LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

500 mijë dollarët rus të Lulzim Bashës/ PD kërkon hapjen e menjëhershme të çështjes

14 Shtator 2022, 12:06, Politikë CNA
500 mijë dollarët rus të Lulzim Bashës/ PD kërkon
Selia e PD-së

Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të lajmit nga mediat ndërkombëtare mbi lobimin rus, ku thuhej se Rusia ka financuar Partinë Demokratike kur drejtohej nga Lulzim Basha në 2017.

Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, tha se PD-ja ka denoncuar publikisht këtë akt kriminal të Lulzim Bashës.

Gjithashtu ka kërkuar menjëherë hapjen e çështjes në fjalë dhe transparencë e një proces të qartë publik.

“Pas publikimit të një lajmi të bazuar në raportin e shërbimeve inteligjente të SHBA-së në 'Zërin e Amerikës', për infiltrimin rus në politikën e disa vendeve, dhe financimin e politikanëve në këto vende, ku përfshihet financimi me 500 mijë dollarë të ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Demokratike bën me dije se: 

Ne jemi parti e interesit kombëtar dhe i shohim këto interesa larg aksit serbo-rus, në linjë të plotë me vendet e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Partia Demokratike është forca e parë euro-atlantike në Shqipëri, propozuesja e parë ndër vendet ish-komuniste e planit për anëtarësim në NATO dhe Komunitetin Europian.

Si e tillë, Partia Demokratike deklaron se pasi është njohur me indicie që flisnin për një financim rus, ka denoncuar publikisht këtë akt personal të Lulzim Bashës.

Gjithashtu, Partia Demokratike ka denoncuar perdorimin e kësaj afere për marrjen peng të këtij individi me qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike.

PD ka denoncuar ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Engjëll Agaçi, për mbylljen e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës për këtë aferë.

Partia Demokratike do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm.

Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet.

Ne e konsiderojmë ndërhyrjen financiare për interesa malinje, që bien ndesh me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor, si një cenim flagrant të sovranitetit të vendit, nga një agresor që po lan në gjak popullin mik të Ukrainës.

Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve.

Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës te gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike.

Rruga tipike mafioze që u gjet për këtë ishte mosdërgimi, në kundërshtim të hapur me ligjin e dosjes në Gjykatën e Lartë.

Partia Demokratike kërkon transparencë dhe një proces të qartë publik. Ajo është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet shqiptare dhe të vendeve partnere për zbardhjen e plotë të së vërtetës së kësaj çështjeje, dhe deklaron se misioni i saj ka qenë dhe vijon të jetë vokacioni perëndimor i kombit shqiptar dhe besnikëria ndaj vlerave themelore që ndajmë me partnerët tanë”, tha Garo./ CNA.al

Lajmet e fundit nga