web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kupa e Shqipërisë në çiklizëm, garë e fortë në Korçë

5 Prill 2026, 11:16, Sport CNA

Qyteti i Korçës mirëpriti këtë fundjavë një tjetër aktivitet të rëndësishëm sportiv, Kupën e Shqipërisë në çiklizëm, ku morën pjesë rreth 50 sportistë nga vende të ndryshme.

Gara u zhvillua në dy kategori. Kategoria Kadete përshkoi itinerarin Piskupat-Pogradec-Maliq- Korçë, me një distancë prej 54 kilometrash, ndërsa kategoria Elite/U23/Junior startoi nga Qukësi, duke vijuar në Trebinjë, Maliq, Bilisht dhe përfundoi në Korçë, me një gjatësi totale prej 122.6 kilometrash.

Kupa e Shqipërisë në çiklizëm, garë e fortë

Në kategorinë 'Kadete', vendin e parë e fitoi Nedion Demiri, sportist i ekipit “Skënderbeu”. Ai u shpreh se gara ishte e vështirë për shkak të konkurrencës së fortë, përfshirë edhe pjesëmarrës nga jashtë vendit, por falë përgatitjes arritën të siguronin fitoren. Kjo është hera e tretë që ai ngjitet në vendin e parë.

"Gara ishte e vështirë pasi kishte dhe konkurrentë nga vende të tjera, por me stërvitjen që kemi bërë, arritëm të fitonim vendin e parë. Ndihem i lumtur që fitova vendin e parë. Gara nisi në Piskupat, kishte dhe shkëputje nga grupi, por prapë arritëm me sukses. Është hera e tretë që fitojmë vendin e parë",-tha Demiri.

Nga i njëjti ekip, Xhasti Pashko u rendit në vendin e tretë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në ekip dhe ndihmën që i dha shokut të tij për të siguruar fitoren. Ai u shpreh i kënaqur me rezultatin, duke e konsideruar një eksperiencë të vlefshme.

"Ndihem shumë mirë sepse fituam vendin e parë, ndihmuam shokun dhe jam i lumtur. Unë zura vendin e tretë, por jam i kënaqur sepse shoku im arriti të kapte vendin e parë. Është hera e parë që fitoj. Gara ishte pak e fortë dhe kishte shkëputje, por përsëri ia arritëm falë stërvitjes që kemi bërë. Ia dolëm",-tha Pashko.

Në kategorinë ‘Elite’, fitues u shpall Henri Hysa, i cili arriti të shkëputet nga grupi në 15 kilometrat e fundit. Ai tregoi se gara ishte sfiduese, por përvoja dhe bashkëpunimi me shokun e ekipit, Olsian Velia, ishin vendimtare për suksesin.

"Ndihem shumë i emocionuar. Dola në vend të parë. U shkëputa 15 km e fundit. Nuk është hera e parë që fitoj, kam fituar edhe më parë pasi unë që i vogël jam marrë me sport, prej 7 vitesh. Gara ishte shumë e vështirë, normale ka gjërat e saj të vështira por ja dolëm me sukses me kolegun tim Olsian Velia”,-u shpreh Hysa.

Kupa e Shqipërisë në çiklizëm, garë e fortë

Ndërkohë, Olsian Velia u rendit në vendin e tretë, duke theksuar strategjinë e mirë të ekipit të Tiranës dhe rolin e tij në mbështetje të shokut të skuadrës. Ai nënvizoi se përvoja shumëvjeçare në sport e ndihmon të përballojë më lehtë sfidat e garave.

"Fitova vendin e tretë. Ndihem shumë i lumtur sepse ishte një strategji shumë e mirë nga ekipi i Tiranës. Sot detyra ime ishte të punoja për shokun e ekipit Henri Hysa sepse në garën e kaluar ai punoi për mua tek Kupa e Kavajës dhe kjo ishte merita e atij që ta fitonte. Çdo garë ka vështirësitë e veta, por kam 22 vite si sportist dhe eksperienca bën që çdo garë të bëhet më e lehtë dhe konkurrentët të shohin me një sy tjetër",-tha Velia.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe 12-vjeçarja Hera Mesi, vajza e vetme pjesëmarrëse, e cila merrte pjesë për herë të dytë në një garë çiklizmi. Ajo e cilësoi eksperiencën si shumë të bukur dhe motivuese, duke treguar se pasioni për sportin i ka lindur falë familjes.

"Unë quhem Hera Mesi, jam 12 vjeç dhe kam 4 muaj që merrem me çiklizëm. Kjo është gara e dytë. Ndihem shumë mirë, pamja ishte shumë e bukur. Është eksperiencë e bukur, këtë herë ishte më e lehtë. Më tha babi a do të futesh dhe e provova si sport e më pëlqeu. Babi merret me not, atletikë edhe bën edhe pak çiklizëm, e mendova ta provoja dhe unë"-tregoi 12-vjeçarja.

Kupa e Shqipërisë në çiklizëm vijon të mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme për promovimin e këtij sporti në vend, duke nxjerrë në pah talente të reja dhe duke forcuar konkurrencën mes sportistëve./CNA





Lajmet e fundit nga