 15%. Njëkohësisht dhe akciza e produkteve ka njohur rritje vit pas viti. Krahas rritjes së taksave, qeveria ka ndjekur një kurs të shtrënguar fiskal që nga 2014 dhe gjithashtu ka ndërmarre një aksion antiinformalitet me bazë të gjerë. Por këto masa nuk kanë ndikuar në rritjen e dukshme të të ardhurave në raport me PBB-të cilat në fund të vitit 2017 janë përmirësuar me 1.4 pikë përqindje në krahasim me vitin 2014, një rezultat që në katër vjet mund të arrihej dhe nëpërmjet mirëadministrimit fiskal.
Më këtë nivel të ardhurash në raport me PBB, Shqipëria do ta ketë të vështirë t?i afrohet mesatares rajonale mbi 34 %.
Të ardhurat buxhetore mbyllen vitin 2017 me një arkëtim ne total prej 430,9 miliardë lekësh. Rritja ishte 5.7 për qind në raport me faktin e 2016, teksa plani vjetor nuk u realizua me 2.7 për qind, ose 12 mld lekë (90 mln euro).
Siç shihet nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave rritja e faktike e të ardhurave me rreth 6 për qind reflektoi rritjen ekonomike të vitit 2017 (pritshmëritë rreth 3,9%) dhe inflacionin e vitit me rreth 2%.
Vetëm rritja e ekonomisë dhe inflacionit së bashku (6%) ka prodhuar rritjen faktike te të ardhurave 6 %, teksa mbetet e pa pasqyruar rritja nga miradministrimi fiskal duke marrë në konsideratë edhe fazën e dytë të luftës ndaj informalitetit në të cilën janë përfshirë strukturat fiskale të qeverisë.
Edhe në vitet e mëparshme, përveçse në 2014-n, kur rritja nominale ishte 12.1%, në vitet e mëpasshme ajo ishte njëshifrore, në 2015-n 3.4%, në 2016-n arriti 7.3% dhe në 2017-n u ngadalësua në 5.7%, duke reflektuar në pjesën më të madhe vetëm rritjen ekonomike dhe inflacionin. Ky është një tregues indirekt se rritja e taksave ka shtuar informalitetin në vend, një vlerësim ky edhe i FMN-së në një raport të pak kohëve më parë. Sipas FMN, ekonomia informale e Shqipërisë është rritur përgjatë viteve 2014 -2015. Të dhënat e Fondit tregojnë se në vitin 2015 ekonomia informale e Shqipërisë arriti në 26.2 për qind, teksa në vitin 2013 ky tregues ishte 25.6 për qind. / Monitor





Lajmet e fundit nga