web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga rindërtimi te infrastruktura dhe trashëgimia kulturore/ Igli Cara shpalos programin për Durrësin

8 Prill 2023, 14:25, Politikë CNA
Nga rindërtimi te infrastruktura dhe trashëgimia kulturore/ Igli Cara
Kandidati i opozitës për bashkinë e Durrësit, Igli Cara

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Durrësit, Igli Cara ka prezantuar ditën e sotme programin e tij gjatë një takimi me qytetarët.

Cara tregoi pikat kryesore ku do të fokusohet, që janë rindërtimi nga tërmeti, transporti, infrastruktura kryesore dhe dytësore, menaxhimi efiçent i buxhetit të bashkisë,  zhvillimi dhe promovimi i trashëgimisë kulturore e historike dhe arsimi.

Ai theksoi gjithashtu se do të bëjë shumë më shumë për moshën e tretë, grupet vulnerabël, individët me aftësi ndryshe, përmes programeve e buxheteve të bashkisë, rritjes së ndërgjegjësimit në komunitet e programeve me donatorë .

Pjesë nga fjala:

Nga kjo tribunë ju premtoj, që së bashku, qytetarë të vjetër dhe të rinj të Durrësit, do të bëjmë gjithçka për mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik; zhvillimin e integruar urban; rikthimin e Durrësit në polin më të rëndësishëm të turizmit në vend dhe do të ndërtojmë partneritete në rajon, Evropë e më gjerë në dobi të ekonomisë lokale, zhvillimit të kapitalit human e prosperitetit të Durrësit tonë, sepse Durrësi jeni ju!

Ne së bashku do të bëjmë gjithçka për të kthyer Bashkinë në një institucion në funksion real të qytetit dhe qytetarëve, përmes programeve aftashkurtër dhe afatmesëm.

Prioritet i rëndësishëm do të jetë përfundimi i procesit të rindertimit brenda vitit 2024, integrimi i zonave të reja urbane dhe mbulimi me shërbim transporti publik, infrastrukturë kryesore dhe dytësore;

Do te sigurojmë një menaxhim efiçent të buxhetit të bashkisë; thjeshtëzimin e sistemit të taksave lokale, uljen, transparencën dhe efiçencën në mbledhjen e tyre.

Ne së bashku, duke qenë falenderues për bukurinë dhe pozicionin gjeografik që Zoti i ka dhuruar Durrësit, por dhe punën, kreativitetin e mundin e të gjithë të angazhuarve në sektorin e turizmit, do të bëjmë gjithçka për ta mbështetur ate, diversifikuar ofertën turistike, branduar Durrësin dhe rikthyer në polin më të rëndësishëm të turizmit në vend, sepse Durrësi jeni ju!

Ne së bashku, do të punojmë, që mjedisi të jetë një komponent thelbësor i cilësisë së jetës, mbrotjes së shëndetit e mirëqënies së komunitetit, përmes krijimit të një rrjeti korridoresh ekologjike ambientale në territorin e Bashkisë;

Ne së bashku, do t’i japim një fokus të ri zhvillimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe historike të Durrësit, do të mbështesim jetën kulturore, artistike, sportive në mbështetje të komunitetit dhe të turizmit, sepse Durrësi jeni ju!

Duke besuar se në themel të një shoqërie me vlera është familja, do të dedikojmë një pjesë të burimeve financiare dhe të projekteve të Bashkisë në funksion të edukimit, kulturës, sportit, mirëqënies mendore e fizike të qytetarëve, do të krijojmë më shumë mundësi për fëmijët dhe të rinjtë, nga infrastruktura shkollore, në qendrat shumëfunksionale dhe ambientet e rekreacionit në çdo njësi administrative; do ngremë Bordet e të Urtëve me ekselencën durrsake anembanë botës; Qendrat e Karrierës dhe aftësimit të të rinjve, sepse Durrësi jeni ju!

Do të mbështesim përfundimin e kampusit e Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe do të kontribuojmë fort në shndërrimin e tij në një pol inovacioni në rajon;

Ne së bashku, duke respektuar çdo sipërmarrës të ndershëm të Durrësit, që kontribuon çdo ditë për zhvillimin e ekonomisë lokale e kombëtare dhe punësimin e qytetarëve, do të garantojmë që taksat e biznesit do të përdoren me efektivitet në dobi të qytetit dhe të shërbimeve publike në të;

Ne së bashku, në komunat Ishëm, Manëz, Sukth ,Katund i Ri e Rrashbull nëpërmjet granteve të Bashkisë do të punojmë për zhvillimin e programeve konkrete në mbështetje të fermerit, sistemim të kanaleve kulluese, mbështetje e prodhimit lokal e promovimit të produktit ne Km “0” dhe riorganizim i shërbimit veterinar për më shumë efikasitet e siguri.

Vëmendje e veçantë për sektorin e peshkimit nëpërmjet programeve specifike të nxitjes së kapaciteteve kualifikuese dhe promovimit të tij, krijimit të kushteve të përshtatshme të tregtimit të peshkut;

Ne së bashku, do të bëjmë gjithçka që mbetjet të menaxhohen ndryshe, bazuar në parimet e ekonomisë qarkulluese-ricikluese, duke kursyer keshtu çdo qindarkë të taksave të qytetarëve.

Ne së bashku, do të duhet të bëjmë shumë më shumë për moshën e tretë, grupet vulnerabël, individët me aftësi ndryshe, përmes programeve e buxheteve të bashkisë, rritjes së ndërgjegjësimit në komunitet e programeve me donatorë .

Për të gjitha sa thashë më sipër me mendimet e eksperteve te fushave te ndryshme kam përgatitur dhe programin elektoral.

Ne së bashku, me kurajon e njerëzve që e duan qytetin dhe që kanë ekspertizën, do të krijojmë sinergjinë e duhur për të ndërtuar një administratë profesionale, dhe me fokus qytetarin;

Sepse Durrësi jeni ju!

Duke besuar fort në misionin e vizionin tone, që të punosh për qytetin tënd, për ndryshimin pozitiv dhe transformimin, që ka në qendër qytetarin dhe qytetarinë është ëndërr e secilit prej nesh, por mbi të gjitha përgjegjësi politike dhe publike, ju ftoj të bëjmë ndryshimin e madh për Durrësin e të ardhmen tonë./ CNA.al





Lajmet e fundit nga