web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Do të sjellim ndryshim rrënjësor në bujqësi”/ Berisha: Çdo fshat do të ketë infrastrukturën e lagjeve të qytetit

2 Maj 2025, 14:37, Politikë CNA

“Do të sjellim ndryshim rrënjësor në

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përgjatë një takimi me fermerët e Dimalit, nga ku prezantoi detajet e programit të tij qeverisës, që lidhen me ekonominë, ka dhënë premtimin e radhës.

Ky premtim lidhet me qumështin pluhur, për të cilin u shpreh se do t'i vendoset taksa atje ku e “meriton”.

Lideri i opozitës gjithashtu akuzoi kryeministrin Edi Rama për shkatërrimin e sistemit shëndetësor dhe premtoi dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë dhe bujqësinë.

“Ju jeni dëshmitarë që ne në vitin 2006-2013 investuam shumë në infrastrukturën e fshatrave, dhe sigurisht nuk e kompletuam atë.

Por ne kishim një zotim dhe një parim dhe e kemi përsëri: çdo fshat duhet të ketë infrastrukturën e lagjeve të qytetit.

Çfarë dua të them unë me këtë? Duhet të ketë rrugët, furnizimin me ujë, kanalizimet, furnizimin me energji, shkollën dhe qendrën shëndetësore.

Ne ecëm fort në këtë drejtim. Ne në ato vite ndërtuam ose rindërtuam mbi 8800 kilometra në zona rurale. Mbetën edhe 3-4 mijë të tjera. Edhe ato do t'i plotësojmë dhe nuk do ketë fshat pa rrugë të njëjta me lagjet e qyteteve.

Miq, e dëgjuat besoj që shqiptarët, njeriu që u premtoi shëndetësi falas, e shkatërroi sistemin dhe sot ju paguani për shëndetin tuaj, të familjarëve tuaj, 3 ose 4 herë më shumë se çdo popull i BE-së.

Statistika e fundit e INSTAT tregon se shqiptarët paguajnë në vit 820 milionë euro për kujdesin shëndetësor. Shqiptarët në vit vetëm për bukën shpenzojnë 220 milionë euro. Pra për ilaçe sot në Shqipëri shpenzohet 4 herë më shumë.

Cili është zotimi ynë për ju? Zotimi ynë për ju është ky. Së pari, lista e barnave të rimbursueshme do jetë lista që paguan qeveria italiane për qytetarët italianë. Ky është premtimi ynë për qytetarët shqiptarë.

Do të dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë, sikundër do e dyfishojmë për bujqësinë.

Sot kujdesi shëndetësor në njëfarë mënyre për fatin më të keq është në kontrollin e mafies.

Çfarë ndodh sot? Shkon i sëmuri me urgjencë në spital publik, dhe ky rast është konkret, i ka ndodhur një bashkëpunëtorit tim, iu bllokua arteria e qafës. Shkoi në spital publik, ia diagnostikuan, i thanë ke bllokim. Tani i thanë, për ta hequr, nuk ta heqim ne, duhet të shkosh në spital privat. Shkoi në spital privat dhe pagoi 2-3 mijë euro.

Spitali publik i ka të gjitha mjetet, por atje ndahen paratë. Kjo merr fund. Ky sistem i degraduar shëndetësor do të ndëshkohet dhe unë u garantoj se ju do keni sistemin shëndetësor që meritoni.

Dhe paratë që do paguani do jenë sigurimet shëndetësore, që janë të detyrueshme për të gjithë qytetarët në Europë dhe botë, kurse të tjerat do t'i paguajë të gjitha shteti për ju.

Kështu që edhe këtu ne shënojmë një ndryshim të madh.

Për fëmijët tuaj, shkollat do modernizohen.

I siguroj mësuesit që nuk do ketë shkurtime në numrin e mësuesve, ajo që do ndodhë, do jetë shkurtime të numrit të nxënësve në klasa. Klasat do zbresin në 20-25 nxënës. Mësuesit do kenë rrogën 1500 euro minimumi.

Nuk do ketë mesatare për të shkuar në universitet.

Pas mbarimit të universitetit, qeveria do paguajë sigurimet shoqërore për ata që marrin në punë të rinjtë.

Pra, miq ky është programi ynë që krijon një mundësi të re për çdo qytetar dhe u kthen paratë atyre”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, deputetja e partisë Forza Italia, Erica Mazzeti, ka marrë pjesë sërish në takimin elektoral të PD-së, ku vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Jemi krenarë që jemi miq. Ekziston një miqësi e thellë mes Italisë dhe Shqipërisë, dhe kjo miqësi duhet të forcohet edhe më shumë. Dhe këtë mund ta bëjmë vetëm me kryeministrin Berisha. Italia nuk ju ka braktisur kurrë dhe nuk do t’ju braktisë as tani. Edhe këtë herë jam e sigurt që do të bëjmë gjëra të mëdha së bashku. Qeveria italiane e qendrës së djathtë po fokusohet shumë te vendet fqinje dhe mike, për të punuar së bashku. Sepse puna i jep dinjitet njeriut, dhe ne duam t’u japim dinjitet të gjithë qytetarëve europianë dhe fqinjëve tanë.

Ju presim në familjen e madhe të Partisë Popullore Europiane, atje ku bëjmë gjërat së bashku”, tha deputetja italiane.

Berisha u ka bërë thirrje fermërëve që të bashkohen në këtë nismë për ndryshim./ CNA





Lajmet e fundit nga