web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Denoncimi i CNA-së/ Këlliçi, thirrje Dritan Prençit: Heto dyshen e pandashme si mishi me thoin

1 Gusht 2025, 13:01, Politikë CNA

Denoncimi i CNA-së/ Këlliçi, thirrje Dritan Prençit:

Deputeti i zgjedhur i PD-së, Belind Këlliçi, në një deklaratë për mediat pas denoncimit të CNA-së për "tentakulat" e Ajola Xoxës deri te landfilli i Sharrës, i ka bërë thirrje prokurorit që fle mbi dosjen e inceneratorit të Tiranës, Dritan Prençi, që të hetojë dyshen e pandashme si mishi me thoin, Erion Veliajn dhe Edi Ramën.

“Janë bërë tashmë plot dy vite, që në mënyrë të pandërprerë ju kemi informuar nga kjo foltore për të gjithë dokumentacionin e dorëzuar pranë SPAK në lidhje me hetimin e aferës së shekullit, atë të inceneratorit fantazmë të Tiranës.

Për dy vite me radhë kemi depozituar pranë SPAK-ut dokumente, e-maile, komunikime në aplikacione të ndryshme, të cilat përbëjnë prova të pakundërshtueshme që kjo aferë nuk është kryer nga disa individë anonimë, presta-nome të ndryshëm apo drejtorë të Bashkisë Tiranë të dalë në pension, por është afera personale e dy individëve, të evidentuar edhe nga ish-zv.Kryeministri Arben Ahmetaj si pronarët faktikë, të cilët janë Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Sot, në median CNA.al janë publikuar të dhëna nga dosja hetimore e shtetasit Erion Veliaj. Citojmë ekzaktësisht: “Për rastin e shoqërisë 'MEG Albania', Erald Ismaili shpjegon se kjo kompani i ishte referuar nga Ajola dhe Klotilda, klienti Vladimir Fezga kishte ardhur në zyrën e Ajolës për të hapur biznes në landfillin e Sharrës dhe për të marë lejen mjedisore… pas marrjes së lejes, ai mbante mend se aktiviteti i shoqërisë 'MEG Albania' kishte filluar, por nuk kishte informacion se sa kishte vazhduar.

Shtetasi Erald Ismaili deklaroi se megjithëse ishte pronar formal i kompanisë 'Eris Consulting', pronare e vërtetë e saj ishte Ajola Xoxa…”

Të nderuar qytetarë,

Kompania 'MEG Albania' është ajo e cila mori në administrim landfillin e Sharrës, menjëherë pas vdekjes tragjike të minorenit Ardit Gjoklaj. Më pas kjo kompani themeloi edhe kompaninë tjetër 'Eco Recycling' së bashku me kompaninë 'Eco Tirana', e themeluar nga Bashkia Tiranë dhe famozja Amia Verona, e hetuar në Itali për lidhje me Ndranghetta-n.

Në fund të këtyre transaksioneve hyri në lojë edhe kompania e inceneratorit të Tiranës, me bekimin e plotë të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Pyetja që i drejtoj për të disatën herë Prokurorit të kësaj dosjeje, Dritan Prençi, është: Përse nuk hetohet roli i dy pronarëve faktikë të inceneratorit të Tiranës, përkatësisht Edi Ramës dhe Erion Veliajt, në këtë aferë korruptive?

Nëse prokurori Dritan Prençi nuk është ‘qartësuar’ deri tani nga provat e depozituara në SPAK nga ana ime, atëherë sot ka detyrimin ligjor të administrojë provat e reja dhe dëshminë e shtetasit Erald Ismaili, i cili e specifikon qartë se kompaninë 'MEG Albania' e ka sjellë në zyrë Ajola Xoxa dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve, deputetja e PS-së, Klotilda Ferhati Bushka, për të mbyllur pazarin për administrimin e landfillit të Sharrës.

Nga kjo seli dhe nga kjo foltore janë dhënë me qindra deklarata e janë bërë publike shumë fakte që tregojnë se vdekja e minorenit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, jo vetëm që nuk u zbardh kurrë nga organet e drejtësisë, por kjo ngjarje u përdor nga Erion Veliaj si alibi për pikënisjen e aferës korruptive në landfillin e Sharrës, fillimisht me shoqërinë 'MEG Albania' dhe në fund me kompaninë fantazmë të inceneratorit të Tiranës.

Sado që regjimi vijon ta mbajë të mbyllur këtë aferë korruptive që u ka kushtuar deri më tani të paktën 190 milionë euro qytetarëve të Tiranës, e vërteta në fund do të zbardhet.

Pronarët faktikë të inceneratorit Tiranë, Rama - Veliaj, dyshja e pandashme si mishi me thoin, siç dikur shprehej vetë me gojën e tij Erion Veliaj, do të mbajnë përgjegjësi para ligjit, por mbi të gjitha para qytetarëve shqiptarë, të cilët i vodhën dhe i dëbuan si asnjë pushtues në historinë e këtij vendi”, tha Këlliçi./ CNA





Lajmet e fundit nga