web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Higjiena kibernetike në shkolla”/ Konferenca në Shkodër që trajton fenomenin shqetësues social

23 Maj 2025, 17:07, Qyteti im CNA

“Higjiena kibernetike në shkolla”/ Konferenca në

“Higjiena kibernetike në shkolla” është konferenca që u zhvillua në shkollën e mesme “Oso Kuka” nga tri aspirante në shkollën e drejtorëve. Aspirantet Anila Kola, Arlinda Nikolli dhe Jonida Prenga prezantuan një udhëzues praktik se si nxënësit, mësuesit dhe prindërit të mbrohen nga sulmet kibernetike, të cilat tashmë janë kthyer në një shqetësim të madh në Shqipëri.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është që ne të krijojmë një mjedis të sigurtë dhe të ndërgjegjshëm në përdorimin e teknologjisë. Sidomos nxënësit e arsimit të mesëm po ndeshen me kërcënime në rrjetet sociale. Ne në udhëzuesin e-book kemi trajtuar të gjitha rregullat që nxënësit duhet të kenë në higjienën kibernetike”,-tha Prenga.

“Projekti ynë synon të ndërtojë një siguri të kulturës online në shkolla duke paisur mësuesit, nxënësit dhe prindërit me njohuri dhe aftësi për t’u mbrojtur në botën digjitale”,-tha Kola.   

“Duke marrë parasysh edhe ngjarjet jo fort të mira që kanë ndodhur në Shkodër dhe qytete të tjera në vend në lidhje me adoleshentët të cilët kanë rënë pre e sulmeve kibernetike dhe ngacmimeve, atëherë kjo temë merr një rëndësi tepër të veçantë. Sipas UNICEF një në 5 fëmijë ndihet i ngacmuar në internet dhe kjo është një shifër shqetësuese. Ka nevojë shumë për përmirësim dhe ky udhëzues është vetëm hapi jonë i parë ndërgjegjësues dhe do vijojmë më tej”,-tha Pranvera Kraja, pedagoge e mentore në shkollën e drejtorëve.

“Higjiena kibernetike në shkolla”/ Konferenca në

Sipas burimeve, në autoritetin kombëtar për sigurinë kibernetike janë 530 raste të raportuara për një vit ndërsa në agjencinë shtetërore të fëmijëve ka 120 raste të raportuara. Kjo ka bërë që këto institucione të shtojnë aktivitetet ndërgjegjësuese.

 “Ne si autoritet kemi zhvilluar rreth 50 aktivitete në shkolla dhe kemi marrë reagime që i përkasin bullizmit, sulmeve kibernetike të cilat kanë nevojë të parandalohen. Ne si institucion kemi ndërtur një platformë e cila gjendet në faqen tonë të uebit aksk.gov.al ku ndodhet një buton i kuq dhe aty kushdo mund të denoncojë çdo rast”, -tha Përfaqësuese e AKSK, Megi Sulejmani.  

“Çdo ditë na vijnë raste të raportuara për fëmijë që ndjehen të rrezikuar në platformat e tyre online. Gjatë vitit të kaluar kemi patur 120 raportime në ALO 116”,-tha Kristjana Myrtaj nga  Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve.

“Higjiena kibernetike në shkolla”/ Konferenca në

Sulmet kibernetike dhe probleme që kanë nxënësit nga internet, shprehet Drejtori Rajonal i Arsimit për veriu Hasan Muça, janë një refren i përditshëm që duhet parandaluar.

“Është një shqetësim që është bërë refreni i përditshëm për ne. Ne nuk kemi shkopin magjik por jemi aktorë dhe faktorët që kemi mundësi për t’i parandaluar, për t’i zbuluar dhe të gjejmë forma për t’i minimizuar”,-tha Muça.

 “Kjo temë na përket të gjithëve, si shoqëri në radhë të parë, si familje, si shkollë, si institucione dhe më gjërë. Janë shumë hallka që duhet të vihen në punë në mënyrë që të mos shkojmë në fatkeqësi, siç po ndodhin hera herës”, -tha Drejtoresha e shkollës “Oso Kuka”, Teuta Çoku.  

Në Shkodër sipas burimeve pranë policisë vendore janë 30 raste në vit të raportuara për sulme kibernetike nga nxënësit e shkollave, por kjo shifër sipas ekspertëve nuk është reale, për shkak se nxënësit hezitojnë të denoncojnë çdo rast. Në nëntor të vitit të kaluar, një vajzë 15-vjeçare vendosi t’i japë fund jetës në Shkodër, si shkak i shantazhimeve online nga bashkëmoshatarët e saj./CNA





Lajmet e fundit nga