LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si e bleve apartamentin në Tiranë?/ KPK-së nuk i dalin llogaritë e gjyqtarit Arbër Çela

3 Dhjetor 2022, 09:55, Vetingu Edmond Hoxhaj

Si e bleve apartamentin në Tiranë?/ KPK-së nuk i dalin

Gjyqtari i Gjykatës së Shkodrës, Arbër Çela,  u përball të premten më 2 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për balanca negative në vlera të konsiderueshme për blerjen e një apartamenti, dyshime për formalizimin e blerjes së një automjeti dy vjet me vonesë për shkak të mungesës së burimeve të ligjshme, si dhe për gjetjet në kriterin e pastërtisë së figurës lidhur me indicie për lehtësimin e disa palëve në proceset gjyqësore që ka shqyrtuar.

Çela i kundërshtoi konkluzionet paraprake të KPK-së për pasurinë, duke pretenduar se kishte arritur të provonte burimet e ligjshme të pasurisë së vetme që zotëron, ndërsa e cilësoi fyes dhe të padrejtë raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, që ngrinte dyshime për figurën.

Procesi i rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin, Arbër Çela, po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa (Bungo). Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Arbër Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe punon prej një dekade si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ai ushtron gjithashtu funksionin e kryetarit në detyrë.

Balancat negative

KPK i ka kaluar gjyqtarit Çela barrë prove për balancat negative të konstatuara gjatë analizës për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 91.91 m2 në Tiranë në vitin 2013, kundrejt çmimit 73 mijë e 528 euro, në bashkëpronësi me kushërirën e tij me pjesë takuese 50% secili. Në vitin 2018, prindërit e subjektit kanë blerë pjesën takuese të bashkëpronares për vlerën 4 milionë lekë.

Relatorja Sanxhaktari shpjegoi se subjekti ka deklaruar si burime për pagesën e vlerës së pjesës takuese një kredi në shumën 30 mijë euro, 4000 euro të dhuruara nga prindërit dhe rreth 2700 euro kursime nga puna e tij si gjyqtar. Nga hetimi ka rezultuar se prindërit e Çelës kanë pasur burime për vlerën e dhuruar. Po ashtu, edhe subjekti ka pasur mundësi për kursimin e shumës 2700 euro.

Sipas KPK-së, subjekti rezulton ta ketë përdorur apartamentin, përfshi edhe pjesën takuese të ish-bashkëpronares pa kundërshpërblim, derisa prindërit e kanë blerë gjysmën e kësaj pasurie në 2018-ën.

Ndërkohë, nga verifikimi i dokumentacionit bankar lidhur me pagesat e kryera për këtë pasuri, ka rezultuar se subjekti ka shlyer rreth 77% të vlerës së çmimit të apartamentit, kurse pjesën tjetër e ka paguar bashkëpronarja, shtetasja E.Zh.

Nga verifikimi i kryer prej KPK-së, ka rezultuar se kredia në vlerën 30 mijë euro e marrë nga subjekti, pas disbursimit është transferuar në llogarinë e një shtetasi që nuk ka lidhje me shoqërinë ndërtuese, me përshkrimin “kthim borxhi”.

Nisur dhe nga fakti se kredia është disbursuar rreth 5 muaj pas kryerjes së pagesës për apartamentin, KPK vlerëson paraprakisht se nuk mund të ketë shërbyer si burim për krijimin e kësaj pasurie.

Gjatë hetimit administrative, Çela ka sqaruar se për pagesën e kyer për banesën, veç kursimeve të tij dhe dhurimit të prindërve, ka shërbyer edhe një hua e marrë për një periudhë të shkurtër deri në disbursimin e kredisë.

Sanxhaktari vërejti se nuk janë gjetur të dhëna për deklarimet periodike të subjektit për këtë hua. Nisur nga fakti se janë gjetur gjurmë të ekzistencës së kësaj marrdhënie për shkak të transferimit të shumës së kredisë me shënimin “kthim huaje”, KPK ka vlerësuar të konsiderojë huadhënësin e pretenduar prej subjektit si person tjetër të lidhur dhe ka kryer analizën financiare për mundësinë e tij.

Nga hetimi ka rezultuar se huadhënësi ushtron prej vitesh aktivitet tregtar. Relatorja Sanxhaktari sqaroi se huadhënësi F.H. rezulton të ketë nënshkruar kontratë premtim shitje të një objekti + mall stok për një vlerë rreth 100 mijë euro, por nuk ka rezultuar që të kishte kontratë të mëvonshme që të vërtetonte nëse ishte përmbyllur apo anuluar ai transaksion. I paqartë për Komisionin ka mbetur edhe deklarimi i subjektit se huadhënësi kishte marrë si paradhënie një vlerë të konsiderueshme.

Subjekti ka kërkuar që huadhënësi F.H. të mos konsiderohet si person tjetër i lidhur, pasi huaja është marrë dhe kthyer brenda disa muajve, duke mos pasur sipas tij marrëdhënie interesi.

Por, KPK ka vendosur të hetojë mundësinë financiare të F.H., prej nga ka rezultuar se nuk mund të provohet nëse ai ka disponuar vlerën 30 mijë euro në momentin e huadhënies.

Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se në periudhën kur pretendohet se është marrë huaja nga N.H., prindërit e subjektit kanë disponuar likuiditete në vlera të konsiderueshme në llogaritë e tyre bankare. Sipas Sanxhaktarit, subjekti ka deklaruar se nuk ka dashur të prishë depozitat e prindërve, prandaj dhe ka marrë hua diku tjetër.

Komisioni e konsideron bashkinvestuesen fillestare në këtë pasuri si person tjetër të lidhur dhe ka kryer analizën e burimeve financare që ajo ka disponuar për të mundësuar kryerjen e pagesave nga ana e saj. Subjekti ka deklaruar se bashkëpronarja e ka shlyer gjysmën e vlerës së apartamentit me kursimet e saj nga pagat + hua.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se nuk janë vërtetuar me dokumentacion justifikues ligjor një pjesë e të ardhurave nga pagat e ish-bashkëpronares së apartamentit.

Po ashtu sipas Sanxhaktarit, një hua e marrë nga ish-bashkëpronarja nuk është pasqyruar në deklarimet e subjektit dhe shpjegimet e tij të mëvonshme janë konsideruar në nivel deklarativ. “Subjekti i rivlerësimit duket se ka paraqitur burime të reja gjatë hetimit administrativ dhe duket se ky pretendim është kryer për të justifikuar gjendjen financiare të bashkëinvesuteses E.Zh. për këto pagesa”, pohoi Sanxhaktari dhe vërejti se prej analizës financiare duket se ish-bashkëpronares së subjektit në apartamentin në Tiranë i mungojnë burimet financiare për të shlyer pjesën e saj takuese.

Në përfundim, Komisioni ka konsideruar se kontributi i subjektit në krijimin e kësaj pasurie ka qenë në masën 77% të vlerës totale të paguar dhe i ka kaluar barrë prove për mospërputhje të gjendjes faktive me atë të deklaruar, për ndryshim të burimeve gjatë hetimit administrativ dhe një balancë negative totale në shumën rreth 7 milionë lekë, ku janë përfshirë dhe pamundësitë e ish-bashkëpronares.

Subjekti e pranoi si të drejtë konstatimin e KPK-së për mospasqyrimin e huamarrjes, por ai këmbënguli se kjo marrëdhënie kishte qenë afatshkurtër. “Ashtu e kam interpretuar dhe interpretoj ligjin, që të deklaroj çdo detyrim të mbetur në fund të vitit dhe jo atë që është shlyer”, argumentoi ai dhe vërejti se kishte konsideruar si burim për apartamentin kredinë dhe jo huanë.

Për të vërtetuar marrëdhënien e huasë, Çela solli në vëmendje se dokumentacioni bankar i paraqitur prej tij vërtetonte se kredia ishte marrë për të shlyer huanë dhe jo për apartamentin. Po ashtu, vërejti se në mandat-pagesën për apartamentin ishin shënuar si burim kursimet dhe huadhënia.

Subjekti këmbënguli se huanë e kishte marrë për disa ditë, por sipas tij, kishin qenë procedurat bankare që e kishin vonuar për disa muaj disbursimin e kredisë.

Në vijim, Çela vërejti se huadhënësi kishte pasur të ardhura në vlerë disa herë më të lartë nga sa i kishte dhënë hua. Sipas tij, ishte e provuar se huadhënësi kishte tërhequr nga të ardhurat e aktivitetit rreth 13 milionë lekë deri në vitin 2013 dhe kishte marrë kaparin në vlerën 4 milionë lekë.

Çela theksoi se bashkëinvestuesja E.Zh. nuk mund të konsiderohej si person tjetër i lidhur. Megjithatë, ai pohoi se kishte depozituar dokumentacion që vërtetonte të ardhurat reale nga paga e saj prej vitit 2009 që mbulonin vlerën e paguar nga kursimet.

Sipas subjektit, nuk ishte detyrim i E.ZH. në cilësinë e punëmarrëses të paguante detyrimet dhe se nuk mund të penalizohej ai për këtë gjë. Çela shtoi se ish-bashkëpronarja kishte hapur edhe një gjyq ndaj punëdhënësit lidhur me shmangien e detyrimeve.

Gjyqtari Çela pretendoi se E.Zh. kishte pasur mundësi të kursente rreth 25 mijë euro dhe kishte marrë dy hua, ku të tria këto burime sipas tij ishin të mjaftueshme për shlyerjen e pjesës së saj takuese.

I pyetur në fund të seancës lidhur me pagesën e pjesës më të madhe të çmimit nga ana e tij, subjekti sqaroi se pasi kishin nënshkruar kontratën tek noteri, së bashku me bashkëinvestuesen kishin shkuar në bankë për të kryer pagesën. Subjekti tha se ishte afruar ai tek arka dhe kishte kryer pagesën e shumës rreth 57 mijë euro që dispononin atë ditë të dy me vete, ndërsa pjesa tjetër ishte arkëtuar më vonë për llogari të shoqërisë ndërtuese nga ish-bashkëpronarja.

“Nuk mund të cenohet karriera ime përse derdhja e vlerës është kryer vetëm nga unë në arkë. Po të vlerësojmë të kundërtën, nëse do të ishte afruar ajo tek arka dhe do të kishte kryer gjithë pagesën, do të ishte shmangur kjo pasuri nga hetimi?”, pohoi subjekti dhe theksoi se gjithmonë kishte deklaruar se zotëronte ½ pjesë takuese, si dhe se babai kishte blerë gjysmën e apartamentit.

Ai vërejti se babai kishte pasur likuiditete të mjaftueshme për ta blerë atë pasuri që në 2013-ën dhe se nuk mund të ngrihej asnjë dyshim se marrëdhënia e bashkëpronësisë me shtetasen E.Zh. mund të kishte qenë fiktive.

Gjyqtari Arbër Çela ka deklaruar blerjen e një automjeti në vitin 2016, kundrejt çmimit 4000 euro. Ndërkohë, rezulton se kjo makinë që është blerë nga pala shitëse në 2014-ën për shumën totale 840 mijë lekë, është përdorur nga subjekti për të kryer 17 udhëtime jashtë shtetit, përpara se ai vetë ta blinte. Ndërsa pala shitëse e ka përdorur vetëm për një udhëtim gjatë periudhës 2014-2016 dhe në këtë rast ka qenë së bashku me gjyqtarin Çela.

Subjekti ka deklaruar se e ka shok palën shitëse, por Komisioni konstaton se duket që gjyqtari Çela të ketë shmangur kontrollin për blerjen e këtij mjeti në vitin 2014, pasi nuk ka disponuar burime financiare të ligjshme të mjaftueshme.

Çela e kundërshtoi edhe këtë konstatim të Komisionit. Ai argumentoi se dhe në 2016-ën nuk kishte pasur burime financiare të mjaftueshme për të blerë mjetin, prandaj dhe kishte marrë hua. “Unë e kam deklaruar dhe më pas e kam blerë, nuk e kam fshehur. Nuk ka asnjë indicie se ai automjet ka qenë i imi deri në momentin që e kam blerë,” tha Çela.

Nga analiza financiare e përgjithshme, kanë rezultuar balanca negative në tri vite, ku në total kap shifrën rreth 8.2 milionë lekë.

Sanxhaktari vërejti se nga hetimi ka rezultuar se Çela ka udhëtuar jashtë shtetit me disa shtetas dhe është pyetur për marrëdhëniet që ka pasur me ata persona.

Gjetjet për figurën

Në raportin e dytë të rishikuar, DSIK ka referuar se duhej të merreshin në konsideratë informacionet për përfshirje të subjektit në veprime të kundërligjshme, duke e konsideruar qëndrimin në aspektin profesional të rëndësishëm edhe për pastërtinë e figurës.

Ndërkohë, është sqaruar se Çela ka deklaruar dënimin e një të afërmi me 25 vjet burgim nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi është gjetur fajtor si anëtar i një organizate kriminale që vepronte në qytetin e Lushnjës.

Komisioni nuk ka konstatuar problem për këtë gjetje, pasi ka rezultuar se subjekti e ka deklaruar, ndërkohë që ka qenë 16 vjeç në kohën kur është dënuar i afërmi i tij dhe nuk ka rezultuar që të kenë pasur kontakte me njëri-tjetrin.

KPK e ka shtrirë hetimin në informacionet e DSIK-së për përfshirje të mundshme të subjektit në korrupsion. Sanxhaktari deklaroi se në funksion të këtyre informacioneve janë verifikuar disa dosje nga janë konstatuar disa situata në dukje, ku veprimet e subjektit mund të kenë sjellë rrethana lehtësuese për disa palë në proces.

Gjyqtari Çela e cilësoi raportin e DISIK-së fyes. “Nuk jam ajo karikaturë që nxjerr DSIK. Jam djali i dy mjekëve që kanë rritur dy magjistratë,” pohoi subjekti dhe i kundërshtoi si të pabazuara të gjitha çështjet për të cilat ngriheshin dyshime në raportin e DSIK-së.

Sipas subjektit, informacionet e DSIK-së binin në kundërshtim me situatën faktike, pasi në një rast kishte dhënë dënim alternativ për një të mitur, pasi kështu e përcaktone ligji; në një rast kishte rrëzuar kërkesën e prokurorit për pushim duke e rikthyer për hetim; se në një rast kishte rrëzuar kërkesën e palës për të cilën ngriheshin dyshime se mund ta kishte favorizuar; si dhe në një rast e kishte dënuar të pandehurin për armëmbajtje pa leje, ndryshe nga sa pretendohej nga DSIK, se e kishte harruar ta shqyrtonte këtë vepër penale.

Nga hetimi për profesionalizmin, ka rezultuar se ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka tërhequr vërejtje me shkrim gjyqtarit Çela për zvarritje të një gjykimi. Sipas relatores, subjektit i janë kërkuar shpjegime për 7 denoncime dhe një denoncim publik në media lidhur me një çështje ku subjekti rezulton të ketë qenë kryesues i një trupe gjykuese që ka pranuar gjykimin e shkurtuar për një të pandehur për vrasje. Ndërkohë, nuk janë gjetur probleme në pesë dosjet e shortuara dhe në tre të përzgjedhura nga subjekti në funksion të rivlerësimit.

Në fund të seancës, gjyqtari Arbër Çela kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 7 dhjetor, në orën 09:45./Birn

Lajmet e fundit nga